Home KRYESORE Nuk kam parë pemë që fluturojnë… Nga Rita Petro

Nuk kam parë pemë që fluturojnë… Nga Rita Petro

0

Nuk kam parë pemë që fluturojnë…
Kam parë gra që fluturojnë
Kanë hapur krahët e janë ngjitur në qiell
Pa e kthyer kokën prapa,
dhe tymi i oxhakut pas i ka ndjekur.
Po nuk kam parë pemë që fluturojnë…

E ndjeva se si m’u shkulën rrënjët
ato dhëmballë gjigante nga nofulla e tokës,
u shkulën e morën me vete vezë,
larva e krimba.
e ndjeva aromën e tokës si u ngrit
e më shpoi flegrat e hundës

Krahet m’u shkundën
dhe këmbët e humbën funksionin e tyre.
frutat e pjekura boll nisën të më bien përtokë
dhe sa më tepër lehtësohesha nga rënia e tyre
dhe e degëve të holla që kërcisnin nga forca e erës,
aq më lart ngjitesha derisa mbeta CuLLAK.

Qenkam nisur qiellit jo si zgalem
Por si një pemë… cullak,
Që i gëzohet lirisë së pakufizuar.
Poshtë ajo vrimë gojëhapur gjigante
Ku me vite trupi më kish lëshuar rrënjë
Më prit! gati sa nuk thirra

Pritmë, do kthehem prape’!
Po liria e qiellit qenka më e pamatë se vetë ndërqielli,
Më ushqyese se lënda që ndodhet nën tokë,
të hyn fshehurazi në trup
Aty ku limfat nga lëng i bardhë shndërrohen në gjak
dhe pikojnë në qelizën e fundit të ekstremiteteve.

Ndaj hapem e gjitha kah qiellit
rrënjë e degë zgjatur
hapem ndaj erërave, stuhive, vetëtimave.
e shijoj këtë sfidë deri në vdekje,
që kurrë në jetë s’ia lejova vetes…

Share:
Reklama juaj