Rreziku i pushtetit (leter drejtuar dikujt qe mban nje post te...

Rreziku i pushtetit (leter drejtuar dikujt qe mban nje post te pamerituar)

0

Nga Jeta Tocila Shkurti

Ti, je një njeri me pushtet! E ke arritur këtë status për shumë arsye, ç’rëndësi ka, t’a gëzosh! Por ty të ka zënë pushteti, njëlloj siç’ zë makina dikë kur sistemi vestibular çrregullohet. Si pasojë ti mund të kesh probleme me ekuilibrin, dëgjimin, shikimin apo orientimin. Ti rrethohesh çdo ditë nga njerëz që vetëm të bëjnë komplimenta për madhështinë. Në rrezen e shikimit tënd qarkullojnë vetëm personat që kurrë nuk të kritikojnë. Ti shihesh në pasqyrën e këtyre njerëzve dhe vërtet bindesh se je i bukur e madhështor.

Ata që mund të shohin lakuriqësinë tënde janë izoluar nëpër qoshet e largëta të harresës, sepse këta servilët, lëpirësit e putha-dorët i kanë marrë masat për distancën e sigurisë mes teje dhe kritikëve. Ata të informojnë vazhdimisht mbi ekzekutimet e rradhës dhe ligjërojnë para teje se X shpallet armik i mbretërisë pasi nuk i dha “like” tellalleve të tua.

Ty të pëlqejnë servilët apo jo?? Të pëlqen të nisësh e të ngrysësh ditën i adhuruar e lëvduar. Kjo të bën të ndihesh mirë. Ndoshta të ndihmon të rikuperosh vitet e fëmijërisë kur të kanë injoruar, keqkrahasuar, përçmuar, lënduar, sharë e ofenduar, dhunuar e përbuzur…Apo vitet e adoleshencës kur ti nuk bije në sy për ndonjë tipar gjerësisht të vlerësuar për kohën, përveç ndonjë tipari lehtësisht të dallueshëm për tu bullizuar.

Të erdhi dita sot, prej fatit ose modelit të Huria Hipit, (sepse në shkollë nuk ke shkëlqyer), të ngjitesh drejt pushtetit e të hakmerresh.

Ty sot të rrethojnë të ngjashmit e tu. Ata nuk janë rastësisht në rrezen tënde të shkurtër. Je ti që i ke afruar dhe dëshiruar. Njerëzit priren të mbajnë afër të ngjashmit e tyre. Sepse edhe ti do kesh qenë dikur njëri prej tyre. Ndoshta për të arritur aty ku je sot, i je lëpirë, ngjitur, kërrusur, përulur bossëve të tu. U ke nxjerrë shaminë tu fshish hundët apo këpucët, i ke puthur duart, mbajtur çadrën, çantën, pastruar xhaketën nga copëzat e zbokthit …ndoshta edhe ti dikur, siç bëjnë servilët e tu sot, e ke ushqyer eprorin tënd me informacion, shpeshherë të copëzuar e transformuar, të mbushur me gënjeshtra sipas oreksit tënd, në mënyrë që të përfitoje atë që dëshiroje.

Dhe ti je sot përfituesi. Si ty ka shumë të tillë dhe gjithmonë do ketë, përsa kohë që kriticizmi do dënohet me harrim.

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY