Home KRYESORE Janullatos me pasaportë shqiptare, Meta: Absurd paragjykimi

Janullatos me pasaportë shqiptare, Meta: Absurd paragjykimi

0

Intervistë e Presidentit Meta dhënë për TV Korça

Gazetarja: Kam nderin dhe kënaqësinë që të kem sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotin Ilir Meta. Mirë se erdhët zoti Meta! Është kënaqësi që pranuat ftesën në Televizionin Korça!

Presidenti Meta: Mirëmbrëma! Përshëndetje ju dhe të gjithë teleshikuesve! Është kënaqësia ime të jemi në studion tuaj dhe të kem mundësi të ndaj disa mesazhe me të gjithë qytetarët e Korçës.

Gazetarja: Në fakt për mua është një kënaqësi e dyfishtë jo vetëm për faktin se në televizionin Korça tashmë duke kaluar në paketën dixhitale të TVSH-së ka shtrirë edhe zonën e mbulimit dhe ne tashmë shihemi që nga Tirana deri në Përmet, por edhe sepse është hera e parë që një President i Republikës së Shqipërisë jep një intervistë në Televizionin Korça. Ju falënderoj!

Presidenti Meta: Nuk e dija këtë fakt. Është kënaqësia ime dhe jam i bindur që nuk është hera e fundit.

Gazetarja: Zoti President, të gjithë janë të interesuar të dinë rreth vizitës suaj në Korçë në këtë fillim viti të ri. Dhe në fakt pse zgjodhët pikërisht Bashkinë e Pustecit, e cila siç dihet është e banuar nga minoriteti maqedonas. Madje ju minoritetin maqedonas e keni etiketuar edhe si një pasuri të madhe për Shqipërinë.

Presidenti Meta: Është kënaqësi për të bërë vizitën e parë në një vit të ri jashtë Tiranës në Korçë për njëmijë arsye. Aq më tepër për të marrë pjesë dhe për të ndarë një gëzim siç është Festa e “Ujit të Bekuar”. Unë kam marrë pjesë disa herë në të kaluarën në këtë festë, kryesisht në qytetin e Beratit, ku dhe atje ekziston një traditë e mrekullueshme. Njëkohësisht për të takuar dhe përfaqësuesit e besimeve të ndryshme sot në Korçë, autoritetet vendore. Sigurisht dhe për të bërë një vizitë në Bashkinë e Pustecit, e cila është një bashki modeste, nga më modestet në drejtim të numrit të banorëve, apo të peshës ekonomike. Por, është një bashki me një domethënie të veçantë kryesisht se atje jeton kryesisht pakica maqedonase në vendin tonë.
Absolutisht që ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por është një vit shumë i rëndësishëm edhe për Maqedoninë, për gjithë rajonin tonë. Ishte një dëshirë e imja jo vetëm t’i vizitoja, jo vetëm t’i uroj për festat, për Krishtlindjet e tyre, të cilat janë tani, për këtë Vit të Ri, por njëkohësisht edhe për të dëgjuar disa nga problemet që ata kanë dhe për t’u dhënë mbështetjen në vijimësi sepse është një komunitet i mrekullueshëm që ka nxjerrë personalitetet të mëdha në shërbim të vendit tonë, mjafton të përmend një prej tyre, shkrimtarin e shquar Sterjo Spasse, i cili ka bërë vepra shumë të rëndësishme që kanë pasqyruar lëvizjen patriotike, përpjekjet e rilindjes sonë, e kështu në vijimësi ka prekur çështjen kombëtare. Kanë qenë dhe mbeten vepra mjaft edukative dhe për të rinjtë në ditët e sotme. Një arsye tjetër është mesazhi që integrimi dhe vlerësimi i pakicave, i minoriteteve do të jetë në vëmendjen time dhe besoj e të gjithë shtetit tonë në vitet që vijnë sepse ky është një demonstrim i një vizioni evropian. Kjo pa dyshim është dhe një detyrim sepse edhe ne këtë kërkojmë nga të tjerët, kudo, në gjithë vendet e rajonit ku jetojnë shqiptarët, që shqiptarët të integrohen, të gëzojnë të gjithë të drejtat e tyre.

Gazetarja: Në fakt zoti President, në pak kohë Pustecin e kanë vizituar dy kryeministrat: ai shqiptar Rama dhe ai maqedonas Zaev dhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë dhe vjen dhe vizita juaj një ditë ma parë. A mund t’ju duket se është shumë vëmendje për Pustecin?
Presidenti Meta: Mendoj se është një gjë e mirë sepse Pusteci ka qenë pak i harruar dhe këto vizita janë tregues i një dinamike të re shumë më pozitive të marrëdhënieve Shqipëri-Maqedoni. Sikurse e thashë edhe dje, besojmë dhe shpresojmë shumë që edhe marrëdhëniet trilaterale Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi të njohin një perspektivë të shpejtë, të shkëlqyer dhe nga kjo, – kush do të përfitojë në radhë të parë? Do të përfitojë Pusteci, rajoni i Prespës, Korça, Devolli. Pra, ato zona ndërkufitare midis këtyre tre vendeve. Këto vizita në Pustec kanë një domethënie të rëndësishme dhe janë mesazhe të forta të një ere të re në marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni dhe të një ere të re, pse jo, në marrëdhëniet trilaterale Shqipëri-Maqedoni-Greqi.

Gazetarja: Ndërkohë duket se këto marrëdhënie tripalëshe kanë nisur të konkretizohen edhe për opinionin e gjerë. Ministri i Jashtëm grek, kemi parasysh, që ka hedhur idenë e heqjes së ‘ligjit të luftës me Greqinë’ duke e quajtur si diçka absurde. Nga ana tjetër, Kryeministri maqedonas insiston për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Nga ana tjetër edhe politika shqiptare duket se i ka përshëndetur këto veprime dhe duket sikur po punon për krijimin e kësaj klime bashkëpunimi.

Presidenti Meta: Nuk ka rrugë tjetër. Vetëm përmes bashkëpunimit vendet tona do të forcojnë paqen dhe harmoninë dhe do të krijojnë kushte më të mira për qytetarët tanë, pavarësisht nga përkatësitë etnike sepse përndryshe vendet tona do zbrazen nga rinjtë, të cilët duan mundësi për të zhvilluar aftësitë dhe talentin e tyre, dhe nuk duhen retorika konfliktuale apo justifikime apo mungesë përgjegjësie nga elitat politike.

Gazetarja: Zoti Meta, sot ka qenë dita e “Uji të Bekuar” dhe ju keni qenë prezent në qytetin e Korçës për të kremtuar së bashku me komunitetin ortodoks një nga festat më të rëndësishme për të gjithë besimin ortodoks. A është ky një mesazh i bashkëjetesës fetare dhe i tolerancës fetare?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim. Ne bashkëjetesën fetare e kemi domosdoshmëri si një vend që ka disa besime dhe si një vend që këtë bashkëjetesë e ruan nga brezat e mëparshëm që na e kanë lënë si trashëgimi këtë respekt për besimin e tjetrit, që garanton dhe besimin tënd. Këtë domosdoshmëri për të ruajtur identitetin tonë si popull dhe si komb. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë që mora pjesë në këtë aktivitet! Ishte kënaqësi që pashë kaq shumë qytetarë të të gjitha gjeneratave! Kjo është një gjë shumë e mirë. Për mua është gjithmonë një kënaqësi e jashtëzakonshme që të takohem me Mitropolitin e Korçës pasi ai është një figurë, do të thoja, shumë e ndritur, dhe nga i cili gjithmonë mësoj gjëra të reja. Edhe sot mësova disa gjëra të reja që do të më vlejnë për të ardhmen. Është kënaqësi të takohem edhe me drejtues të tjerë të besimeve këtu në Korçë me të cilët kemi patur dhe një drekë gjatë ditës së sotme. Ashtu sikurse ishte kënaqësi që pashë që Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj mori pjesë në të gjithë ceremoninë e “Ujit të Bekuar” sepse nuk ka bekim më të madh për popullin tonë se sa kjo bashkëjetesë fetare.

Gazetarja: Ndërkohë, zoti President në mbyllje të vitit të kaluar ju kryet një akt i cili kishte munguar me vite me radhë. Të paktën kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama dhënien e shtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në fakt politika e rangut të lartë e të dy vendeve e ka përshëndetur këtë veprim tuajin, por ka pasur edhe zëra kundër. A ka qenë kjo një lëvizje e duhur në momentin e duhur?

Presidenti Meta: Jam mjaft i bindur për aktin që kam bërë, i cili nuk ka qenë thjesh një akt procedural apo ligjor sepse në këtë drejtim Fortlumturia e Tij Janullatos i ka plotësuar kushtet ligjore prej shumë kohësh, por ka qenë dhe një akt publik, jo rastësisht në vigjilje të Krishtlindjeve për të shtuar edhe më shumë edhe gëzimin e të gjithë besimtarëve ortodoksë. Ishte një akt në radhë të parë si detyrim ndaj Kishës sonë Ortodokse Autoqefale, e cila është ringritur nga hiri i trashëguar nga sistemi komunist nga këto 25 vite, dhe së dyti një detyrim nda gjithë besimtarëve tanë ortodoksë dhe natyrisht dhe një vlerësim për gjithçka është bërë në lidershipin e kësaj figure të ndritur.
Përsa i takon kundërshtimeve, paragjykimeve, ato janë mjaft absurde dhe ato nuk mund të na udhëheqin vendimet e mençura që duhet të ndërmarrim sepse jam i sigurt që në krye të kësaj kishe do të kishim pasur në vitin 1992 një italian apo një danez, do ta kishte marrë pasaportën shqiptare pa pritur 5 vjet, por që ditën e parë dhe të paragjykosh thjesht për shkak të origjinës një personalitet të këtyre përmasave, është tërësisht e papranueshme për një vend evropian. Jo vetëm për një vend evropian që ka një filozofi dhe një koncept tjetër për respektin ndaj besimeve dhe bashkëjetesën, por njëkohësisht për ne shqiptarët sepse ne jemi mirënjohës dhe duhet të tregojmë mirënjohjen tonë për atë transformim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur me Kishën Ortodokse Autoqefale në Shqipëri në 25 vjet. Kështu që, jam shumë i kënaqur për këtë akt që kemi bërë, dhe e theksoj përsëri që pas 20-30 vitesh do të kem përsëri një debat me grekët për këtë çështje, por pozita jonë do të jetë gjithmonë dhe më e fortë që Fortlumturia e Tij është shqiptar dhe do ta bëjmë edhe më shqiptar se sa jemi dhe ne për arsye sepse është një personalitet botëror, nuk është një personalitet thjesht fetar apo i ortodoksisë, por është një figurë e ndritur, është një filozof, një erudit që respektohet në të gjithë botën. Falë kësaj besueshmërie të tij është arritur ajo mbështetje e jashtëzakonshme për rindërtimin gati të 200 kishave të shkatërruara, të rrënuara, gati 150 të tjerave nga e para. Kujtojmë këtu Katedralen në qendër të Tiranës. Nuk ka në qendër të Tiranës vepër më të madhe në shërbim të qytetit, të jetës kulturore. Është bërë Pallati i Kulturës në kohën e marrëdhënieve më Bashkimin Sovjetik. Është bërë Pallati i Kongreseve në vitet ’80. Është Katedralja e Kishës Ortodokse Autoqefale, e cila është dhe një qendër kulturore që ofron aktivitete nga më të jashtëzakonshmet, më të larmishmet për të gjithë komunitetin, për të gjithë jetën kulturore, artistike, publike në vend dhe nuk është vetëm në shërbim të besimtarëve ortodoksë.

Gazetarja: Zoti Meta me ardhjen tuaj në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka qenë një kërkesë e përsëritur nga ana e Kryepeshkopit Janullatos për shtetësinë shqiptare apo keni qenë ju ai që e keni nxjerrë nga sirtarët këtë kërkesë?
Presidenti Meta: E vërteta është që ka qenë një kërkesë, por një kërkesë formale, sepse kërkesa ka qenë e depozituar prej kohësh. Ajo që unë dua të saktësoj është që, nuk ka patur një refuzim nga paraardhësit e mi të kësaj kërkesë, sepse ka dhe raste kur kërkesa refuzohet…
Gazetarja: Nuk ka pasur dhe një përgjigje.

Presidenti Meta: …por nuk ka pasur një dekretim. Pata kënaqësinë dhe përgjegjësinë që të firmosja një dekret, i cili është pritur jashtëzakonisht shumë mirë jo vetëm nga besimtarët ortodoksë, por nga të gjithë qytetarët, nga të gjithë ata që besojnë në Zot, sepse Zoti është një, pavarësisht besimeve të ndryshme dhe ata që luten për paqe, bashkëjetesë dhe harmoni.

Gazetarja: Do të kalojmë në një temë tjetër. Viti 2018 është përcaktuar si vit vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. Duket sikur marrëdhëniet midis forcave politike nuk janë aq të favorshme, çka është dhe një nga kushtet bazë të BE-së. Sa dhe si do të ndikoni ju si President i Republikës së Shqipërisë për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve dhe realizimin e kësaj aspirate gati 30-vjeçare të shqiptarëve?

Presidenti Meta: E gjithë jeta ime është e lidhur me integrimin evropian të Shqipërisë, që nga Lëvizja Studentore në dhjetor ‘90 ku bashkë me të gjithë bashkëmoshatarët e mi dolëm në këtë lëvizje me sloganin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Më pas në të gjithë aktivitetet, si Forumi i Rinisë Eurosocialiste që u krijua në ’92-shin. Më pas edhe një forcë e re politike Lëvizja Socialiste për Integrim dhe gjithçka i është dedikuar shërbimit të këtij projekti që natyrisht ka qenë për t’u realizuar shumë më i vështirë se çka unë kam menduar në fillimet e këtij angazhimi politik. Se kam menduar kurrë se Shqipëria në vitin 2017 do të jetë në këtë stad me BE-në.
Nëse në fillim të viteve ’90 dikush na thoshte që, do të bëheshim anëtarë të BE-së në 2005-ën na dukej si një deklaratë mjaft keqdashëse dhe dekurajuese, por proceset nuk kanë qenë të lehta sepse nuk kanë qenë të lehta dhe për vende të tjera. Për fat të keq ne i kemi bërë pak më të vështira dhe për shkak të konfliktit të brendshëm edhe atyre interesave të ngushta që kanë dëmtuar një konsensus për disa çështje madhore që mund t’i kishin dhënë një fizionomi tjetër vendit tonë, institucioneve tona, besueshmërisë sonë. Megjithatë duhet të bërë gjithçka për të mos humbur këtë mundësi. Pra, mundësinë që në qershor të kemi një vendim për çeljen e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe BE-së sepse do të ishte një humbje e madhe në kohë, në shpresë, në inkurajimin e të rinjve, të intelektualëve për të qëndruar këtu, për të krijuar këtu dhe për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet evropiane dhe të shkojnë ta kërkojnë Evropën në Evropë apo në vende të tjera.

Gazetarja: A mendoni se duhet një konsensus mes partive politike?

Presidenti Meta: Duhet të ketë patjetër. Kjo është përgjegjësi e dyanshme, është përgjegjësi e qeverisë sepse përgjegjësinë më të madhe e ka qeveria gjithmonë. Pa dyshim është dhe një përgjegjësi e opozitës sepse ajo është opozita e Shqipërisë dhe ajo duhet të jetë në shërbim të vendit dhe nuk është thjesht në funksion të një kundërvënie ndaj qeverisë për çdo rast. Ka raste kur debatet janë të domosdoshme dhe kur debatet nuk krijojnë pasoja për vendin. Debatet për buxhetin nuk kanë asnjë problem sepse qeveria ka shumicën për ta kaluar buxhetin, por dhe rrisin transparencën dhe bëjnë më të qarta dallimet për politika ekonomike apo sociale, të ndryshme të qytetarëve. Kur bëhet fjalë për çështje më të mëdha siç është reforma në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucione tepër të rëndësishme kushtetuese dhe reformë që duhet të japë patjetër rezultate pozitive, kjo është detyrim i të dy palëve që të ulen dhe të zbatojnë me korrektësi ato ndryshime kushtetuese që janë miratuar me konsensus larg nxitjes së konfliktualitetit. Për t’u konfliktuar është gjëja më e thjeshtë, por detyra për çështje të tilla është për t’u marrë vesh, jo për t’u konfliktuar pa fund.

Gazetarja: Kjo është dhe ajo çka presin edhe shqiptarët jo vetëm nga qeveria, por dhe nga opozita, pra të ecin përpara.
Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim, mesazhet e mia kanë qenë gjithmonë për bashkëpunim. Unë jam gjithmonë në dispozicion të nxitjes të frymës së bashkëpunimit dhe të lualitetit për çështje më të mëdha që janë në interes të vendit. Për çështje të tjera të ditës, vendi ka dy palë; ka dhe qeveri, ka dhe opozitë dhe sigurisht që është shumë mirë që kemi opozitë se sa mos kemi. Kemi provuar pa opozitë 50 vite.

Gazetarja: Zoti President, gjatë vizitave tuaja kemi vënë re që jeni të shoqëruar nga prefektët dhe kryetarët e qarqeve. A është ky një sinjal bashkëpunimi politik me Kryeministrin apo është dhe një mesazh bashkëpunimi ndërinstitucional?
Presidenti Meta: Unë jam i hapur në bashkëpunim me të gjithë dhe nuk e kuptoj pse një pyetje e tillë. Në çdo aktivitet që unë zhvilloj si President kudo në Tiranë, nëpër qarqe përfaqësuesit e qeverisë, të pushtetit vendor, deputetë të forcave të ndryshme politike, përfaqësues të besimeve fetare, të gjithë janë të mirëpritur, varet dhe nga natyra dhe lloji i aktivitetit. Për mua ka qenë kënaqësi për të qenë me Prefektin e Korçës këto ditë, me Kryetaren e Qarkut dhe me gjithë përfaqësuesit e tjerë. Ashtu sikurse ka qenë kënaqësi shumë e veçantë për t’u takuar me grupin “Lira” që është…

Gazetarja: Simbol identitar

Presidenti Meta: Jo vetëm simbol identitar, është një energji tepër pozitive. Me shumë grupime të tjera kulturore. Besoj se do kem dhe takime të tjera.

Gazetarja: Kjo do të thotë se do të vini më shpesh në rajonin e Korçës? Presim edhe një vizitë tuajën dhe në zona të largëta si Leskoviku apo do të kemi një kujdes të veçantë vetëm për minoritetet?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që unë do të jem kudo dhe ku do të ftohem, por dhe ku do ta çmoj vet të arsyeshme për të qenë prezent dhe për t’i kushtuar vëmendjen e duhur ngjarjeve, problemeve, tematikave të caktuara. Absolutisht që jam shumë i kënaqur që shikoj ndryshime pozitive. Kam qëndruar për herë të parë në një hotel të ri “Casa Gaçe”. U habita kur dikush më tha do shkojmë në një hotel interesant, përmbi Korçë, rrëzë Moravës. Nuk është se jam i apasionuar pas cilësisë apo standardit të hoteleve. Jam shumë i thjeshtë në këtë drejtim. Por, kur kam parë këtë hotel jam habitur sepse ishte vërtetë një standard i mrekullueshëm. Qëlloi që kisha dhe disa kolegë, disa miq të mi gazetarë dhe një nga ata më tha, – nuk do ishim më në Kolashinë, një vend në Mal të Zi, ku shkojnë shumë shqiptarë sepse ka ambiente shumë të mira. Këtu kam edhe malin, edhe borën, edhe qytetin, i kam të gjitha dhe kushte të mrekullueshme. Po kështu dhe pazari i Korçës, se nuk kam qenë tek pazari i përfunduar, aty ishte bërë gjithçka e këndshme sikur të ishe diku në Vjenë apo në një qytet tjetër.

Gazetarja: Në fakt janë të shumta hotelet dhe bujtinat, të cilat kanë investuar në këtë drejtim duke rritur mjaft lart standardet e tyre. Kjo edhe në përgjigje të kërkesës të lartë të turistëve të ardhur në Korçë.

Presidenti Meta: Janë të dyja të lidhura bashkë. Kur turisti vjen, gjen kushte të mira dhe ka një atmosferë tjetër, pa dyshim që bëhet një promovues i Korçës edhe në rrethin e vet shoqëror, miqësor si brenda vendit, si jashtë vendit dhe si tjerë dhe vjen më shpesh. Korça ka disa veçanti që pothuajse nuk i ka asnjë qytet tjetër në vendin tonë sidomos serenatat. Një organizim tepër të veçantë, të ngrohtë, lirik, por dhe patriotik, i ke të gjitha.

Gazetarja: Sot është dhe ditëlindja e një personaliteti shumë të madh jo vetëm për qarkun e Korçës, por edhe për të gjithë Shqipërinë, Fan Noli. A ka një mesazh nga ju në këtë ditë?

Presidenti Meta: Pa dyshim Fan Noli është një figurë emblematike dhe frymëzuese e vendit tonë në ditë të vështira dhe në shumë drejtime. E kemi kujtuar 6 janarin si ditën e lindjes së tij edhe me Mitropolitin e Korçës, i cili ka studiuar në Boston me përkrahjen e Fondacionit Fan Noli atje. Ka një lidhje shumë të veçantë, i cili më shpjegoi edhe ditën e lindjes së tij me emrin e tij të Shën Theofanit. Prandaj thashë që, sa herë takohem me Hirësinë e Tij mësoj gjëra të reja. Fan Noli është një frymëzim për lartësimin e kombit dhe për të vendosur interesat kombëtare mbi çdo interes tjetër dhe pa dyshim mesazhi i tij për forcimin, fuqizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë gjithmonë ka qenë në shërbim të kësaj çështjeje.

Gazetarja: Në fund do të doja dhe një mesazh për të gjithë banorët e qarkut të Korçës, por dhe më gjerë, për të gjithë teleshikuesit e Televizionit Korça.

Presidenti Meta: Meqenëse jemi në ditën e “Ujit të Bekuar”, urojmë që të jetë një vit i lumtur dhe i bekuar për të gjithë qytetarët e gjithë rajonit, qarkut të Korçës dhe një vit më i mirë, më i paqtë, më i begatë, më frymëzues dhe duhet të punojmë fort që të jetë dhe viti i çeljes së negociatave për anëtarësim në BE sepse ky është projekti më madhor, i cili na garanton një të ardhme të sigurt për vendin tonë dhe për fëmijët tanë.

Gazetarja: Zoti Meta unë ju falënderoj për këtë intervistë në Televizionin Korça dhe shpresoj t’ju kem sërish në studion tonë.

Presidenti Meta: Jam i bindur që do të jem sërish këtu, por dhe ju kur të vini ndonjëherë në Tiranë jeni të ftuar në Presidencë edhe për të marrë ndonjë prononcim edhe për të shkëmbyer ndonjë ide. Besoj që këto mesazhe të bashkëpunimit të përcillen kudo, mesazhet e mirëbesimit sepse kemi shumë nevojë për energji pozitive, në mënyrë që të fitojmë kohën e humbur dhe në mënyrë që të rinjtë tanë, fëmijët tanë të jetojnë dhe të ëndërrojnë që të jetojnë këtu. Kjo është tepër e rëndësishme dhe kjo është përgjegjësia jonë.

Share:
Reklama juaj