Home KRYESORE “THE NEW YORK TIMES” – Shkatërruesit e Alepos: Asadi, Putini, Irani

“THE NEW YORK TIMES” – Shkatërruesit e Alepos: Asadi, Putini, Irani

0

Rënia e qytetit të lashtë sirian të Alepos ka qenë torturuese.

Civilët që u mbijetuan javëve të tëra bombardimesh intensive thuhet se janë masakruar nga forcat e qeverisë së Asadit, të cilat kryejnë kërkime shtëpi më shtëpi. Mijëra njerëz janë bllokuar pa ushqim, ujë apo strehë. “Ky është një mesazh nga dikush që po ju thotë lamtumirë dhe që mund të përballet me vdekjen ose arrestimin në çdo çast,” shkruan mesazhi i një mjeku. Kombet e Bashkuara e quajtën katastrofën një “zhvlerësim i plotë i humanizmit.”

Forcat e Asadit janë afër rimarrjes së Alepos, qyteti i fundit i madh që nuk është në duart e qeverisë. Në vitin 2011, presidenti Bashar al-Asad i shpërfilli kërkesat e protestuesve paqësorë dhe nisi një luftë të tmerrshme kundër popullit të tij. Më shumë se 400.000 sirianë janë vrarë, miliona kanë ikur përtej kufijve rajonalë dhe në Evropë.

Por zoti Asad nuk mund të sundonte pa mbështetjen e presidentit Vladimir Putin të Rusisë dhe, në një masë më të vogël, të Iranit. Kjo është një e vërtetë që presidenti i zgjedhur Donald Tramp, një apologjet i Putinit i rrethuar me ndihmësit të cilët janë simpatizantë të Kremlinit, duhet ta dijë. Gjatë fushatës presidenciale, zoti Tramp e quajti Putinin “një udhëheqës më të mirë” se presidenti Obama.

Zoti Putin e di se veprimet e përgjakshme – bombardimi i lagjeve civile, shkatërrimi i spitaleve, refuzimi për të lejuar civilët të marrin ushqime, karburant dhe ndihmë mjekësore – janë të gjitha shkelje të ligjit ndërkombëtar. Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, Samanta Pauer, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, tha se Asadi, Rusia dhe Irani kishin vënë një “lak” rreth civilëve në Alepo dhe e quajti këtë turp.

Në fillim të konfliktit, kur diplomacia në Këshillin e Sigurimit mund ta kishte detyruar zotin Asad të bënte kompromise politike dhe shmangur luftën, Rusia përdori veton për ta mbrojtur nga kritikat dhe sanksionet. Deri në tetor 2015, kur dukej se Asadi po humbiste, Rusia dërgoi trupa dhe aeroplanë dhe u bë një luftëtare aktive në emër të qeverisë kundër rebelëve, përfshirë edhe ata të trajnuar dhe asistuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet arabe. Hezbollahu, i mbështetur nga Irani me armë dhe të holla, ka qenë po ashtu një aset i rëndësishëm për regjimin e Asadit, me vendosjen e të paktën 5.000 luftëtarëve në Siri. Kaosi bëri që Shteti Islamik të krijonte një shtab të vetin në Siri dhe të bëhej një kërcënim i madh terrorist.

Pasi i bëri thirrje Asadit të largohej në vitin 2011, Obama nuk veproi që kjo të realizohej dhe as autorizoi veprime ushtarake kundër tij. Obama ka punuar me Rusinë për të larguar shumicën e armëve kimike të Asadit nga Siria. Por përpjekje të tjera në bashkëpunim – sidomos për një marrëveshje politike që do t’i jepte fund luftës civile dhe për të mundësuar fokusimin në luftën kundër Shtetit Islamik – nuk janë bërë. Nuk ka dyshim që zoti Putin e përdorur diplomacinë si një shtirje për të bërë të mundur fitoren ushtarake të zotit Asad. Kur do të ndalet lufta? Kjo varet nga z. Asad, z Putin dhe Irani./360grade.al

Share:
Reklama juaj