Home KRYESORE Shqipëria ku ndershmëria është lajm, por jo realitet

Shqipëria ku ndershmëria është lajm, por jo realitet

Nga Manjola Bregasi

Një djalë 17-vjeçar gjendet i pajetë në vendgrumbullin e plehrave të kryeqytetit paraditen e 7 gushtit. Ardit Gjoklaj ishte vetëm 17 vjeç dhe atë ditë, si çdo ditë tjetër të kësaj vere ishte nisur nga shtëpia në 3:30 të mëngjesit për të punuar. Ishte zgjuar nga gjumi ende pa zbardhur dita, por iku të flejë përgjithmonë. E vranë pa dashje? E goditi eskavatori? Me gjithë të arrestuarit e shumë të kësaj ngjarjeje, askush nuk tregon. Dhe siç ndodh shpesh në Shqipëri, ku një ngjarje ngatërrohet me 100 të tjera, ku pas një fijeje në dukje, mblidhet një lëmsh i tërë, ky krim, i qëllimtë apo aksidental nuk ka asnjë autor. Një djalë 17-vjeçar vdiq, teksa punonte të nxirrte lekët për të blerë librat e shkollës.

Ne foto: Ardit Gjoklaj

ardit-gjoklaj
Ende pa u shuar zërat mbi vdekjen e Arditit 17-vjeçar, pasditen e 11 gushtit Endri Kosteja gjendet i vrarë me një plumb në kokë në fshatin Vranisht të Vlorës. 21- vjeçari kishte lënë shtëpinë e tij në Dorëz të Librazhdit, për të punuar si coban dhensh në Vlorë, bashkë me të vëllanë. Thonë se pronari i stanit nuk e kishte paguar, ndaj dhe Endri priste lekët që të kthehej në shtëpi. Por nuk u kthye më kurrë. Policia ka arrestuar pronarin e stanit Sheref Lelaj dhe ka shpallur në kërkim djemtë e tij. Kështu, një djalë tjetër vdiq, teksa përpiqej të nxirrte bukën e gojës.

Ne foto: Endri Kosteja endri kosteka
Pasditen e 12 gushtit, elektriçisti Zamir Velaj u qëllua me thikë nga një debitor i OSHEE-së, në fshatin Oblikë të Shkodrës. Vrasësi i dehur kishte vendosur të hakmerrej për shkak të dritave të ndërprera një javë më parë nga mospagesa. Edhe Zamiri, ashtu si Arditi dhe Endri, nuk u kthye më në shtëpi. Atë e priste një djalë 17-vjeçar, që tashmë nuk do ta shohë më.

Ne foto: Zamir Velaj zamiri
Të nesërmen, Kryeministri i këtij vendi, ku ndodhin ngjarje të tilla, ku njerëzit vdesin në përpjekje për të jetuar, fajësoi mediat, për të cilat sipas tij ndershmëria nuk përbën lajm.

Kryeministri i këtij vendi, ku njerëzit vdesin se një i dehur lëviz me thikë në mes të qytetit, apo se një i papërgjegjshëm diku në fshatrat e Vlorës lëviz me pistoletë në brez si kaçakët e maleve, në vend të shkojë e të takojë këta njerëz të thjeshtë (që i sheh vetëm kur i duhen vota), jep leksione gazetarie nga tastiera e telefonit apo kompjuterit. Le të mos i ngatërrojmë detyrat. Nëse ajo e gazetarit është të shkruajë, ajo e Kryeministrit është t’i shërbejë popullit. Pastaj, ka detyra të bëra dhe të pabëra, të bëra mirë dhe të bëra keq, ose shumë keq…

Jo vetëm kaq. Kryeministri i këtij vendi, tashmë të përgjakur nga vrasjet dhe aksidentet, guxon që ngjarje të tilla t’i përdorë si trofe të qeverisjes së mirë dhe si histori suksesi apo kërcënimi, sipas interesit.

Jetoj në një vend ku do doja që ndershmërinë të mos e shihja si lajm, por si realitet e fatkeqësisht nuk mundem, kur shoh që njerëzit e ndershëm janë më të pambrojturit. Nuk bëj pjesë tek ata që vendosin syze gri për të parë jetën, por sot nuk mundem të vendos as syzet rozë, kur shoh se në më pak se një javë tre persona vdesin ne vendin e tyre të punës, në përpjekje për të qenë të ndershëm deri në fund, ndërsa familjet e tyre presin përgjigjen: përse u vranë? Kush do t’ua japë këtë përgjigje?/opinion.al

Share: