Home KRYESORE Përfundon afati për formularin A2, ja kur shpallen fituesit në Universitete

Përfundon afati për formularin A2, ja kur shpallen fituesit në Universitete

Ka përfunduar afati për të gjithë maturantët të cilët kërkonin të ndryshonin degë apo të korrigjonin pasaktësitë në formularin A2. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka mbyllur këtë procedurë dhe tashmë rreth 27 mijë maturantë duhet të presin publikimin e listës së fituesve.

Sipas udhëzimit që ka miratuar Ministria e Arsimit, fituesit në universitete do të shpallen në 5 shtator. Menjëherë pas publikimit të listës, fituesit duhet të shkojnë të bëjnë regjistrimin paraprak në degën që kanë fituar. Kush nuk regjistrohet, hiqet nga listat e fituesve. Pas mbylles së regjistrimeve, do të publikohen kuotat e lira në çdo degë dhe për plotësimin e tyre do të jetë raundi i dytë.

Siç bëhet e ditur nga Ministria e Arsimit, në raundin e dytë, maturantët që nuk kanë fituar, apo ata të cilët kërkojnë të fitojnë një degë më të mirë, mund të zgjedhin programe studimi të tjera, kjo do të thotë se lista e 10 degëve që janë zgjedhur me formularin A2, mund të ndryshohet, në mënyrë që çdo kandidatë të ketë mundësi të fitojë të drejtën e studimit në universitetet publike apo private.

Në raundin e dytë do të aplikojnë edhe maturantët mbetës në një nga provimet e maturës, por që marrin notë kalues në testimin që do zhvillohet në muajin shtator. Ndërsa fituesit e raundit të dytë do të publikohen në 4 tetor.

Share: