Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Varret janë vendloja e tyre. Harresa loja e preferuar e shtetit.

Varret janë vendloja e tyre. Harresa loja e preferuar e shtetit.

Nga Alba Alimehmeti Kepi

“Zoti ju lehtësoftë”, “Qoftë i xhenetit”, “Boni sevap”, “A t’jua pastroj cdo javë?”…

Shkurt 2024, Tiranë.
Mëngjes i zhurmshëm, kush grindet me borinë e makinës, dikush tjetër me këmbësorët e këta me njëri-tjetrin.
Në trotuare fëmijë e adoleshentë që shkojnë në shkollë.

Duke shkuar drejt periferisë, Tirana bëhet e qetë.
Më thellë e qyteti është më i heshtur, e akoma më tej heshtja merr forma varri.

Tufinë, varrezat publike.
Mëngjesi i shkurtit këtu është therës. Dajti ftoh ajrin e deri në mesditë ruan në zemrën e tij diellin.

Në çdo parcelë gjen 2-3-4 fëmijë ulur buzë bordurave të varrit e presin.

Janë fëmijët e varrezave, të padukshmit nga shoqëria, shteti, Bashkia.

I gjen cdo mëngjes pranë varreve, o gropave të hapura gati për t’u mbyllur pas pak orësh.
Kanë filluar ditën e punës ndërsa moshatarët e tyre, në qëndrën e zhurmshme, kanë nisur mësimin.

Presin me durim sa mbaron takimin me pllakën e mermerit, derisa kokën e vë drejt mbi shpatull e sheh qiellin.

“Zoti t’lehtësoftë dhimbjen, t’pastë lënë ymrin, qoftë i xhenetit”, e një lumë urimesh dëgjon të vijnë pas.

Është një djalë rreth 10 vjec, buçko me një felpë të kuqe që i mbron kokën nga i ftohti, nga ku i dilte një tufê flokêsh biond.
Mbi trup mban veshur një xhup lëkure, burrash.
I rrinte i gjatë deri te gjunjët, poshtë të cilëve dukeshin çorapet ku kishte futur tutat.
Fliste ngadalë me fjalët e një të rrituri, dhe dorën e një vogëlushi zgjatur lëmoshë.

“A do të ta pastrojë cdo ditë?”, “Më jep sa të duash”, “Bo sevap”.
Ai zë i njomë kishte marrë ngjyra të rrituri e jepte këshilla se si buqetën e luleve duhej ta hapja, t’ua prisja bishtat për të mos i vjedhur se ishin shtrenjtuar në dyqane e i merrnin për t’i shitur.

Në parcelën ngjitur rrinin 2-3 fëmijë të tjerë. Po ndjekin me sy një automjet që vjen nga lart. Sapo ndaloi u drejtuan tek ai.
U ulën disa metra larg e me durim presin sa takimi shpirtëror të mbarojë e të thonë;
“Zoti ju lehtësoftë”, “Qoftë i xhenetit”, “Boni sevap”, “A t’jua pastroj cdo javë?”…

Fëmijët e varrezave i gjen çdo ditë mes heshtjes së varreve e heshtjes së shtetit.

“A shkon në shkollë?”
“PO, POOO”, thërret buçko biond e pêr pak sekonda nuk e sheh më gjëkund.

Fëmijët e varrezave janë të padukshmit e shoqërisë, Bashkisë e instutucioneve.
Nuk dihet sa janë.
Nuk dihet në janë viktima shfrytëzimi o fatkeqë të familjes?

Varret janë vendloja e tyre.
Harresa loja e preferuar e shtetit.

Share: