Home Gjeo-Ekonomia Pas sulmeve në veri, Mbretëria e Bashkuar dërgon 200 ushtarë në Kosovë:...

Pas sulmeve në veri, Mbretëria e Bashkuar dërgon 200 ushtarë në Kosovë: Jemi të angazhuar në ruajtjen e paqes në rajon

Mbretëria e Bashkuar ka thënë se është e angazhuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon, e për këtë do t’i dërgojë 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit.

Në një komunikatë për media, shefi i Zyrës për Komunikim, Richard Le Vay, ka thënë se trupat e KFOR-it britanik do të dërgohen në Kosovë pas rritjes së tensioneve në pjesën veriore.

“Aktivizimi i shpejtë i Mbretërisë së Bashkuar është një demonstrim i aftësive unike dhe i angazhimit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon. Forcat e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosen në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë pas një kërkese të NATO-s. Kjo vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon”, thuhet në njoftimin për media të dielën.

Sipas komunikatës, diskolimi i trupave ushtarake do të shërbejë si forcë dhe ekspertizë për NATO-n “si pjesë e angazhimit kryesor dhe të palëkundur ndaj Aleancës”.

“Dislokimi i Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit demonstron përgjegjshmërinë e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar. Ne vazhdojmë të jemi një pjesë themelore e aleancës së NATO-s, duke ndarë ekspertizën dhe forcën tonë ushtarake. Zgjerimi i mbështetjes sonë për Forcën e Kosovës (KFOR) nënvizon përkushtimin tonë të palëkundur ndaj NATO-s dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor”, është cituar shefi britanik i Shtabit të Mbrojtjes, Sir Tony Radakin.

Në njoftim tutje është thënë se Forcat e Mbretërisë së Bashkuar kanë marrë rol kyç në ruajtjen e paqes dhe në forcimin e sigurisë për mbi dy dekada.

360grade.al

Share: