Home KRYESORE Ku të kërkojë programin tënd parti?!

Ku të kërkojë programin tënd parti?!

Nga Azem Parllaku

Në zgjedhje qytetarët presin ofertat e partive politike. Ofertat e tyre duhet të përmbajnë projekte, të përmbledhura në një program zgjedhor. Përgjatë kësaj gare zgjedhore në Shqipëri, mund të konstatojmë, se jemi dëshmitarë të një fushate e cila në fillim ishte më e qetë. Antagonizmat ndërmjet subjekteve garuese dhe kampeve votuese tashmë nuk janë të pranueshme si disa ditë më parë, e gjuha e kandidatëve po ashtu.

Premtimet për një Shqipërie ndryshe, po i bëjnë të njejtët regjisorë, dhe përmbajtja është po e njëjtë. Ajo që të habit edhe më tepër është fakti se, një lojë të këtillë të aktorëve të politikës, e ndjekin dhe e duartrokasin po të njëjtët spektatorë, të cilët përgjatë gjithë këtyre viteve për çdo skenar të saj paguajnë nga koha, djersa dhe perspektiva e tyre, duke e sakrifikuar të tashmen dhe të ardhmen e tyre, vetëm e vetëm për të “ngopur” epshet e pangopura të një shtrese të shoqërisë.

Në këtë kontekst, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për elaborimin e programeve dhe qartësinë e vizionit qeverisës. Rezultatet zgjedhore, reflektojnë mesazhin e qytetarëve se partitë politike duhet të kuptojnë, se ata janë të mërzitur nga retorikat dhe premtimet boshe. Keq për t’u thënë, por akoma nuk kemi mundur të marrim shembuj nga mbarë bota, se si duhet përgatitur një platformë politike për zgjedhje. Kritikat e kryetarëve të partive dhe kandidatëve për deputet ndaj njëri-tjetrit për të treguar, se sa më të keq kanë qenë në të shkuarën, janë mëse të mërzitshme dhe thjeshtë të padurueshme për qytetarët. Edhe pse, kanë kaluar 27 vjet nga vendosja e sistemit pluralist në Shqipëri, e qytetarët duhet të ishin të edukuar politikisht sa u përket ideologjive politike, praktikisht nuk është kështu.

Nuk rezulton ndryshe, sepse në radhë të parë janë vetë partitë politike ato të cilat e kanë bërë lëmsh këtë punë të ideologjisë dhe praktikave që e majta ose e djathta, tradicionalisht, prezantojnë si politikë në nivelin botëror. Me fjalë tjera, përkundër dëshirës së madhe të partive politike të prezantohen si promovuese të ideologjive të caktuara të majta apo të djathta, në Shqipëri vështirë se mund të gjenden parti, të cilat i qëndrojnë besnike ideologjisë së shpallur. Kështu, brenda një partie majtiste promovohen politika djathtiste dhe e kundërta.

Shpeshherë drejtuesit dhe ekspertët e partive i thonë elektoratit, kur ky i fundit është në dilemë se partitë e tyre janë të majta ose të djathta, por që vërtiten drejt qendrës. Me këtë shpjegim partitë tona e thonë një të vërtetë të thjeshtë, se nuk ka parti të majta ose të djathta, por ka organizime politike, ku ideologjia më shumë përdoret në formën e saj folklorike, dhe me këtë fillon dhe mbaron gjithçka. Për ta kuptuar konceptin e të majtës ose edhe të së djathtës në spektrin e partive politike, të cilat në parim do të duhej të jenë promovuese të tyre, le të shohim pas në kohë.

Termat “e majtë” dhe “e djathtë” u shfaqen gjatë revolucionit francez të vitit 1789, kur anëtarët e Parlamentit u ndanë në mbështetës të mbretit të ulur në të djathtë dhe mbështetësit e revolucionit të ulur në të majtë. Një deputet, baroni De Gauville, shpjegoi: “ne filluam ta njohim njëri-tjetrin, ata që ishin besnikë ndaj fesë dhe mbretit morën ulëse në të djathtë, ndërsa kundërshtarët u ulën në të majtë”. Shtypi i atëhershëm ka përdorur herë pas here termat “e majta” dhe “djathta” për t’iu referuar palëve kundërshtare në parlamentin francez.

E majta tradicionale ose ajo që njihet edhe si e majta historike bazohet në konceptin e barazisë sociale, të përkrahjes së klasës punëtore, ndërsa e djathta vë theksin te individualizmi dhe stimulimi i kapitalizmit dhe me shumë pak përkrahje sociale për shtresat e ulëta. Brenda kësaj kornize, te të dyja blloqet ka lëvizje drejt njërit ose polit tjetër, por fjala është për nuanca, ku nuk thyhen parimet themelore të ndarjes tradicionale.

Partitë e “të djathtës” në përgjithësi përkrahin rendin aktual shoqëror, mbështetësit e tyre rëndom përfshijnë interesat e biznesit dhe klasat e mesme materialisht të kënaqura. Kurse partitë e “të majtës” janë për reformat shoqërore, ose ndryshimit të plotë ekonomik. Këto kanë marrë mbështetjen nga shtresat e varfra, klasat punëtore etj, zakonisht pjesë e së majtës kanë qenë partitë progresive socialiste e komuniste. Funksionimi i partive politike në Shqipëri, është plotësisht ndryshe.

Ndodh kështu sepse, kemi të bëjmë ekskluzivisht me një menaxhim politik nga “kryeaksionarët” e partive, të cilët e konsiderojnë grupimin politik si një korporate të madhe të biznesi. Kështu praktikisht kanë funksionuar të gjitha partitë dhe asnjëra prej tyre nuk është rritur si lëvizje ideologjike botërisht të njohura të majta ose të djathta. Partitë e vetëdeklaruara si të djathta në Shqipëri si moto për djathtizmin e tyre e kanë antikomunizmin, por metodat e veprimit të tyre politik, si në aspektin institucional, ashtu edhe atë politik, fare pak dallohen nga metodat komuniste. Shumica e drejtuesve të tanishëm, që janë në krye të partive politike, janë të edukuar në shkollën e kohës të komunizmit, ndaj ata nuk njohin metodologji tjetër të veprimit politik dhe “të djathtën” dhe parimet e saj i kanë të njohura vetëm si nocione, por për fat të keq jo edhe si praktikë. Kjo ka të bëjë edhe me lëvizjen majtiste, në të cilën është mbështetur komunizmi si i tillë, por në esencë nuk ka pasur të bëjë fare me parimet themelore të filozofisë majtiste.

Në anën tjetër, majtistët e deklaruar në Shqipëri, për nga zbatimi i politikave më shumë u ngjajnë kapitalistëve. Mjafton të kujtojmë konçesionet dhe proçesin e privatizimit në vitet e fundit, të zbatuar nga një koalicion majtist, i cili përdori një metodologji antisociale, duke mbështetur kështu oligarkët dhe kapitalistët. E këtillë është gjendja në të cilën u qasen platformat politike dhe programet elektorale qytetarëve të Shqipërisë. Përreth zhgënjimeve të njëpasnjëshme për 27 vjet, ata vazhdojnë ta venë fatet e tyre si “bast” në duar të disa klaneve “politiko-biznesore”, të cilat, për interesat e tyre personale, janë në gjendje të tregtojnë jo vetëm me interesat dhe fatin e popullit të cilin përfaqësojnë, por praktika e tyre e deritanishme ka dëshmuar se, apetitet e tyre sadiste tejkalojnë çdo normë njerëzore dhe humane.

Shqiptarët sot po ndjehen qeraxhi në shtëpinë e tyre, varfëruar dhe të nënçmuar, e shqiptarit sot po i nëpërkëmbet krenaria, nderi dhe inteligjenca kolektive, duke e shndërruar atë në pronë partiake dhe në makineri votuese, me qëllim të realizimit të disa interesave klanore dhe meskine.

Fushatën zgjedhore, si zakonisht, në mungesë të platformës së mirëfilltë politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore, po e karakterizon bajraktarizmi dhe premtimet boshe, ndaj me të drejtë lind pyetja: Ku të kërkojë programin tënd parti?

Share: