Home KRYESORE « Jelekët e verdhë »/Pse po i vënë flakën Parisit?

« Jelekët e verdhë »/Pse po i vënë flakën Parisit?

Tubimi i së shtunës së tretë të protestës së “jelekëve të verdhë” (gilets jaunes) ka qenë më i egri dhe më shkatrrimtari i një revolte që zgjat që prej 17 nëntorit. Me 133 të plagosur dhe gati 378 persona të ndaluar nga policia ajo po krahasohet gjithnjë e më shumë me lëvizjet e famshme më Francë si revolucioni i 1830, komuna e parisit apo maji i 1968. Të gjitha ato kanë një symbol të vetëm: barrikadat e ngritura kundër pushtetit. Për të kuptuar pak më thellë valën shkatrrimtare që goditi edhe këtë të shtunë kryeqytetin francez, Lapsi. al i ka hedhur një sy gazetave më prestigjoze të globit.

Të gjitha kanë në faqe të parë shkatërrimet në Champs Elyse, dyqanet e djegura në Avenue Kleber, plaçkitjet e butikëve luksozë dhe zbythjen e policisë. “Parisi digjet ndërkohë që jelekët e verdhë manifestojnë në rrugë” shkruan Sunday Telegraph, “Guerileje anti Makron” vë titullin “La Republica”, “Jelekët e verdhë mbjellin kaos në Paris”, nënvizon El Mundo. (shiko poshtë faqet e para)

Po ç’është kjo lëvizje që po trondit Francën?

Ajo filloi spontanisht pas vendimit të qeverisë së presidentit Makron për të ngritur çmimin e karburanteve. Kjo rritje u arsyetua me idenë e mbrojtjes së planetit, përdorimit më pak të makinave për të shmangur atë që më katastrofistët e quajnë si fundi i planetit për shkak të ngrohjes globale. « Në nuk kemi hallin e fundit të botës, por atë të mbylljes së fundit të muajit » u përgjigjën protestuesit. Kryesisht ata, kërkesat e të cilëve mbështeten në 2 francezë në 3, vijnë nga shtresat e ulta, nga puntorë që paguhen me rrogat dysheme, nga ata që marrin pensione të ulta, nga ata që janë të vendosur në zonat rurale dhe që u duket se janë anashkaluar nga vendimarja e banorëve të metropoleve.

Kryesisht, mëria e tyre më e madhe është ndaj presidentit Makron që u zgjodh gjithë shpresë në majin e një viti e gjysëm më parë, por që sot gjithnjë e më shumë po njihet me epitetin si “presidenti i të pasurve” për shkak të lehtësivë fiskale që po krijon për tështresën më të kamur të vendit.

Pikërisht kjo ka bërë që në lëvizjen që ka marrë emrin e jelekëve që protestuesit mbajnë veshur, të ketë edhe të margjinalizuar, edhe të papunë, edhe fshatarë edhe puntorë edhe ekstremistë të majtë edhe homologë të tyre të djathtë edhe nga ata që nuk kanë votuar kurë. Nëse mes kësaj turme do të kërkohej të gjehej një gjë që kishin të përbashkët do të qe shumë e vështirë, ndse do të kërkohej një gjë ndaj të cilës ishin kundër, do të qe shume e lehtë: presidenti i Francës. “Ata kanë zgjedhur ngjyrën e verdhë, pikërisht, sepse nuk janë as të kuq, as blu, as të gjelbërt, pra të asnjë force politike ekzistente” shkruante në editorialin e tij që Lapsi.al e ka lexuar, Laurent Joffrin drejtoi i së përditshmes së qendrës së majtë Liberation.

Çfarë kërkojnë jelekët e verdhë

Ata që bllokojnë pothuajse gjithë rrugët e Francës dhe që i vunë për të shtunën e dytë radhasi flakën Parisit, u ngritën të protestojnë për rritjen e çmimit të karburantit, por tani kërkesat janë shtuar. Të gjithë vëzhguesit bien dakord se kërkesat e kësaj turme nuk janë të identifikueshme, se ato ndryshojnë dhe shtohen dita ditës, se fakti që ata nuk pranojnë të kenë lider (edhe një delegacion që u caktua për të bashkëbiseduar me kryeministrin Philip, u shfuqizua nga shumica) nuk e kanallizon dot mllefin e tyre. Por kërkesat më shumë të artikuluara janë ndryshimi i politikave fiskale, më shumë taksa për të pasurit, pagë minimale më të larat që mundësojnë një jetë më dinjitoze, më shumë vëmendje dhe më pak injorim nga politikanët vendimarës.

Ç’pritet të ndodhë?

Ndërsa do të vazhdojnë tubimet dhe bllokimin e rrugëve kryesore gjatë gjithë ditëve, protestuesit kanë shpallur një tjetër manifestim në Paris të shtunën e ardhshme. Një zaptim i ri i Harkut të Triumfit, një dyndje e re në bulevardin më të bukur në botë do të ishte një shuplakë e turpshme për qeverinë francize. Duke u nisur nga ajo që ndodhi, ajo po parasheh shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërkohë që nga ana propogandistike qeveria po përpiqet të luajë me diskreditimin e manifestimit në dhunë, cënim të pronës dhe grabitje. Ndërkohë partitë opozitare “Bashkimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë dhe “Franca e papërkulur e të majtit po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Popullariteti i presidentit Emannuel Macron është në kuotat e tij më të ulëta që prej majit 2017./Lapsi.al

Share: