Home KRYESORE Turist apo thjesht Hutaq impulsiv?

Turist apo thjesht Hutaq impulsiv?

Nga Dritan Shano

Vështire se ka turistë në Shqipëri, ka vetëm udhëtarë hutaq që enden 1-3 ditë vërdallë -askush prej tyre nuk kthehet më!

Turizmi, edhe pse lidhet me çlodhjen dhe qejfin, është një biznes serioz dhe i komplikuar. Ai është një sektor përfundimtar, mbi numrin dhe çmimin e shtretërve të së cilit gërshetohen: ekzistenca, disponibiliteti, dhe cilësia e infrastrukturës, shërbimeve dhe industrise së ushqimit dhe dëfrimit.

– Por a kemi ne një infrastrukturë rrugore, ajrore, detare që nxit turizmin?

– A kemi ne shërbime si energji, ujësjelles, kujdes shëndetësor, broadband që nxisin turizmin?

– A kemi ne një industri të dëfrimit si kinema, teatro, koncerte, kabare, parqe lodrash dhe natyrore, trashëgimi kulturore etj., në shërbim dhe nxitje të turizmit?

– A kemi ne shërbime turistike, guida, informacione që e nxisin dhe strukturojnë turizmin?

– A kemi ne kapacitete hoteliere që të mund të flasim për turizëm? 1300 ndërtesa të quajtura hotele gjithsej – 3500 hotele Mali i Zi.

– Çfarë standarti janë ato që nga pastërtia e dhomës e deri tek banja jashtë në oborr, që nga pritja tek recepsioni deri tek shërbimi i kamarierit?

– A kemi ne një industri ushqimore lokale (pranë strukturave turistike) apo i importojmë ushqimet?

– A përputhet çmimi i turizmit për secilin, me atë që merr në këmbim? Për shembull, një detaj krejt anësor, pse 2 litra ujë mund të arrijnë në 300 Lek në bregdet, kur poshtë shtëpisë ne Tiranë 12 litra kushton 360 Lek?

– Kur ne themi që kemi turizem, lind pyetja (për të mos shkuar asfare larg) po Mali i zi çfarë dreqin ka?

Është e qartë që përgjigjja e ndershme ndaj këtyre pyetjeve, në këtë fazë zhvillimi ku gjendemi ne, ta ftoh çdo lloj entuziazmi. I imagjinoj përgjigjet e sinqerta, dashamirëse, ndërsa e di që nuk do ndjehesha hiç mirë nga ato më të ndezurat, qe sapo kanë lënë pas kurrizit Lungomaren e Vlorës, për shëmbull.

Por kur turizmi ynë, është ky që është, çfarë janë këta “turistat” që kuturisin në Shqipëri? Më shumë se udhëtarë aventurierë, ata që hyjnë në Shqipëri si “turistë”, janë grumbuj individësh që agjensitë turistike duket sikur i kanë rrëmbyer nëpër botë duke shfrytëzuar impulset e tyre ekzotike, dhe i sjellin në Shqipëri, i lëvizin me shpejtësi në dy tre destinacione, dhe i përcjellin me një frymë, ashtu ende “udhëtarë të hutuar”, në kufi për jashtë Shqipërisë. Në fakt, po të mos ishin Agjensitë Turistike, turistë do vetëm-quheshim ne shqiptarët.

Në këtë proçes të përballjes të udhëtarit kuturisës, të cilin për qëllime statistikore dhe propagandistike ende e quajme turist, Agjensite Turistike marrin frymë thellë të çliruara kur i thonë “turistit – hutaqit impulsiv” të tyre, mirupafshim! Të çliruara që nuk i ndodhi ndonjë aksident, të çliruara që pati ujë të ngrohtë kur ai donte të lahej, që nuk u helmua nga ushqimi apo që nuk u pa vëngër nga kamarieri; në TripAdvisor ështe arritur të shkruhet se kamarieri sillet si pronar këtu– a thua se pronarit i lejohet ndonjë mënyrë tjetër sjellje përveç shërbimit ndaj turistit?!

Mendoj se jam realist, dëshmitar, dhe inkurajues i shumë njerëzve që përpiqen të bëjnë maksimumin për të përmirësuar një pjesë të gjërave që kanë në dorë vetë, mes atyre pyetjeve të mësipërme.

Por në mënyrën time, e mendoj Turizmin si një vepër operistike ku sinkronizohen pa stonuar kontributet e shumë sektorëve të tjerë. Ndërsa ajo që me pa të drejtë e quajmë Turizëm sot në Shqipëri, nuk është ndonjë opera – ajo prapë muzikë quhet, por ende është asgjë më shumë se një Tallava e kënduar nga secili sipas qejfit.

Share: