Home KRYESORE Shteti që na duhet dhe e ardhmja e shqiptarëve

Shteti që na duhet dhe e ardhmja e shqiptarëve

Nga Grid Rroji

I. Hyrje

Duke shtruar pyetjen “si ndërtohet shteti?” kolegia Enida Bozheku hapi një debat shumë të dobishëm e të domosdoshëm mbi rolin e shtetit në shoqërinë shqiptare dhe mënyrën me të cilën mund dhe duhet të ndërtohet shteti i shqiptarëve. Debati për shtetin, rolin e tij në shoqëri si dhe formën strukturore të shtetkombit është një pike kyçe e debatit në këtë pikë kthese për të ardhmen e shqiptarëve. Më poshtë, pa pretenduar të paraqes apo t’ u jap përgjigje të gjitha debateve dhe pyetjeve në këtë fushë të shumëlëvruar, do të jap disa mendime të miat mbi këtë çështje duke u ndalur veçanërisht tek ato aspekte të shtetndërtimit që garantojnë legjitimitetin e shtetit si dhe rolin e pazëvendësueshëm të identitetit për pranimin e ushtrimit të dhunës legjitime nga shteti.

Qëllimi im është të kontribuoj në një debat të shëndetshëm mbi shtetin dhe rolin e tij për shqiptarët, i cili është i domosdoshëm në këtë pikë kritike për Shqipërinë. Pasi të shtjelloj disa mendime mbi rëndësinë e shtetit në organizimin e shoqërisë bashkohore, do të ndalem në disa nga teoritë më të përhapura të shtetndërtimit duke evidentuar pikat kryesore. Më tej do të shtjelloj arsyet pse përgjigjet më të plota në këtë pikëvështrim i japin teoritë kombëtariste, rolin e parisë së Tiranës në dështimin dhe shmangien e ndërtimit të strukturave shtetërore të duhura gjatë tranzicionit, dhe do të përfundoj duke dhënë gjykimin tim mbi llojin e shtetit që na duhet për ti rezistuar trysnive të brendshme e të jashtme në kohët e sotme.

II. Teoritë e Shtetit dhe roli i tij në shoqëri

Roli i shtetit është kyç në mbarëvajtjen e një shoqërie moderne si një bashkësi strukturash me karakter autoritar, të cilat garantojnë pikësëpari sigurinë vetjake të qytetarit, por edhe fiksojnë dhe zbatojnë një seri rregullash të funksionimit të shoqërisë. Shumica dërrmuese e studiuesve janë dakord se strukturat shtetërore kombëtare luajnë një rol qëndror në ndërtimin e shoqërive të stabilizuara dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Më konkretiksht, të gjitha vendet me ekonomi dhe sistem politik të zhvilluar e të qëndrueshëm si SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe etj. kanë një shtet të fortë me struktura të konsoliduara, të cilat mbrojnë pa mëdyshje e me forcë interesat shtetërore dhe kombëtare pavarësisht luhatjes së udhëheqësisë të diktuar nga sistemi demokratik i përzgjedhjes së drejtuesve të shtetit. Nga pikëpamja e shtetndërtimit, edhe shtete të cilat nuk e kanë arritur nivelin ekonomik të mirëqenies të shteteve perëndimore si Rusia, Kina, Brazili, India etj., kanë ndërtuar struktura të konsoliduara shtetërore të cilat shërbejnë si për të kontrolluar pushtetin, mbrojtur interesat kombëtare përkatëse ashtu edhe për të garantuar ndikimin e këtyre vendeve në arenën ndërkombëtare. Thënë shkurt, shteti është struktura dominuese shoqërore në botën bashkohore.

Ka disa shkolla mendimi mbi origjinën dhe rolin e shtetit në shoqëri. Shumica e studiuesve të shtetit bashkohor e fillojnë analizën tek diagrama socio-politike e Maks Veberit, e cila e sheh shtetin si një aparat burokratik hierarkik që synon të marrë monopolin e dhunës së ligjshme mbi qytetarët brenda një territori caktuar. Shteti përkufizohet nga kufij të përftueshëm dhe të qëndrueshëm, popullata brenda territorit, aftësia e një grupi brenda territorit për të qeverisur në mënyrë autonome dhe njohja nga shtetet e tjera si bashkësi sovrane. Sipas Veberit, strukturat shtetërore janë institucione të cilat marrin përsipër ekskluzivitetin e dhunës së ligjshme mbi qytetarët me qëllim ruajtjen e ekulibrave shoqërorë. Më tej, Veberianët argumentojnë se burokratizimi i strukturave të shtetit krijon institucione dhe ekulibre të qëndrueshme institucionale, të cilat nuk varen nga pushteti por punojnë për të mbrojtur interesat autonome të shtetit. Po ashtu, zeitgeisti i shtetit është nevoja e shoqërisë për të racionalizuar proçeset e qeverisjes dhe pritshmëritë e qytetarit. Kësisoj, funksionet e shtetit përfshijnë vendosjen e ligjeve, mbrojten e sigurisë publike, mbrojtjen e interesave të veçanta individuale të sanksionuara me ligj, mirëfunksionimin e sistemeve të arsimimit dhe mbrojtjes shoqërore, si dhe mbrojtjen e territorit të shtetit nga rreziqet e jashtme. Pra, Veberi na jep skeletin e një shteti modern. Por forma strukturore nuk është i vetmi aspekt që përcakton shteti. Historia e shtetformimit ka një rëndësi po aq themelore.

Nga një pikëvështrim historik, Çarlls Tilli arrin në përfundimin se shteti modern në Evropën perëndimore u ndërtua si pasojë e proçeseve të dhunshme të udhëhequra nga strukturat ushtarako-financiare, të cilat patën sukses në konsolidimin e pushtetit nëpërmjet shtetit. Tilli ripohon kësisoj karakterin e shtetit si një aparat burokratik i ushtrimit të dhunës së ligjshme nga disa shtresa të caktuara të shoqërisë në bashkëpunim të ngushtë me njëra tjetrën. Kjo dhunë legjitimohet mëpastaj me anë të konsolidimit të strukturave që garantojnë qëndrueshmërinë e shtetit dhe parimeve që i udhëheqin këto struktura. Në të njejtën frymë mendimi, Openhajmeri argumenton se shteti perëndimor u krijua në këtë formë dhe në këtë mënyrë për të konsoliduar raportet e pabarabarta midis popujve të ndryshëm të krijuara nga proçeset pushtuese dhe kolonizuese. Pra për këtë grup studiuesish fokusi është tek aktorët e veçantë brenda strukturave shoqërore feudalo-kapitaliste, të cilët qenë të aftë të ushtrojnë dhunën e duhur për të vendosur autoritetin absolut të shtetit si aparat eksluziv të dhunës së ligjshme.

Nisur nga një analizë klasore, një grup studiesish marksistë kanë evidentuar se sidomos kur shteti ngrihet mbi rrënojat e shtetit kolonial, i cili kishte për qëllim të deklaruar sundimin e shtetit amë mbi territorin e kolonizuar, elitat vendase të dala nga revolucionet çliruese e përdorin strukturën koloniale për të krijuar sundimin e tyre mbi klasat e varfra duke rikrijuar marrëdhënien hegjemonike të kolonive. Sipas Jang-ut, në Afrikën e dekolonizuar hegjemonia e jashtme u zëvendësua nga një hegjemoni e brendshme e elitave, e cila i përgjigjet nevojës së elitave për të mbajtur pushtetin ekonomik dhe politik edhe duke përdorur të ashtuquajturin “shteti i lëmoshave”, si dhe për të mbajtur pjesën tjetër të shoqërisë nën sundim. Në të njejtën frymë, Mamdani argumenton se shteti post kolonial është i dyzuar, me një palë rregulla për qendrën ku jetojnë elitat e perëndimorizuara që kontrollojnë burimet ekonomike, financiare dhe politike të vendit, dhe një palë rregulla të tjera për zonat ruralo-tribale të cilat përdorin mekanizma më tradicionalë për të ruajtur kompaktësinë shoqërore. Disa marksistë të tjerë si Kardozo pohojnë se dështimi i shteteve post-koloniale i detyrohet vazhdimësisë së raporteve ekonomike të varësisë nga ish kolonizuesit, të cilët megjithëse u larguan, ruajtën raporte të privilegjuara ekonomike me ish kolonitë e tyre.

Teoricienët e zgjedhjes racionale përqëndrohen tek roli i individit dhe përdorimin e arsyes në raport me interesin vetjak. Sipas racionalistëve, shteti përcaktohet në bazë të dy lloje kufizimesh: kufizimet që vijnë nga interesat dhe ato që vijnë nga institucionet. Sipas tyre, çdo individ vepron në bazë të arsyes për të maksimizuar interesin vetjak, dhe institucionet janë rrjedhojë e puqjes së interesave të shumë qytetarëve racionalë. Si pasojë, teoritë e zgjedhjes racionale përshkruajnë shumë saktë disa nga proçeset që kanë të bëjnë me ndërveprimin midis shtetit, elitave dhe pushtetit, si për shembull rolin, interesat dhe sjelljen e elitave, si dhe e shpjegojnë pranimin e mekanizmave shtrëngues të shtetit me anë të mekanizmave të arsyetimit racional.

Institucionalistët, si ata të shkollës së zgjedhjes racionale ashtu edhe ata që përdorin paradigmën e institucionalizmit historik, theksojnë rolin e rëndësishëm të institucioneve si struktura autonome që ndikojnë sjelljen e individëve. Siç shpjegojnë Holl dhe Tejlor, në të tria ravijëzimet e tij institucionalizmi tenton të shpjegojë proçeset e konsolidimit të strukturave shtetërore me anë të formëzimit dhe konsolidimit të institucioneve dhe legjitimitetit të tyre. Mirëpo, në ndryshim nga racionalistët, institucionalistët historikë marrin në shqyrtim historinë, vlerat, traditat dhe kthesat historike të popujve të ndryshëm, për të analizuar cilësinë dhe shkallën e qëndrueshmërisë dhe legjimitetit të shteteve.
Në mënyrë të ngjashme me institucionalistët historikë, disa studiues të cilët e bazojnë argumentin mbi ndërtimin e shtetit tek forma e strukturave shoqërore specifike për vende dhe popuj të ndryshëm, si bie fjala Xhoel Migdal, japin një ndihmesë të vyer për të kuptuar më në thellësi proçeset dhe arsyet e pranimit të legjitimitetit të shtetit si mekanizëm shtrëngues dhe autoritar nga popuj të ndryshëm. Shteti është një mekanizëm autoritar i cili nuk mund të qëndrojë në këmbë apo të pranohet nga masa e qytetarëve pa patur në vazhdimësi legjitimitetin e duhur. Migdal argumenton se në varësi të grimcimit shoqëror, shtete të ndryshme kanë aftësi të ndryshme pranimi të autoritetit të shtetit. Mënyra e vetme me të cilën shtetin e fiton legjitimitetin në vazhdimësi në një territor të caktuar është pra për këtë rrymë mendimtarësh e lidhur katërcipërsisht me strukturën e shoqërisë. Ndërsa veberianët shpjegojnë deridiku mirë shtetet e forta, komunitarët përpiqen të shpjegojnë shtetet e dobëta. Duke njohur legjitimitetin e shtetit si pikë qëndrore në pranimin e tij nga masa e gjerë, ky grup studiuesish bën një lidhje të qartë midis shtetit si strukturë shtrënguese dhe prirjes së popullit për t’a pranuar autoritetin e tij.

III. Identiteti si aspekt themelor i legjitimitetit te shtetit.

Ajo që në gjykimin tim mungon në të gjitha këto teori të shtetformimit, është përgjigja ndaj pyetjes pse duhet që qytetarët të pranojnë ushtrimin e dhunës nga struktura shtetërore? Cilat janë mekanizmat nëpër të cilat kalon procesi i pranimit të legjitimitetit të shtetit si strukturë themelore autoritare për popuj të ndryshëm, me histori dhe zakone të ndryshme, të cilat kanë objektiva të ndryshëm nga njëri tjetri? Çfarë roli luan identiteti në këto proçese?
Përgjigjen e jep në gjykimin tim koncepti i shtetkombit. Ndërsa shteti është një koncept politik dhe nëse dëshirojmë edhe gjeo-politik, kombi përfaqëson një bashkësi etnike, kulturore dhe gjuhësore me identitet të përcaktuar qartë. Me pak fjalë, njeriu është qenie shoqërore dhe si e tillë organizohet në bashkësi. Me kohë, këto bashkësi fitojnë trajta të përbashkëta etnike, gjuhësore, dhe kulturore të cilat përcaktojnë kufijtë e vetë bashkësisë, pra një identitet të qartë e të qëndrueshëm. Pra, me kohë formohet kombi. Më anë tjetër, paralelisht me formimin e kombit, shteti me autoritetin e vet të padiskutueshëm është verifikuar prej disa shekujsh si struktura më efikase dhe e dobishme për qeverisjen e një territori. Siç e thamë më lart, për të qenë i efektshëm në kryerjen e funksioneve të tij, shteti duhet të jetë legjitim në vazhdimësi. Pra, shteti efektiv duhet të gëzojë mbështetjen e bashkësisë në vendosjen e shtrëngesave dhe të garantojë zbatimin e tyre me anë të përdorimit të dhunës së ligjshme. Rrjedhimisht, shtetet efikase dhe funksionale janë për kombin mburoja më e mirë për interesat e bashkësisë. Më anë tjetër, shteti si përdorues i dhunës së ligjshme, sidomos në një kontekst demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të shtetit, mund t’i mbijetojë kundërshtive të brendshme vetëm nëse ka si bazë morale për ekzistencën e vet interesat kombëtare. Kombi është për shtetin benzina e motorit të legjitimitetit, ndërsa shteti është për kombin parzmorja që mbron identitetin kombëtar nga rreziqet e jashtme dhe të brendshme. Për t’a përmbledhur, shteti gjen legjitimitet tek kombi kur përqafon dhe mbron pa kompromis interesat kombëtare dhe identitetin kombëtar. Koncepti i kombit dhe lidhja e tij e pazgjidhshme me shtetin si struktura më efikase për të përparuar interesat kombëtare dhe mbrojtur identitetin e tij, janë baza e ndërtimit të një shteti komb të konsoliduar, me struktura shtrënguese të forta e të pranuara nga e gjithë bashkësia.

IV. Shteti Shqiptar gjatë tranzicionit post-komunist.

Nëse e kthejmë vëmendjen nga Shqipëria e tranzicionit post-komunist, vërejmë qartazi se roli i parisë së Tiranës, asaj shtrese drejtuesish të shtetit të dalë nga ish funksionarë të shtetit monist dhe të plotësuar me pjesë të profesoratit dhe inteligjencës, ka luajtur rol kyç në drejtimin që i ka dhënë shtetndërtimit. Mund të konstatohet pa frikë se me dijeni të plotë dhe qëllime të qarta, paria e ndarë në grupime në dukje armiqësore me njëra tjetrën, ka vepruar si një strukturë e mirëkonsoliduar për të shmangur ndërtimin e shtetkombit, për të dobësuar shtetin shqiptar, për të anashkaluar interesat kombëtare e madje për të punuar kundër tyre, në mënyrë që të sigurojë pushtetin dhe pasurimin e shpejtë që rrjedh prej tij. Ky konstatim bazohet në disa fakte të ditura e të pakundërshtuara edhe nga vetë paria.

Pikësëpari, me rënien e regjimit terrorist të Hoxhës, vëmendja e atyre që dolën në krye të shtetit u përqëndrua tek shkatërrimi dhe jo rindërtimi i shtetit. Me gjasë, ata kuptuan se e vetmja mënyrë që të rrinin në pushtet ishte t’a përdornin shtetin për pushtet, duke shkatërruar legjitimitetin e tij. Megjithëse i vjetëruar dhe në shumë raste obsolet e terrorizues, shteti komunist ishte i ndërtuar mirë, me struktura të qarta e të konsoliduara, të cilat deri në 91shin mbronin klikën që ishte në pushtet. Udhëheqësit e rinj, të frymëzuar nga dora e vjetër e cila kërkonte thjesht një shndërrim të pushtetit të tyre nga komunist në protokapitalist, u kujdesën që t’i shkatërrojnë një nga një strukturat ushtarake, shtetërore, të inteligjencës, si dhe me teorinë vrastare të çekut të bardhë shkatërruan çfarëdolloj baze për një ekonomi kombëtare të ekuilibruar. Arsyeja e ekzistencës së shtetit shqiptar nuk u bë përparimi i interesave kombëtare, siç do ishte dashur të kish qenë, por një ideologji e vakullt e pa shumë kuptim e mishëruar në togfjalëshin “integrimi euro-atlantik”.

Me pak fjalë, shteti shqiptar i tranzicionit paradoksalisht u ndërtua për t’u integruar në ca struktura mbi shtetërore e mbi kombëtare e jo për të mbrojtur shqiptarët, për të na globalizuar e jo për të ruajtur identitetin shqiptar të shtetit, gjuhën dhe zakonet shqiptare, për të garantuar sundimin e klikave të reja, e jo për të ripërkufizuar e ripërtërirë elitat e vërteta kombëtare. Si pasojë, nëse 96 përqind të banorëve të Shqipërisë deklaroheshin shqiptarë më 1990ën, sot kemi zbritur në 84 përqind (sipas Censusit të vitit 2011), ekonomia është kaotike dhe e drejtuar nga orekset korruptive të pushtetarëve të radhës ku një klikë pesëpërqindëshe të korruptuarish e kriminelësh ordinerë zotëron mbi 90 përqind të pasurisë kombëtare (sipas Bankës Botërore 2014), kurse sovraniteti i vendit është thjesht një shaka e madhe që nxirret si bedat nga disa vetëm kur u rrezikohen privilegjet korruptive. Më tej, vendi prodhon krim dhe zvetënim sa për gjithë Evropën, dhe shoqëria ndjen peshën e rëndë të kriminalizimit. Për të ruajtur legjitimitetin, paria ka përdorur si karrotë gjatë këtyre viteve teorinë katundare “vjedhim ne, po vidhni edhe ju”, siç e shpjegon detajimisht Shenasi Rama tek libri i tij “Përrallat e Tranizcionit” (Princi 2012). Thënë shkurt, paria ka mbijetuar duke kriminalizuar në çdo qelizë ku ka mundur shoqërinë.

Pikësëdyti, justifikimi i parisë se aq ishin mundësitë apo aq dinin nuk përkon me realitetin. Shteti komunist kishte krijuar një shtresë të gjerë, sipas burimeve rreth 2000-2500 vetë, e cila e njihte shtetin, ishte besnike ndaj tij sipas parimeve Veberiane, dhe i kishte të gjitha mundësitë për të ndërmarrë modernizimin e shtetit dhe shoqërisë. Vetë prijatarët e parisë dolën nga ajo shtresë. Sali Berisha ishte doktorant në Francë, ashtu si edhe Kastriot Islami e Skënder Gjinushi. Po ashtu edhe Fatos Nano dhe Gramoz Pashko ishin dërguar nga PPSH-ja për t’u njohur me kapitalizmin dhe strukturat e tij e madje kishin bërë edhe studime të detajuara për atë punë. Pra, nuk mungonte dijenia por vullneti politik.

Më tej, Shqipëria në atë fillim tranzicioni kishte mbështetjen strategjike të një serie aktorësh ndërkombëtarë të cilët ishin të interesuar që Shqipëria të shndërrohej në një pikë të fortë strategjike perëndimore. Një elitë kombëtare e përgjegjshme do t’a kishte shfrytëzuar kontekstin pozitiv ndërkombëtar në favor të ndërtimit të shtetit kombëtar shqiptar dhe mbrojtjes së interesave kombëtare për shkak se siç e shpreha më sipër kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një shtet efektiv. Vështirësitë për parinë ishin po ashtu të mëdha, por jo më të pakapërcyeshme se ato të elitave të tjera në situata të ngjashme si bf. Koreja e Jugut më 1950 dhe Sllovenia më 1990. Dështimi i parisë pra ishte teorikisht i parashikueshëm dhe praktikisht i paevitueshëm për shkak se ideologjia e përqafuar prej tyre ishte kryekëput në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe si pasojë anti-kombëtare.

Pra, paria e Tiranës është përgjegjësja e vetme e dështimit të shtetit shqiptar, një dështim që u vu në dukje fare shkoqur me miratimin e kushtetutës së re javën që shkoi. Përtej faktit që ende ka mosmarrëveshje mes palëve për ligjet shoqëruese dhe figurës prej republike bananesh që bënë palët kur u kacafytën pasi kishin marrë përgëzimet nga homologët ndërkombëtarë, paria bëri luftë fundore me kërcënime të një lufte guerrile a la Mujo Ulqinaku, për shkak se perceptoi se u prekeshin interesat. Paria nuk punon që t’a rrisë sovranitetin e shtetit duke i forcuar organikisht strukturat e tij, ajo lufton të ruajë aq sovranitet sa i duhet për të ruajtur kapjen e shtetit nga palët. Ajo që është e qartë është se në shtetin shqiptar nuk ka forca politike që dëshirojnë dhe kanë vullnetin për të ndërtuar shtetkombin. Siç e kam shprehur në shkrime të mëparshme armiku i vetëm ideologjik i Parisë, koncepti që konkurron me kontrollin e plotë të të gjitha levave të komunikimit dhe kontrollit të tyre mbi shtetin e drobitur shqiptar është kombëtarizmi. Ndaj edhe lufta ndaj tij është e fortë, shumëplanëshe dhe tejet e sofistikuar.

VI. Ne vend te perfundimit

Në përfundim, rruga që duhet ndjekur për të krijuar struktura shtetërore të qëndrueshme, të konsoliduara dhe legjitime është e qartë. Shqiptarët kanë nevojë për një shtet të shqiptarëve, prej shqiptarëve e për shqiptarët. Fqinjët tanë në rajon ka kohë që e kanë adoptuar këtë devizë dhe në këtë pikë shqiptarët janë shumë të vonuar. Një shtet i tillë do të mund të ndërtohej vetëm nëse do të përqafohej projekti i ndërtimit të shtetkombit shqiptar, me mbështetje të gjerë popullore. Trysnia e ushtruar nga poshtë është shndërruar në pikën ku jemi, në kyçin e vërtetë të zgjidhjes së çështjes së shtetkombit shqiptar për shkak të kontrollit të fortë të palëve të parisë mbi të gjitha hallkat e shtetit dhe pushtetit. Pa një shtysë nga poshtë, në gjykimin tim do të jetë e pamundur që të formëzohet vullneti dhe përfaqësimi i duhur politik që do të mundësonte ndryshimin. Shteti që na duhet është shtetkombi i shqiptarëve, sepse vetëm interesi kombëtar do të mund të garantojë ruajtjen e legjitimitetit të strukturave shtrënguese e autoritare të tij, të cilat janë të domosdoshme. Shqiptarët mund të pranojnë shtrëngime për hir të ruajtjes së identitetit të tyre shekullor dhe përparimin e interesave kombëtare. Duke marrë parasysh historinë, besoj se do të jetë e vështirë që ata të pranojnë një shtet me burime eksogjene legjitimiteti. Rruga është e qartë, dhe unë uroj që shqiptarët t’a kenë kuptuar se koha është tani.

Nju Jork, 27 Korrik 2016

Share: