Home Gjeo-Ekonomia Plani i heshtur i Vuçiçit dhe përse po e vazhdon lojën me...

Plani i heshtur i Vuçiçit dhe përse po e vazhdon lojën me Perëndimin!

Nga IRIDA VASIA – Çfarë po kërkon të arrijë Aleksandar Vuçiç me shown e tij të patinazhit artistik në një shtresë akulli të hollë që rrezikon nga çasti në çast të thyhet?

“Për 11 vjet, tha Aleksandër Vuçiç në një tubim parazgjedhor në Kraljevo, kam dëgjuar sesi e “kemi humbur, tradhtuar dhe shitur Kosovën”, dhe ata na tregojnë të njëjtën histori. Sepse nëse e kemi humbur, atëherë, përse vazhdojnë na kërkojnë që ta njohim Kosovën, të cilën nuk kemi për ta njohur kurrë”: Presidenti serb, artin e diskursit politik, e njeh mirë .

Në fjalimin e tij të gjatë në sallën e mbushur plot me simpatizantë partiake, Vuçiç e dinte se mjaftonin qoftë edhe vetëm këto dy fjali për të çuar peshë zemrat nacionaliste. Një refren, që për këtë fashë të rëndësishme të elektoratit serb, asnjëherë nuk zhvishet nga aktualiteti. Dhe që artikulohet në kohën e investimit ndoshta më të madh te Perëndimit për t`i dhënë një zgjidhje ngërçit sizifian që është për të konflikti i ngrirë Prishtinë-Beograd.

Me të gjithë makabritetin e tij, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës i bëri Ballkanit një dhuratë të pavullnetshme: E shkundi pluhurin e mosinteresimit dhe nënvlerësimit, duke hedhur dritë të re mbi formëzimin e marrëdhënieve të së ardhmes. BE-ja e NATO- i druhen sa shtrirjes së influencës ruse, aq edhe mekanizmave të rafinuar të Moskës për të mbjellë destabilizim e për të ushqyer konflikte, duke sfiduar kështu edhe vetë sigurinë e bllokut e duke rrezikuar ta tërheqë aleancën ushtarake në luftë.

Nga kjo dritë e re, padyshim, përfiton edhe Serbia.

Vuçiç di të notojë në ujëra të trazuara: kjo aftësi ka formëzuar qenien e tij politike duke i lejuar një metamorfozë që mund të dalë vërtet jashtë kornizave të logjikës perëndimore, por me standardin e një demokracie të brishtë plot dritëhije autoritarizmi përputhet krejtësisht: nga ministri i propagandës së “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviçit, ai u shndërrua në fytyrën e Serbisë moderne, në liderin që premton ta çojë vendin në BE, e me një numër të pashoq akrobatik të ruajë në një njëjtën kohë edhe aleancën historike me Rusinë.

Një lojë shahu që në fillim tërheq admirim me mjeshtërinë e hollë të lëvizjeve: Nëse zinxhiri i tyre kapërcen logjikën e çastit dhe mendimi ngjan i pamundur të ç’kodohet, personi vishet automatikisht me një tis të padiskutueshëm “epërsie”. Në pamundësi për të depërtuar planin e tij e për t`i lexuar mendjen, pala tjetër (Perëndimi), ngjan se i dorëzohet mbretërisë së hamendësimit dhe se strategemat e veta, detyrohet t`i ngrejë mbi rërë të lëvizshme. Që këtu, Vuçiç shënon një fitore “a priori” në tryezat e lodhshme të negociatave.

Nga vend agresor pak dekada më parë, Serbia kthehet në partnerin që duan ta afrojnë të gjithë. Perëndimi dhe Rusia, papritur, janë në një përplasje të heshtur brirësh me njëri-tjetrin: I pari, për ta tërhequr në orbitën e vet kombin e mbi faktorizuar, e dyta për ta mbajtur fort në vathën e saj. Dhe Vuçiç ka përfituar sa ka mundur nga betejat gjeostrategjike mes titanëve. Lideri serb ka përcjellë vazhdimisht mesazhe kundërthënëse, si në përballjet me ndërkombëtarët, ashtu edhe brenda kufijve të vendit të vet. Herë krijon idenë se është i përgatitur të lëshojë pe, e herë ul një sipar të hekurt çoroditës duke i mbyllur kështu çdo shteg shpresave se zgjidhja me Kosovën më në fund është pranë. Pazari i fundit i Perëndimit është i qartë: Kosova të krijojë Asociacionin, Serbia t`i njohë pavarësinë. Vuçiç përtypet.

Çdo lojë e ka një fund. Edhe këtë, padyshim, një politikan i nivelit të Aleksandar Vuçiçit, e di fort mirë. E megjithatë, ai vazhdon të luajë. Përse? Çfarë po kërkon të arrijë me shown e tij të patinazhit artistik në një shtresë akulli të hollë që rrezikon nga çasti në çast të thyhet?

Diplomatët perëndimorë kanë tentuar ta joshin Serbinë me perspektivën e një anëtarësimi të shpejtë në BE, por nuk kanë ngurruar po ashtu ta paralajmërojnë se në rast se i kthen shpinën mundësive të ofruara, rrezikon një izolim të acartë. Në linjën e tyre ndaj Beogradit megjithatë, për një kohë të gjatë, strategjia e kulaçit mbizotëroi mbi atë të kërbaçit.

Nga Brukseli, hidheshin shigjeta për Prishtinën si penguese e avancimit të procesit të dialogut, ndërsa Vuçiç, një herë bënte të vështirin, një herë të moderuarin e një herë viktimën. Perëndimi ishte ose i verbuar përpara manovrave të tij, ose i ndërgjegjshëm për to por zgjidhte ta bënte njërin sy qorr përpara interesave më të mëdha, dhe zgjidhja projektohej tek shtrëngimi i lakut mbi palën tjetër, Prishtinën- pra palën e konceptuar si më të dobët. Mirëpo, sulmi i Banjskës duket sikur ia ndaloi Vuçiçit tollovinë e vet diplomatike, dhe e gjithë përpjekja e mëparshme për ta mbërthyer Prishtinën në një qoshe, u thërrmua përpara syve të tij.

Raporti i fundit i Këshillit të Europës sipas të cilit dështimi në përballjen me krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90-të, po rrezikon paqen në rajon, ishte sidoqoftë një sinjal se Brukseli, në të vërtetë, e ka të qartë lojën me shumë porta të Serbisë dhe se sidomos tani, në sfondin e konfliktit ne Ukraine, as ai, as SHBA-ja nuk duket se janë të prirur ta tolerojnë gjatë.
“Ka një tendencë alarmante drejt diskursit etno-nacionalist, mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, çka dobëson përpjekjet për t’u përballur me të shkuarën. Është shqetësuese që praktika të tilla pranohen dhe ndiqen në mënyrë aktive nga politikanë në nivelet më të larta të politikës dhe që kthehen në strategji për të mbledhur vota dhe për të qëndruar në pushtet”, thuhej aty.

E pikërisht kjo, është ndoshta një nga arsyet që e shtyjnë kreun e shtetit serb të vazhdojë lojën e tij, në dukje të palogjikshme, “tërhiq e mos e këput”. Edhe pse e di shumë mirë se Albin Kurti e ka mjaft të vështirë ta pranojë Asociacionin me kushtet e kërkuara prej Beogradit, Vuçiç kësaj i mëshon më fort, i ndërgjegjshëm se kjo do ta bllokojë procesin. Ai po kërkon të fitojë kohë.

Kohë politike.

Kohë për të mos u pozicionuar hapur.

Kohë për të mos armiqësuar përfundimisht as Perëndimin, as nacionalistët e vet të tërbuar, as Moskën.

Kohë për ta zvarritur sa më shumë çështjen e Kosovës.

Kohë për të qëndruar pa shumë kokëçarje sa më gjatë në pushtet.

Deklarata e prerë në Kraljevo tregon qartë se kreu i shtetit serb po riciklon kartat e vjetra të fitores zgjedhore. Retorika e tij ndaj Kosovës u ashpërsua në maksimum pikërisht tani në prag të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi. Vuçiç këtë skenar e njeh mirë: Ka funksionuar në të shkuarën, mund të funksionojë sërish. Mbase Perëndimi mund të shpresojë që kreu i shtetit serb ta zbusë sërish qëndrimin ndaj Kosovës pasi forca e vet politike të ketë siguruar edhe 4 vite të tjera në pushtet, edhe pse pirgu i premtimeve të shkelura prej tij nuk njeh veçse rritje.

Top Channel

Share: