Home KRYESORE Reforma në Drejtësi, komisioni ad-hoc miratoi listën me 7 anëtarë

Reforma në Drejtësi, komisioni ad-hoc miratoi listën me 7 anëtarë

0

Ish kryeprokurorja Ina Rama u votua në listën e Kolegjit të Apelimit, bashkë me ish-kreun e gjykatës së Tiranës Sokol Çomo, anëtaren e KLD-së Albana Shtyllën, avokatin Luan Daci, Natasha Mulajn, Ardian Hajdarin dhe Rezarta Schuetz. Zëvendësues u zgjodhën Mimoza Tasi dhe Etleva Papleka

Autor: Vladimir Karaj BIRN

Në më pak se një orë, që u zu kryesisht me shpjegim procedurash,  gjashtë anëtarët e komisionit ad-hoc të parlamentit votuan sot listën me 7 anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, ose ndryshe dhoma e apelit në procesin e vetingut të gjykatësve e prokurorëve në vend. Lista e 7 anëtarëve dhe 2 zëvendësuesve duhet të votohet me 3/5 e anëtarëve të kuvendit në ditët në vijim.

7 komisionerët dhe 2 zëvendësues zgjidhen për 9 vjet dhe do të shqyrtojnë ankesat pas vendimeve nga komisionet e vetingut që pritet të zgjidhen nesër nga një komision me 12 anëtarë. Nga votimi direkt u zgjodhën avokati Ardian Hajdari,  ndihmësja ligjore e Gjykatës së Lartë Natasha Mulaj, ish-kreu i Gjykatës së Tiranës dhe anëtar i KLD-së Sokol Çomo, ish-kryeprokurorja Ina Rama, avokati dhe kandidati për në Gjykatën e Lartë Luan Daci, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit dhe anëtare e KLD-së Albana Shtylla.

Ndërkohë me short, pasi gjatë votimit doli me vota të barabarta me Etleva Paplekën, anëtare e shtatë e Kolegjit të Apelimit u zgjodh Rezarta Schuetz, e cila ka punuar si oficere për drejtësinë e OSBE në Shkup. Papleka dhe Mimoza Tasi u zgjodhën në fund anëtare zëvendësuese të Kolegjit të Apelimit.

Procedura e votimit u ndoq nga ambasadori SHBA në Tiranë Donald Lu dhe përfaqësuesja e BE Romana Vlahutin dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Kolegji i Apelimit është një nga institucionet e reja më të rëndëishme të krijuara nga Reforma në Drejtësi. Veç shqyrtimit të ankesave nga komisionet e vetingut, kolegji ka në juridiksionin e tij disiplinorë gjyqtarët e  Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Ai po ashtu do të shqyrtojë ankesat ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vendosjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve.

Zgjedhja e listës është vetëm hapi i parë. Parlamenti duhet të mblidhet brenda 10 ditëve për ta votuar atë. Nëse Kryetari i Kuvendit merr kohën maksimale të parashikuar nga kushtetuta, votimi për listën e Kolegjit të Apelimit dhe nëse votohet nesër atë të Komisionit,  mund të bëhet një ose dy ditë para zgjedhjeve./reporter.al

Share:
Reklama juaj