Home KRYESORE Presidenti i Republikës do të zgjidhet mes 17 prillit e 3 majit

Presidenti i Republikës do të zgjidhet mes 17 prillit e 3 majit

Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet mes datës 17 prill dhe 3 maj të këtij viti nga ky parlament dhe me këtë kompozim numrash që Kuvendi ka sot në shpërndarjen politike brenda tij.

Në 24 korrik të këtij viti përfundon mandatin 5 vjeçar Presidenti i Republikës. Neni 88 i Kushtetutës saktëson se: “1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. 2.

Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. 2/1.

Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë
para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Sipas këtyre përllogaritjeve, parlamenti do të shpërndahet në 3 maj dhe se procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, referuar pikës

2.1 të nenit 88 të Kushtetutës, duhet të kishin nisur qysh më 3 mars të këtij viti. I pyetur për këtë çështje, deputeti socialist, njëkohësisht nënkryetar i grupit parlamentar, Taulant Balla, tha se nuk është filluar diskutimi ndërpartiak, sepse afatet sipas tij nisin në 17 prill.

“Nuk kemi si të nisim bisedimet, kur procedurat nuk janë hapur akoma. Procedurat hapen në 17 prill”,­tha Taulant Balla i cili gjatë fjalës së tij, ju referua Nishanit si “presidenti në largim”.

Por 17 prilli është një periudhë që përkon me një fazë të nxehtë në kompozimet e vijueshmërisë politike, pasi dy ditë më pas, në 19 prill është afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve.

Nëse PS dhe LSI do të bien dakord të vijojnë koalicionin së bashku, emri i presidentit të ri do të jetë dakordësuar në tryezën e marrëveshjes parazgjedhore, kushtet e së cilës do të jenë të lidhura ngushtë edhe me Presidentin e ardhshëm të Republikës.

Zgjedhja e tij me 84 vota do të jetë e lehtë për koalicionin aktual qeverisës. Por, nëse PS dhe LSI nuk do të kenë së bashku një marrëveshje parazgjedhore, PS nuk do të arrijë të zgjedhë e vetme një president të sajin, sepse nuk i ka 71 vota në raundin e fundit as bashkë me PDIU­në, nëse LSI nuk voton.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Balla tha edhe se shtyrja e zgjedhjeve do të ishte shkelje e Kushtetutës, pasi, sipas bashkëkryetarit socialist të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, pasi ka një dekret të presidentit me datën e zgjedhjeve. Përsa i përket përdorimit të elektronikës, Balla tregoi rastin e Francës që ka vendosur të heqë dorë nga votimi elektronik, për shkak të pasigurisë së lartë.

Arsyen përse nuk pranojnë propozimin e demokratëve për shtyrjen e zgjedhjeve, socialistët e gjejnë te vetë dekreti i presidentit Nishani që sanksionon datën e mbajtjes së tyre.

Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, shpjegon se çfarëdo marrëveshje politike në këtë drejtim, do të ishte në kundërshtim të vetë Kushtetutës.

Fakti që demokratët nuk kërkojnë më përdorimin e elektronikës duke harruar kështu arsyen përse dolën nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, sipas Taulant Ballës është tregues se gjithçka ishte një pretekst. Ndërkohë, ai mbetet i bindur se votimi elektronik paraqet rrezikshmëri të lartë dhe sjell një tjetër shembull.

Balla theksoi se legjislacioni në fuqi është shumë i mirë dhe garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe nëse opozita nuk kthehet në Parlament për të miratuar rekomandimet e OSBE/ODIHR./shqiptarja.com

Share: