Home KRYESORE Ku jemi pas viteve të gjatë të krizës së fundit financiare dhe...

Ku jemi pas viteve të gjatë të krizës së fundit financiare dhe ekonomike botërore

Nga Kasem Seferi

Bota përjetoi krizën më të rrezikshme financiare dhe ekonomike krahasuar me atë të vitit 1930.

Në këtë kontekst Martin Wolf i “Financial Times” do të vinte në dukje se kjo krizë ishte gjithashtu një krizë për politikën e jashtme, ose një rënie e thellë që do të shkundte, gjithashtu, stabilitetin politik në të gjithë globin.

Analistë dhe ekspertë të politikës së jashtme menduan dhe deklaruan se prirjet kyç do të ishin:

Një SHBA më e vogël.

Ndryshimi më i rëndësishëm është “minimizimi” i SHBA dhe i kreditbilitetit të saj në të gjithë botën. Sipas tyre kjo krizë do ta detyronte SHBA të vështronte brenda vetes dhe, në njëfarë mënyrë, pothuajse e bëri këtë gjë.

Kjo gjendje e politikës së jashtme të SHBA do të nënkuptonte konceptime më realiste të interesave (për shembull, në lidhjet me Kinën dhe Rusinë, veçanërisht, për borxhin që u kanë këtyre dy shteteve).

Ekonomistët më në zë menduan se një dukuri e tillë do të minonte rolin e SHBA – ve si përkrahëse e tregut të lirë (dhe ndoshta të linjës së njohur si laissez – faire).

Ngritjen e shteteve linçuese.

Këto ishin dhe mbeten fuqi të mesme, ose shtete që po bëheshin gjithnjë e më shumë të rëndësishme në sistemet ndërkombëtare, të domosdoshëm për të zgjidhur shumë probleme dhe, sigurisht, në gjendje të bllokonin progresin siç ishte Kili, Indonezia, Meksika dhe Koreja e Jugut.

Kthimi i sigurisë së “fortë”.

U nënkuptua se bota duhej të fokusohej mbi risqet dhe çështjet transglobale dhe jo mbi kërcënimet e bazuara në shtetet. Por, me kolapsin e negociatave të Kopenhagës, me rritjen e forcave nacionaliste dhe populiste në shumë vende, u kthyen çështjet e sigurisë së forte.

Ndërkohë, pabarazitë për parandalimin e konkurrencës ndërshtetërore (në Azinë Qendrore, Amerikën Latine dhe në Gjirin Persik) po zvogëloheshin.

Krijimi i “Turkosferës”.

Afërsisht, ose pothuajse një perandori, që rrethohet mbi “kufijtë” e Perandorisë Otomane, që shtrihej nga vendet e Ballkanit, në Azinë Qendrore dhe në Lindjen e Mesme, si dhe në BE, ose atje ku qeveria e Ankarasë përpiqej të ushtronte influencë të rritur.

Vdekja e “Golizmit”.

Pjesa më rezonante e dëshmisë për vdekjen e Golizmit ishte pafuqishmëria e rezistencës kundrejt kthimit të plotë të Francës në integrimin ushtarak në NATO ashtu sikundër një analist politik do të thoshte se “Sarkozi ishte gozhda e përfundimtare në qefinin e Golizmit.”.

Të menduarit e thellë të Gjermanisë për ndjenjat dhe interesat e veta.

Europianizmi besnik i Berlinit për dekada ishte i natyrshëm, ndërkohë që vendi ngadalë por me siguri do të normalizonte rolin e saj ndërkombëtar.

Gjermania po kthehej nga vetja, duke u kthyer në pacifizmin e saj të mëparshëm dhe dukej se nuk isht e interesuar për më gjatë në promovimin e zgjidhjeve të BE – së.

Tërheqja e Japonisë.

Disa shtete ishin në rënie, të tjerat po ngriheshin por, Japonia, thjesht, po tërhiqej. Tokio, thjesht, po tërhiqej nga çështjet botërore (siç u tregua në rastin e tërheqjes së forcave nga Afganistani), që dukej se po pranonte modelin e ardhshëm të një Azije post – amerikane, të dominuar nga Kina.

Shpërthimi i vendeve të SAHEL.

Territor i paqeverisur/ose keqqeverisur që shtrihet nga Briri i Afrikës në Saharanë Perëndimore në bregun e Atlantikut po dilte si shqetësimi i së nesërmes. Kontrabanda e drogës, mungesa e zhvillimit dhe keqsundimi në Mali, Niger, Çad dhe Mauritani e bënin rajonin të gatshëm për Al – Kaedën.

Multilateralizmi mozaik.

Multilateralizmi shtetëror kombëtar zyrtar dhe i institucionalizuar, i cili e ka karakterizuar shumë periudhën e Luftës së Ftohtë dukej sikur po zhdukej për t’i dhënë rrugë një forme të re të bashkëpunimit multilateral, që i jep më shumë fuqi disa shteteve, përfshi dhe aktorë joshtetërorë, që mendohej se do të sillte kthimin e “koalicioneve të gatshme” brenda organizatave zyrtare si NATO.

Rilindja e eksportizimit dhe politikës së jashtme ekonomike.

Jo mjaft neo – merkantiliste (proteksioniste), kriza ekonomike po bënte që shtetet ta fokusonin politikën e tyre të jashtme mbi inkurajimin e eksporteve dhe industrive kombëtare si dhe të korrnin përfitimet që do të rridhnin prej tyre.

Marrëveshja e armëve ndërmjet Francës dhe Rusisë isheë një shembull i mirë, sepse ishte një vendim tregtar i gatuar në retorikën strategjike (diplomacia ekonomike/tregtare përfshin përpjekjet e biznesit dhe të qeverisë përtej kufijve për të arritur objektivat ekonomikë/tregtarë që çojnë përpara interesat kombëtarë).

Fundi i promovimit të vlerës.

Realizmi që solli kriza financiare dhe ekonomike botërore në Perëndim, të papriturat e Luftës mbi Terrorin, demokracinë e minuar në disa shtete anëtare të BE dhe tërheqjen ndërkombëtare të “Demokracisë Sovrane” të Rusisë, si dhe kapitalizmin autoritar të Kinës, nënkuptonin se do të ishte më e vështirë që të promovoheshin vlerat liberale, që përfshijnë demokracinë dhe shqetësimet për të drejtat njerëzore.

Jo “horra”.

Koha që krijoi “shtete horra” kishte mbaruar, sepse ideja e “shtetit horr” merrte me mend ekzistencën e një komuniteti botëror, të bashkuar për të mbështetur disa vlera dhe interesa, si dhe i ndryshën nga renegatët që thyenin rregullat.

Turqia nuk “po shmangej nga kursi”. Turqia është ende në kërkim të një vendi dhe identiteti të ri në kontekstin e ndryshuar të periudhës së pas Luftës së Ftohtë. Ky proçes kompleks transformimi nuk minon orientimin pro – perëndimor të Turqisë por, e teston atë edhe njëherë duke u kërkuar aktorëve politikë të Turqisë të riafirmojnë angazhimin e tyre për bashkëpunim dhe integrim.

Ishte dhe është koha që debati mbi shmangien e Turqisë të zevendësohet nga një debat më serioz dhe i frutshëm mbi arsyet përse Turqia është ende e rëndësishme për BE dhe Perëndimin, çfarë nënkupton Europa dhe Perëndimi për këtë, si dhe çfarë mund t’i ofrojë Turqisë.

Mundësisht, në shkallë më të gjërë se në kaluarën, ky debat duhet të shohë pjesëmarrjen aktive të popullit dhe elitës turke. Arritjet e tanishme të Turqisë sjellim me vete influencën e re si dhe përgjegjësi të reja dhe zëri më i madh i Turqisë në çështjet botërore duhet të përkthehet në dialog më konstruktiv dhe të barabartë me partnerët e saj.

Për më tepër cilado qoftë fusha e veprimit dhe kuadri, ky debat duhet të orientohet drejt së ardhmes. Spektrat e së kaluarës dhe kalkulimet afatshkurtëra duhet të kompensohen me fitimet që mund të sjellë një marrëdhënie e rigjetur, në qoftë se do të bazohet në vlerësime realiste të interesit dhe vizionit të përbashkët të identitetit europian dhe rolit të saj në shekullin e 21 – të.

Kasem Seferi – ekonomist

 

Share: