Home KRYESORE Donald Lu me fjalim te fortë për Shullazin, Lul Berishën dhe Balilin!

Donald Lu me fjalim te fortë për Shullazin, Lul Berishën dhe Balilin!

Duket se kjo qe nuk është hera e parë që ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu përmend emrat e të fortëve, si shembuj të dështimit të sistemit të drejtësisë, nuk do te jete edhe hera e fundit.

Kësaj radhe, ambasadori citoi si burim Departamentin e Shtetit të SHBA, kur e quajti Shqipërinë “qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit” dhe veç gjykatave dhe prokurorëve, ambasadori Lu përmendi një tjetër “kalë të ngordhur” përballë të fortëve, Policinë e Shtetit.

“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave” tha ambasadori Donald Lu, para se të kalonte në emra konkretë.

“Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg. Si do t’i mundim drejtuesit e fuqishëm të krimit të organizuar?

Drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht. Në vitin 2016, policia arrestoi 1,349 persona për kundravajtje të lidhura me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe më shqetësues është fakti që kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim të organizatave të trafikut të drogës gjatë vitit 2016. Edhe në vitin 2015 ishin zero”

Duket se jo rastesisht menjëherë pas fjalimit, Donald Lu bashkë me Romana Vlahutin, shkuan në zyrën e Fatmir Xhafës, në Ministrinë e Brendshme ku ministri Xhafaj ka paralajmëruar një proces vettingu në polici, që synon pastrimin e uniformave blu nga të inkriminuarit.

Burime pranë Ministrit të Brendshëm thanë për mediat se ambasadori amerikan dha mbështetje për vettingun në polici, që do të ndihmohet edhe nga zyrtarë të FBI-së.

Xhafaj goditjen e parë e dha sapo u ul në postin e Ministrit të Brendshëm, kur largoi me një të rënë të lapsit 33 drejtues të lartë policie. Vendimin e mori pasi kishte shkrirë 4 komisariate të policisë në Përmet, Skrapar, Lezhë dhe në Portin e Durrësit.

Fuqizimi i 20 familjeve kriminale që përmend ambasadori amerikan, 72 bombat e vitit 2014, mos-arrestimi i Klemend Balilit, trafiku i drogës nga qelia i Emiliano Shullazit dhe shndërrimi i Shqipërisë në qendër të aktivitetit të krimit të organizuar, janë të gjitha fenomene që kanë ndodhur nën hundën e Policisë së Shtetit, të drejtuar nga Haki Çako.

Mbështetja direkte e Edi Ramës për Drejtorin e Policisë është konfirmuar në disa takime në kryeministri. Në mbledhjet e Task Forcës, Edi Rama e ka ngarkuar me detyra të reja Haki Çakon, duke shprehur besimin e tij direkt për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që sulmohej ashpër nga opozita.

A do ta prekë Haki Çakon rrjeta e vetingut në polici? Kjo mbetet për t’u parë. Por fjalimi i fortë i Donald Lu-së sot dhe takimi me Fatmir Xhafën duket një shtysë e drejtpërdrejtë për ministrin, që të guxojë përtej kufijve që i ka vendosur shefi i tij në qeveri, Edi Rama dhe kjo mund te shihet edhe si nje dyshim qe mund te kene ambasadoret kundrejt kryeminitrit Edi Rama…

Share: