Home KRYESORE Shqipëria është “shtatzënë” me revoltë te madhe. Pa “çezarian” nuk mund të...

Shqipëria është “shtatzënë” me revoltë te madhe. Pa “çezarian” nuk mund të lindë!

Nga Kreshnik Osmani

Këto javët e fundit shqiptarët po ndjekin me kureshtje politike pasionante aksionin e opozitës për të rrëzuar Qeverinë. Atë që është edhe përgjegjëse për këtë “shtatëzani të padëshiruar” që quhet zemëratë, zhgënjim e mëri.  Ishte shpresa që u ngjiz dehur atë natë të nxehtë Qershori të 2013-tës në emër të Rilindjes, por që rezultoi babëzi e korrupsion i rilindur, ndaj dhe përfundoi në zemëratë popullore e mëri.

Shqiptarëve nuk u doli ajo ç’ka meritueshëm prisnin dhe opozita përfitoi nga rasti, ashtu siç duhet të bëjë normalisht dhe doli ta bëjë “lindjen” e revoltës në rrugë.
Pë të qenë të sinqertë, kjo revoltë është ushqyer aq shumë (në plaçentën e Rilindjes) gjatë gjithë këtyre muajve me vjedhurina, sa pesha e saj e madhe e pamundëson teorikisht një lindje natyrale. Shkurt, ka nevojë për një ndërhyrje çezarian. Shqipëria ka “lindur” edhe herë të tjera përmbysje të mëdha, sa herë ka patur shtatëzani të padëshiruara me historinë, por në asnjë rast ato nuk kanë ardhur nëpërmjet “lindjeve” natyrale.

Në kushte Ballkani dhe jo vetëm, një Qeveri mund ta rrëzojnë përgjithësisht; kapitali i revoltuar, gjeopolitika e destabilizuar, media e shantazhuar ose revolta popullore e mirëorientuar. Kapitali është rreshtuar me Qeverinë sepse me taksën progresiste ai po përjeton parajsën. Jo vetëm që nuk po paguan më shumë se fukarenjtë, por me marifetet e bilanceve po del vazhdimisht në humbje, ndërsa fukarenjtë, bizneset e vogla, dhe penëthyerit paguajnë gjakun e damarëve, kapitullojnë, falimentojnë, nuk paguajnë dot dritat dhe në burg përfundojnë.

Shembulli tipik (dhe jo i vetmi) i kesaj skeme është gjigandi kanadez “Bankres Petroleum” i cili vazhdon të deklarohet si humbës edhe për 2015, ndërkohë që nënkontraktorët e tij shënojnë fitime të marramendëse. Në Shqipëri, e njëjta kompani, bilancohet humbëse ndërsa në bursën Kanadeze ku është e kuotuar shënon (për Shqipërinë) diku te 150 milion dollarë fitime në vit.

Këtu fle lepuri dhe rrallëkush flet për këto punë. Ky ishte edhe mashtrimi i madh me Taksën Progresiste. Tatimet dhe doganat këtë vit janë dy hallkat më të kalbura dhe më të degjeneruara të sistemit. Prej të ardhurave të parashikuara në buxhetin e 2015, nuk janë mbledhur 31 miliadë lekë. Pra, janë (gati 250 milion euro) gropë për një vit. Gropë në të ardhura, do të thotë që Qeveria të marrë më shumë borxhe nga jashtë për të mbuluar gropën. Eshtë një vrimë që e mbulojmë duke e paguar unë dhe ti. Jo më kot kryeministri bashkë me ministren e Kulturës dekoruan një ditë më parë me Titullin e Vitit, “Vrimën” e mbushur me eros aspak artistik që ata të dy i thonë poezi. Mos të bëhemi naivë. Gjithçka e thotë kryeministri e ka një simbolikë. Ai na tall të gjitheve me gjestet e veta dhe ne themi, sa bukur flet ai.

Sistemi bankar, nga ana tjetër, shënon rekorde fitimesh këtë vit. Eshtë biznesi më fitimprurës në Shqipëri. Nga vijnë fitimet e mëdha në kohë krize?! Shumë e thjeshtë është. Pijnë gjakun tënd dhe gjakun tim. Ulje drastike e kostos së biznesit, nëpërmjet uljes katastrofike të normave të interesit të depozitave të qytetarëve dhe nga ana tjetër rritje drastike e normave të interesit të kredisë. Kjo nuk do shumë shkollë për t’u kuptuar. Pjesa tjetër, pra diferenca, shkon në xhepin e biznesit bankar dhe askush nuk kërkon llogari.

Nevoja gjeopolitike rajonale për rotacione politike akrobatike nuk duket se ka, të paktën për një të ardhme të afërt të dukshme në horizont. Faktori media është plotësisht nën kontrollin e Qeverisë dhe qarku mbyllet pikërisht këtu.

Në mungesë të përkrahjes së faktorëve të mësipërm, në krah të opozitës mbetet vetëm revolta në rritje e popullit opozitar.

Deri tani, përveç retorikës “të ikni ju që të vijmë prapë ne” nuk po shoh prej opozitës diçka të re. Shoh aty këtu, përpjekje ambiciozësh të rinj që i luajnë syun kryetarit të ri të opozitës, për një vend në listat e ardhshme të kandidimit për deputet dhe asgjë më shumë. Shoh gjithashtu, një përpjekje jo të pavetëdijshme nga Partia Demokratike për ta mbyllur rrethin politik të opozitës, duke i dhënë kornizës së revoltës herë pas here ngjyra monopolizuese partiake.

Revolta është e madhe, ndaj ajo nuk mund të ketë një lindje natyrale. Nuk mund të jetë aq natyrale sa t’u themi njerezve:”do të hamë disa ditë mish gjel deti, do të pijmë verë dhe do të kthehemi sërish në protestë një ditë”. Nuk është halli i shqiptarëve kur do të pajtohet Topalli me Bashën, dhe as çfarë korentesh ka brenda koridoreve të PD-së, por çfarë do të ndodhë kur të mbarojë kjo protestë?! Çfarë do të ndodhë nëse largohet kjo Qeveri?!

Shqipërinë e kanë kapur dhimbjet, i kanë “plasur ujërat” dhe i ka ardhur koha për të lindur ndryshim të madh historik. Një lindje politike “çezarian” e revoltës do të thotë krijimi i kushteve të klinikës së opozitÄ“s së bashkuar, për një “prerje sterile” horizontale dhe vertikale të shkaqeve të revoltës dhe më pas për një “qepje” të platformave alternative. Kjo arrihet fillimisht, duke i emërtuar saktë ciklet e formësimit dhe të rritjes së revoltës dhe më pas duke i dorëzuar popullit “maketin” e plotë të projektit opozitar. Populli nuk mund të pranojë për projektin e ndryshimit, vetëm një identikit. Në pamundësi të krijimit të këtyre kushteve me dhimbje iu duhet edhe ju bashkë me mua të besoni, se nuk do të mund ta lindim revoltën, por do të përballemi sërish me një dështim…!!!

Share: