Home KRYESORE “Vetëvendosje” si Erdogani: Shqiptarët në Gjermani të mos votojnë Merkelin

“Vetëvendosje” si Erdogani: Shqiptarët në Gjermani të mos votojnë Merkelin

Në një komunikatë për mediat Lëvizja Vetëvendosje u ka dhënë instruksione shqiptarëve në Gjermani që në zgjedhjet që mbahen të dielën të votojnë për partinë e majta SPD dhe jo ato të krahut të djathtë.

Partia e Albin Kurtit thotë se me ekstremistët e AFD (Alternativa për Gjermaninë) shqiptarët nuk mund të gjejnë zgjidhje. Vetëvendosje thotë se vetëm programi i socialdemokratëve të Martin Shultz i përshtatet programit të saj.

“Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!” – thuhet në deklaratë.

Për herë të parë një parti shqiptare bën një reagim të tillë për zgjedhjet në Gjermani. Nuk dihen arsyet që e çuan Vetëvendosjen të dalë kundër Merkel.

Kundër Merkel ka bërë një deklaratë më herët presidenti i Turqisë, Erdogan që u bëri thirrje turqve në këtë vend të mos e votojnë CDU-në e kancelares.

Share: