Home HISTORIA IME Ndahet gazetarja : S’kemi pse rrimë bashkë për hir të djalit!

Ndahet gazetarja : S’kemi pse rrimë bashkë për hir të djalit!

0

E ftuar në emisionin “Vip Zone”, gazetarja e kronikës Anduena Llabani foli për profesionin qe i ka dedikuar jetën dhe sakrificat që i janë dashur të bëjë për të. Anduena ‘i ka futur këmbët’ në këtë profesion shumë vite më parë dhe ende e ushtron me pasion si ditën e parë, edhe pse një vend si Shqipëria zor se t’i ofron kushtet e duhura.

“Në atë kohë të bëje gazetari ishte shumë e vështirë dhe jam impenjuar me gjithë forcat e mia për të qenë këtu ku jam. Është shumë e vështirë vërtet. Por ndonjëherë është shumë e rëndësishme të jesh në vendin e duhur, në momentin e duhur, në kohën e duhur. Unë mund ta konsideroj veten me fat në këtë aspekt.”

Katër vite më parë Llabani solli në jetë një djalë, Aleksei, që siç ajo vetë e pranoi, ‘i zbut’ vrullin e përditshmërisë. “Dita ime është e paparashikueshme, shumë intensive, me të qeshura, me tension, me shumë miq dhe armiq. I vetmi njeri që më kthjellon dhe kthen me këmbë në tokë është Aleksei, djali im.”

E pyetur nga moderatorja e emisionit, Eva Murati, se si është marrëdhënia me babain e Alekseit, Anduena rrëfeu një sërë detajesh nga jeta personale, mes tyre, pranoi dhe ndarjen nga bashkëshorti.

“Marrëdhënia ime me babain e Alekseit është e veçantë. Ne nuk jetojmë më bashkë, prandaj Aleksei është i detyruar të ndajë kohën mes meje dhe ish-bashkëshortit. Në rastet e festave dhe mbledhjeve familjare ne jemi gjithnjë bashkë, që Aleksei të dijë që ka një nënë dhe një baba që e duan shumë, pavarësisht zgjedhjes që kemi bërë në jetë për të mos qenë më bashkë. Unë preferoj që një fëmijë të shohë nënën të lumtur që qesh dhe babain të lumtur që qesh, sesa të shohë dy prindër që jetojnë në një strehë, por nuk janë të lumtur bashkë.”

“Arditi është një mashkull perfekt. Ka qenë shumë tolerant, mbase sepse jemi njohur në momentin që unë isha në kulmin e karrierës time. Nuk është bërë kurrë pengesë, përkundrazi ka qenë një mentor shumë i mirë. Nuk ka thënë kurrë ‘pse e bërë këtë’, ose ‘ku ishe’. Është e vështirë të të pranojë një mashkull në kushtet e mia. Të çohesh në 2 të mëngjesit nga krevati, është pak absurde në një marrëdhënie, por unë kam patur gjithnjë mirëkuptimin e tij. Nuk është kjo arsyeja e ndarjes dhe nuk kemi pse kushtëzohemi nga fëmijët. Secili bën një zgjedhje në jetë, për të qenë ti i lumtur dhe i plotësuar.”

Me një jetë kaq intensive dhe një punë që kërkon gadishmërinë e saj në çdo moment, Anduena pranoi se ka bërë sakrifica. “Jam single, nuk të duket sakrificë?”- u përgjigj ajo me humor, ndërsa shtoi me optimizëm se prania e miqve dhe njerëzve të dashur do ta mbajnë larg sakrificave për profesionin.

Media

Share:
Reklama juaj