Home KRYESORE Me kë do të jesh të hënën, viktimën apo përdhunuesin?

Me kë do të jesh të hënën, viktimën apo përdhunuesin?

Nga Gentian Gaba

Me javën që mbyllet me një skandal të ri për mazhorancën, dhe në përpjekje për të qëndruar brenda prezumimit të pafajsisë, çdo person i bekuar me një gram arsye, do të ndodhej përballë kësaj dileme: Kemi të bëjmë me një grupim politik të goditur nga fati i keq, i cili prej pesë vitesh po tregohet i pamëshirshëm me të? Apo kemi të bëjmë me një mazhorancë që prej pesë vitesh është ekspozuar dhe investuar aq shumë me krimin, saqë ngjarjet me të cilën po njihemi me ritëm javor janë thjesht një pasojë e pashmangshme?

Nga të dyja, mund të qëndrojë vetëm njëra. Dhe, në Shqipërinë halleplotë, një fragment nga “Stuhia” e Shekspirit do të lehtësonte zgjedhjen: “Ferri është i zbrazët, të gjithë djajtë janë këtu.”

“Ferri” shqiptar u zbraz në vitin 2013, kur u siglua ujdia faustiane e Kryeministrit aktual me “djajtë”, jo për dashuri, si në veprën e Gëtes, por për pushtetin e tij. Nxori nga nënbota e errët e krimit shqiptar, që asnjherë nuk ka qenë i paktë, gjithë mujsharët që i duheshin për të themeluar “aleancën e qelbësirave”.

Kësodore, sikurse ndodh për aleancat parazgjedhore, edhe pakti me kriminelët u shndërrua në një aleancë qeverisëse. Secilit copën e tij, madje edhe me përfaqësim të drejtpërdrejtë në Parlament, bashki dhe këshilla bashkiakë.

Sikurse thuhet në Bibël: “ata që mbollën erë, po korrin sot furtunë”.

Djalli kësaj jave nuk erdhi me brirë, as me bisht apo me sfurk. Por në trajtën e një të riu, bir i një deputeti socialist, që dhunoi një vajzë njëzet e pesë vjeçare. Ngjarja dramatike mbushi të gjitha mediat e vendit, duke shkundur fort pozitat e numrit 2 të mazhorancës. Si ngahera, forca reaguese me të cilën mazhoranca menaxhon krizat ishte e rrufeshme. Mjeshtërisht e spostuan vëmendjen e opinionit publik nga dhunimi, tërheqja e padisë nga ana e vajzës, dhe gjendjes ende të lirë të dhunuesit, te debati politik që çështja ngriti, përfshirë këtu edhe taktikën e përhershme të cënimit të kredibilitetit të lajmësit, në këtë rast nënkomisarit Nuhu.

Pa hyrë në të gjitha trajektoret që kjo mesele mori, dhe aftësive propagandistike për ta trajtuar këtë dramë si një përplasje midis palëve politike; mazhoranca është e ndëshkuar të mos i shpëtojë dot çëshjtes morale dhe pasojave që kjo mbart. Dhunimi i përsëritur i një vajze dhe mbrojtja e dhunuesit nga pushteti me të cilin është i veshur i ati, nuk shuhen dot nga paditë e Ballës dhe sokëllimat e tij në studiot televizive. Deklaratat e deputetit Rraja, jo e jo.

Xhelozia, me të cilën përfaqësuesi në Parlamentin e Shqipërisë justifikon denoncimin e vajzës, ngjall po aq krupë sa imazhet me të cilat djali i tij kishte mbushur rrjetet sociale. Fotografi me kanabis, plumba që kompozojnë një emër vajze, dhe një shkrepje ku “Romeo” i Niklës zbraz kundër qiellit kallashnikovin e tij. Dukshëm, shfaqje të dalldisë që shkakton pushteti, dhe që konfirmohen nga shpëtimi prej denoncimit penal në vitin 2017, kur i qëndroi larg prangave ditën para zgjedhjeve të përgjithshme.

Me këtë biografi të pasur, sfidojnë sot ndërgjegjen publike dhe seriozitetin e inistitucioneve. Rraja është ende deputet, djali i tij ende i lirë, dhe drejtuesi më i lartë politik i mazhorancës hesht duke legjitimuar vargun e gjatë të abuzimeve mbi vajzën e dhunuar.

Nëse do të presim një gjest dinjiteti dhe morali, si dorëzimi i mandatit nga ana e deputetit apo dorëzim në komisariatin më të afërt nga ana e djalit të tij, do të silleshim sikur të kishim jetuar gjetkë këto vite.

E vetmja zgjidhje, apo ‘uji i shenjtë që mund të shporrë djajtë’, dhe aleatët e tyre, mund të jetë vetëm një, reagimi qytetar. Një ekzorcizëm që duhet ta kryejmë si shoqëri, duke nisur nga e hëna, në protestën e thirrur nga aktivistë të shoqërisë civile përballë Kryeministrisë. Nuk ka asnjë arsye për të mos qenë atje në orën 17:30, pasi është një ditë ku do të të na duhet të bëjmë një zgjedhje morale, jo midis të majtës dhe të djathtës, por midis përdhunuesit dhe viktimës.

Fatkeqësisht, diçka aspak e thjeshtë për shumëkënd këto kohë!/Politiko.al

Share: