Home KRYESORE JA SA I KEQ ËSHTË KODI ZGJEDHOR I SHQIPËRISË

JA SA I KEQ ËSHTË KODI ZGJEDHOR I SHQIPËRISË

Nga Dr. Enriko Ceko

Kodi Zgjedhor është një ndër dokumentet më të rëndësishme ligjore, që qendron midis Kushtetutës dhe sistemit politiko-ligjor të një vendi, si një fill shumë i hollë që, përgjatë proceseve zgjedhore, ndan me konvencionet e tij të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta. Dallueshmëria e fillit varet nga disa karakteristika, që nëse mungojnë, e bëjnë Kodin Zgjedhor një dokument pa vlerë, që nuk mund të përcaktojë e saktësojë atë që në fakt kanë në mend qytetarët që kërkojnë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet e përgjithëshme, në zgjedhjet për pushtetin vendor dhe në raste të tjera referendumesh.
Një Kod Zgjedhor i mirë me fillin e tij të dukshëm përcakton qartë se cilët individë janë të thirrur (të lejuar) të votojnë dhe të votohen dhe procedurat nën të cilat këta persona duhet të regjistrohen për të votuar dhe për t’u votuar, apo të prezantojnë identifikimin e tyre në mënyrë që të votojnë dhe të votohen. Në fakt në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë edhe në këtë kërkesë elementare të themeleve të demokracisë ka pasaktësi dhe evazivitet dhe kjo bën që individë të shumtë të kenë shansin që të votojnë atje ku nuk u takon dhe /ose të kandidojnë edhe nëse nuk u takon dhe këto mangësi i kanë vërtetuar më së miri pothuajse të tëra proceset zgjedhore në Shqipëri, ku eksponentë, anëtarë, simpatizantë, ndjekës të dy partive kryesore kanë votuar dhe janë votuar në forma, mjete, mënyra dhe rrugë nga më të ndryshmet që nuk janë të përshkruara në kodin zgjedhor ose që janë përshkruar në këtë kod, por që janë mjete, rrugë, mënyra dhe metoda jo serioze votimi dhe kandidimi, të cilat jaë bërë që në zgjedhje të marrin pjesë si kandidatë dhe edhe të fitojnë individë që nuk u takon të jenë të zgjedhur.

Në një Kod Zgjedhor modern dhe cilësor shkruhet e zezë mbi të bardhë se cilët janë personat që mund dhe duhet të kandidojnë për të qenë drejtues të zyrave të shtetit e të pushtetit lokal, duke përfshirë këtu edhe moshën, rezidencën, kërkesat e shtetësisë e nënshtetësisë si dhe procedurat nën të cilat kandidatët duhet të shfaqen gjatë procesit zgjedhor si dhe rregullat që qeverisin kandidimin, të cilat në fakt në Kodin Zgjedhor aktual i Shqipërisë lenë shumë për të dëshëruar për të mos thënë që janë shumë joprofesionale. Këtë e vërteton edhe niveli i vetë të zgjedhurve që kemi si në Parlament (ku ka deputetë që nuk kanë thënë një fjalë të vetme në seancat parlamentare dhe deputetë të korruptuar dhe që janë pjesë e krimit të të tëra natyrave) ashtu dhe në zyrat e pothuajse të tëra bashkive të vendit ku gëlojnë paaftësia, korrupsioni, paedukata dhe njerëzit e pakualifikuar.
Një Kod Zgjedhor që synon që nëpërmjet zgjedhjeve qytetarët të kenë shansin që të përzgjedhin midis tyre njerëzit më të mirë dhe më të aftë, me fillin e tij të dukshëm përcakton edhe kuadrin nën të cilin partitë politike organizojnë zgjedhjet e tyre të brendëshme dhe përcakton edhe mënyrat e mjetet se si partitë politike i përzgjedhin kandidatët e tyre për procesin zgjedhor, gjë që në fakt në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë duket se mungojnë tërësisht apo janë shkruar tutje – tëhu, copa – copa, këtu – atje dhe kjo mesa duket që kush të ketë mundësinë të gjejë shesh, le të bëjë përshesh.

Fakti se zgjedhjet brenda partive kryesore politike në vend janë bërë objekt kritikash dhe pakënaqësisht të shumta dhe fakti se në partitë e vogla – pjesë të dy grupimeve të mëdha politike në vend ka kohë që shohim po ato fytyra e po dëgjojmë po ato zëra, tregon se askush në këto parti dhe koalicione nuk ka ndërmend që të vendosë në Kodin Zgjedhor elementin e përzgjedhjes paraprake cilësore dhe serioze brenda partive politike të atyre që duhet të përfaqësojnë qytetarinë si në Parlament ashtu dhe në pushtetin vendor.
Financimi i zgjedhjeve, dhënia e kontributeve, kufizimet për këto financime, rregullat për financimin publik të zgjedhjeve, garantimi i fshehtësisë së kontribuesve që ligji lejon, rregullat që qeverisin ndërhyrjen e grupeve të interesit, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me kandidatët që marrin pjesë në fushatë dhe që e organizojnë atë, etj, janë elemente shumë të rëndësishme që e kthejnë një Kod Zgjedhor në një parakusht për procese të ndershme dhe serioze zgjedhore.

Në fakt Kodi Zgjedhor i Shqipërisë nuk bën fjalë saktësisht për gjëra të tilla. Financimi i partive politike në vend është subjekt dyshimesh dhe thashethemesh përderisa kjo dukuri asnjëherë nuk është parë me sy kritik dhe me seriozitetin që i takon.

Një Kod Zgjedhor i mirë përcakton rregullat dhe kërkesat për krijimin e zonave që zgjedhin përfaqësuesit në parlament. Në rastin e vendit tonë kjo është pak a shumë e anashkaluar me disa nga zgjedhjet e fundit parlamentare, që patën si bazë listën partiake dhe gjithashtu është fakt se në pothuajse të tëra zgjedhjet e mëparshme, në procesin e krijimit të zonave zgjedhore ka munguar tërësisht apo pjesërisht konsensusi dhe kjo edhe për shkak të përvojës së mangët të grupimeve politike për këtë çështje si dhe mungesa e informacioneve për prirjet politike të zonave zgjedhore në vend. Në rastin e zgjedhjeve që janë përcaktuar për t’u zhvilluar në 18 Qershor, përcaktimi i kufijve të zonave zgjedhore nuk është bërë pjesë serioze e debatit për Kodin Zgjedhor sepse mesa duket të paktën njëra nga partitë politike është totalisht e papërgatitur për këtë dhe një nga arsyet kryesore që nuk pranon të hyjë në votime është se nuk e njeh aspak situatën në vend dhe ndryshimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në elektoratin shqiptar.

Në Kodet Zgjedhore moderne, nëpërmjet fillit të tyre të dukshëm qartësisht, përcaktohen kufizime shumë të ashpra për advokacinë e fushatave elektorale. Një nga elementet kryesore të padëshërueshme të fushatave zgjedhore janë reklamat false dhe reklamat anonime. Është mjaft interesant fakti se në të tëra proceset zgjedhore të këtyre 27 viteve të fundit, si në ato të pushtetit qendror, ashtu dhe në ato të pushtetit vendor, ky element i fushatave zgjedhore është vënë re në masivitet, ku ja vlen të theksohen zgjedhjet e fundit ku në mjaft qytete kryesore u vunë re elemente të pastra të reklamave false dhe reklamave anonime, gjë që përbën një element më shumë për rishikimin e Kodit Zgjedhor aktual nën dritën e zhvillimeve të fundit në vend, sepse reklama false dhe reklama anonime, kombinuar me financimet e paligjshme përbëjnë një pjesë të burimit të përzgjedhjes jo të përshtatshme të njerëzve që na drejtojnë dhe që marrin vendime për jetën tonë dhe jetën e pasardhësve tanë.
Kodi Zgjedhor duhet të përcaktojë qartë mënyrën dhe mjetet se si numërohen votat përgjatë procesit dhe se si informacioni i procesit të votimit paraqitet tek votuesit.

Gjithashtu Kodi Zgjedhor duhet të përcaktojë qartë edhe mënyrën dhe mjetet se si llogariten votat në proces, si rillogariten ato dhe nëse mund të bëhen apo jo ndryshime në proces edhe në numërimin edhe në llogaritjen e votave. Meqënëse Kodi Zgjedhor i Shqipërisë nuk shprehet qartë për këtë (dhe kjo mesa duket sepse dy partitë politike në vend nuk kanë dashur me koshiencë që t’i përcaktojnë qartë këto elemente të kodit, sepse duan që t’ja hedhin fajin njëra tjetrës dhe në rast të humbjes të kenë një shans më shumë për qaravitje e qurravitje paszgjedhore) lihet shkas për veprime evazive dhe të papërcaktuara, që lejohen apo nuk lejohen (siç është rasti i numërimit të votave në kutitë “e gabuara”), veprime të cilat bëjnë që pala e cila është në fuqi të ketë shansin për të krijuar precendentë, që ndoshta në zgjedhjet e ardhëshme mund t’i kthehen si bumerang.

Një Kod Zgjedhor serioz dhe cilësor duhet të përkufizojë qartë se si dhe kur votuesit dhe kandidatët mund të bëjnë ankimime ligjore për të kërkuar të drejtat e tyre apo për të kundërshtuar rezultatet e procesit zgjedhor dhe kjo bëhet duke përkufizuar saktë dhe qartë atë se ç’farë përbën vjedhje elektorale dhe krime të tjera kundër sistemit elektoral, gjë që nëse nuk është e saktë krijon parakushte për ankesa nga më të ndryshmet të palëve që e zgjasin e zgjasin procesin pa fund, siç ndodh rëndom në Shqipëri.

Në një Kod Zgjedhor cilësor duhet që të tregohen në mënyrë eksplicite burimet e Kodit Zgjedhor, që sipas praktikës më të mirë botërore dhe modeleve moderne janë: kushtetuta, vendimet gjyqësore të mëparshme dhe ndërthurja e këtyre burimeve ligjore. Në fakt, në procesin paszgjedhor të ankimimeve vihet re se institucionet përkatëse që kanë tagrin për të përcaktuar të drejtën e palëve në ankimim, përdorin argumente dhe arsyetime që nuk gjenden në Kushtetutë dhe në vendimet gjyqësore të mëparshme, por përdorin koncepte, procedura dhe precedentë që vijnë nga burime të tjera ligjore, që nuk janë përcaktuar si të tilla për zgjidhjen e ankimimeve zgjedhore dhe që nuk kanë qenë të përmendura në Kodet Zgjedhore të mëparshme, gjë që tregon në fakt edhe paaftësinë e personave që punojnë në këto institucione dhe për më keq edhe konotacionin politik të tyre, kur ata janë betuar e përbetuar kur janë emëruar në ato detyra se do marrin vetëm vendime të bazuara në ligj dhe në mbrojtje të interesave kombëtare, pa ndikim politik apo edhe ndikim të ndonjë natyre tjetër të paligjshme.

Këto janë ato pak a shumë ato elemente që bëjnë dallimin midis një Kodi Zgjedhor të mirë dhe të keq, që ndërthuren mjaft ngushtë me paaftësinë e juristëve të dy grupimeve kryesore politike në vend, që me paaftësinë e tyre bëjnë që të papunët e këtij vendi të kenë me se të merren nëpër kafenetë e shumta anembanë Shqipërisë.

Është në dorë të qytetarisë shqiptare që të vendosë nëse do shkojë në zgjedhjet e ardhëshme me Kodin Zgjedhor aktual apo me një Kod Zgjedhor të ri, modern dhe serioz, pasi sa i përket dy partive politike kryesore në vend duket se asnjë prej tyre nuk ka ndërmend të bëjë një Kod Zgjedhor që mund t’a çojë vendin në një konfigurim të ri politik, sepse në këtë rast mund të humbasin karriget si në pushtetin qendror ashtu dhe në atë vendor. Në këtë rast, është qytetaria ajo që zgjedhjet e ardhëshme duhet t’i përdorë si një mjet që vendi të ketë një Kod Zgjedhor të ri dhe të mirë, me një fill të dukshëm dhe të qartë që i ve kufirin te thana dukurive të padëshërueshme të deritanishme përgjatë proceseve zgjedhore në Shqipëri, për të patur shansin që të votojmë për të zgjedhur midis nesh njerëzit më të mirë, më me shkollë e më të pakorruptuar, që i dinë hallet e qytetarëve dhe që dinë edhe se si t’i japin drejtim punëve të shumta që kemi përballë në rrugën e zhvillimit dhe integrimit, njerëz që të mos shikojnë vetëm xhepin e tyre dhe të të afërmve të tyre, por përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës të të gjithë pjestarëve të shoqërisë shqiptare.

Share: