Home KRYESORE Beqja si përbindësh, dhe frika e kuksianëve

Beqja si përbindësh, dhe frika e kuksianëve

Nga Azem Parllaku

Ilir Beqja do të mbahet mend si ish-Ministër i Shëndetësisë, i cili paratë e shqiptarëve ua shpërndau kompanive private, për të ofruar shërbime, për të cilat është përgjegjës shteti. Akuzat e opozitës dhe hetimet e mediave ndaj konçensioneve të dhëna në firma fantazëm, prapa të cilave dyshohet se qëndrojnë persona të lidhur me pushtetin, e që përfitojnë nga këto fonde, nuk ia kanë prishur aspak qetësinë shefit të tij Rama, i cili e ka caktuar Beqajn si udhëheqësin e degës lokale të partisë për Kukësin në zgjedhjet e qershorit.

A do t’ia dalë Ilir Beqja të bindë kuksianët për “punët e mira” të qeverisjes, kur, nga pasqyra ekonomike e vendit, Kukësi ka marrë zyrtarisht “trofeun”, si rajoni më i varfër i vendit. I lënë mënjanë prej vitesh nga fondet publike, qytetet dhe fshatrat e të gjithë qarkut po braktisen çdo ditë e më shumë, me arsyetimin për të ikur nga ato vise, ku shpresa ka vdekur. Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të papunësisë, ku më shumë se gjysma e familjeve jetojnë me ndihmën e pamjaftueshme ekonomike. Referuar të dhënave të fundit të INSTAT-it, kupton që Kukësi përjeton eksodin e radhës, pas migrimit për një jetë të mirë me rënien e komunizmit, emigracioni masiv drejt Gjermanisë,A ustrisë dhe Britanisë së Madhe, i vendos kuksianët në toplistën e azilkërkuesve nga Shqipëria në Perëndim.

Kukësi është i vetmi qark ku punësimi në sektorin privat ka rënë në masën 2%, dhe rrjedhimisht me nivelin më të ulët të prodhimit për frymë. INSTAT vëren se Kukësi jep vlerën më të ulët në prodhimin e brendshëm bruto të vendit, duke kontribuuar për vetëm 2.1% të totalit të prodhimit. Po kështu, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë me 22.5% të popullsisë, nga 14.3% që është mesatarja e vendit.

Qarku i Kukësit është portreti i rrënimit kombëtar nga Jugu në Veri. Kukësi e Hasi janë kryefjala e eksodit kombëtar, i cili kulmoi gjatë vitit 2015, ku shkak është dëshpërimi i thellë, kriza e gjithanshme që ka sjellë çdo fikje shprese. Mjafton të shkosh në çdo fshat, e të vëresh se shtëpi të tëra janë të mbyllura dhe në klasat fillore mund të ketë vetëm tre nxënës në klasë. Kukësi ka absolutisht njësitë më të varfra në Shqipëri.

Nga 10 komunat më të varfra në vend, 7 prej tyre ndodhen në Kukës. Në Kukës sundon varfëria rurale dhe urbane, çfarë e justifikon ndoshta më së miri, pse dhe sesi varfëria e ka dëbuar popullsinë. Emigrimi masiv, i cili ka hequr nga Shqipëria afro një të tretën e popullsisë përgjatë 25 viteve të fundit, supozohej se qe drejt përfundimit. Hipotezat e reja të projeksioneve të popullsisë nga INSTAT sugjerojnë se kjo nuk ndodh veçanërisht kur bëhet fjalë për Kukësin.

Sot, varfëria për kuksianët është fati i hidhur dhe mënyrat për luftimin e saj, si dukuri, kanë dështuar për shkak të koncepteve të gabuara, vizioneve të paqarta, korrupsionit dhe shkaqeve tjera. Ish-Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka përballë kuksianët, të cilët tashmë frikur nga varfëria, padyshim më destruktivja prej të gjitha frikave, e paralizon aftësinë e rezonimit, shkatërron aftësinë e imagjinimit, vret vetëbesimin, nënshtron entuziazmin, dekurajon iniciativën, lindë hezitimin, e zhdukë ngazëllimin. Kjo frikë ia merr sharmin personalitetit tonë, pastaj e zbehë mundësinë e mendueshmërisë preçize, zhdrejton koncentrimin e orvatjeve, ngadhënjen këmbëngulësinë, e shndërron fuqinë e vullnetit në asgjë, zhdukë ambicien, mjegullon kujtimin dhe nxitë dështimin në të gjitha format e mundshme, ngulfat dashurinë dhe emocionet tjera këndellëse, dekurajon miqësinë dhe nxitë pafatësinë në qindra forma të ndryshme. Frika nga varfëria doli prej aftësisë së lindur të njeriut që ekonomikisht ta gllabërojë të afërmin e vet.

Gati të gjitha kafshët janë të motivuara me instinkt, dhe aftësia e tyre të “mendojnë” është e kufizuar, kështu që ato njëra tjetrën e gllabërojnë edhe fizikisht. Njeriu, me ndjenjën e vet superiore të intuitës, me aftësinë e vet të mendojë e të rezonojë, nuk e gllabëron të afërmin e vet fizikisht, por ka kënaqësi të veçantë ta “përbijë” financiarisht. A nuk i gllabëroi paratë e shqiptarëve Beqja me konçensionet prej qindra milionë eurosh.

Njeriu është aq lakmitar sa të gjitha ligjet e mundshme që ekzistojnë janë bërë vetëm e vetëm që ta mbrojmë çdokënd prej të afërmit të vet. Por, a mund të ketë publiku shpresë se do të ketë një hetim, i cili mund të nxjerrë diçka në dritë kur kryeministri Rama ka marrë përsipër të bëjë avokatin publik të ish-ministrit të tij. Nuk është aspak çudi se njeriu i frikohet varfërisë. Me ndihmën e një vargu të gjatë të përvojave trashëguese, njeriu mësoi se, njëherë e përgjithmonë, disa njerëzve nuk mund t’iu besohet kur bëhet fjalë për para dhe për prona të kësaj toke. Varfëria nënkupton pamundësinë e qasjes në botën e mundësive të mjaftueshme. Si pasojë e mungesës së lirisë politike, pamundësisë për pjesëmarrje në proçeset e vendimmarrjes, mungesës së qeverisjes së mirë, mungesës së sigurisë personale, pamundësisë për pjesëmarrje në jetën e komunitetit dhe kërcënimeve për drejtësi të qëndrueshme afatgjatë, të varfërit nuk kanë mundësi ta ndryshojnë gjendjen e tyre, sepse u mohohen mjetet për mundësi të tilla. Mohimi i fuqisë dhe i resurseve ekonomike, sociale dhe kulturore, janë ato që i mbajnë të varfërit të zhytur në varfëri.

Share: