Refugjati

Refugjati

0

Nga Ilir Kalemaj

I endur dritë-hijeve të ndërgjegjes së paqetë,
vulë-humbur,
si njeriu pa hijen e vet.

Endet në rrjetën e merimangës
që e zhyt ngadalë në ftohtësinë e vetmisë
ndjehet gjithë kohën i braktisur,
ndonëse gjendet mes njerëzisë.

E shtyjnë drejt rrotës së fatit absurd,
ku fundi i tmerrshëm
përballet me tmerrin pa fund.

Mëson të fluturojë, por përballet me Hadin
liria ka çmimin e saj të pakthyeshëm,
lë pas dinjitetin si një copë robe të vjetër,
lufton të kapërcej fatin e vajtueshëm,
me shpresë se ka për të një jetë tjetër.

Do të harrojë,
të humbasë,
për t’u ringjallur sërish,
si Feniksi i mitologjisë.

Të feksë mbi të drita e humanizmit,
të ndjejë një dorë që e tërheq,
përtej mureve
dhe barrierave gjëmbaçë,
të ndjejë që një ditë do të kthehet,
në vendin që ja kanë zhytur në gjak.

Nga krejt poret jeta i jehon,
më e fuqishme se çdo instinkt,
kapet fort me thonj pas ëndrrave,
si deti kur rrok shkëmbinjtë.

@copyright Ilir Kalemaj

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY