Home KRYESORE Tedi Blushi per dy te rinjte e aksidentuar tragjikisht

Tedi Blushi per dy te rinjte e aksidentuar tragjikisht

Nga Tedi Blushi

Ergit dhe Kejdit!

Nuk pata mundësinë t’ju njihja! Dhe nga mbrëmë nuk do ta kem më kurrë. U ndatë nga kjo jetë dhe na latë pas dhimbje. Shumë dhimbje. Edhe për ne! Të panjohurit për ju!

Na trishtoi lajmi për dy jetë që ndahen nga kjo botë për një “kapriço”. Për një motor që ecën me një rrotë në mes të Bllokut. Ishit shumë të rinj dhe nënat nuk do ua falin kurrë.

Tani ju jeni dy engjëj dhe na shihni prej së larti. Na thatë të mos qajmë se do vdisni duke qeshur! U tallët me ne?

Po tani? Tani që latë pas veç kujtime të bukura, a nuk ju trishton dhimbja dhe lotët e nënave, baballarëve, të dashurave, shokëve, miqve apo edhe tonat, të panjohurve për ju.

Nuk besoj se qeshni me to? A nuk ju prekin? A nuk ju lëndojnë edhe ju dy shpirtrave rebelë hipur mbi motor?

E di. Edhe mund të më shani. Ju s’keni nevojë sot për moral! Dhe as për t’ju treguar, i panjohuri për ju, se ç’duhej të bënit në jetën që latë pas.

Por dhimbjen e mërzinë që shkaktoi aksidenti juaj….Ishit shumë të rinj dhe ikët pa shijuar as minimumin e lumturisë, dashurisë e të mirave të pafundme që priste t’ju falte kjo botë e njerëzit tuaj më të dashur. I keni lënduar! Na keni trishtuar!

Ishit shumë të rinj për të shtrënguar në maksimum atë dreq pedal gazi…nxituat më shpejt të arrinit te vdekja pa i dhënë shumë kohë jetës t’ju tregonte kuptimin. Na trishtuat!

Dhe mua, të panjohurin për ju.

Tani që jeni dy engjëj dhe na shihni prej së larti. Vetëm diçka u kërkoj. Juve që provuat adrenalinën dhe shkaktuat kaq shumë dhimbje e lot: Mbroni si ëngjëj të rinjtë në moshën tuaj! Të na e kursejnë ata dhimbjen…hipur mbi një motor që ecën me shpejtësi mbi një rrotë!

Share: