Home I pakategorizuar Aurel Plasari, qasje qe vetem lajm nuk perben…

Aurel Plasari, qasje qe vetem lajm nuk perben…

Kjo qasje nuk “përbën lajm”. Përbën thjesht një përshtypje që çon në keqinterpretim. Jo se patosi nacionalist nuk është i bukur në vetvete, por këtu nuk hyn. Të gjitha bibliotekat kombëtare funksionojnë në bazë të legjislacioneve shtetërore. Po kështu edhe institucione të tjera të rëndësishme që quhen kombëtare. Për shembull Banka Kombëtare e Shqipërisë etj. Emërtimi “Nacional” (kombëtar) në shumë institucione të vjetra dhe të reja Euro-perëndimore nënkupton pikërisht bazën shtetërore të tyre, funksionimin mbi legjislacionin e shtetit përkatës.

Shtetësia nuk është kusht për të qenë përdorues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, po ashtu edhe të asnjë biblioteke kombëtare në Europë dhe përtej. Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë ka jo pak anëtarë që nuk janë shtetas Shqiptarë, pavarësisht se të çfarë shtetësie janë. Kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe për përdorues të tillë BKSh ka edhe statistikat përkatëse të përdorimit: kush lë të kuptohet ndryshe, gënjen.

Shtetësia është kusht vetëm për njërin nga shërbimet që BKSh kryen: marrjen e librave (pasurisë) me vete nga përdoruesit, detyrimin për kthimin e tyre, ndjekjen e debitorëve dhe kryerjen e dëmshpërblimit në raste humbjesh, dëmtimesh etj. Këto të fundit mund të kryhen vetëm në bazë të legjislacionit mbi huamarrjen në çdo shtet përkatës, në Republikën e Shqipërisë ose të cilitdo shteti. Më konkretisht: nëse z. Nura rezulton debitor për vlera që i ka marrë hua (me vete) nga Biblioteka, atë specialistët e BKSh kanë si e ndjekin në bazë të legjislacionit të shtetit shqiptar. Nëse z. Nura do të shkojë të anëtarësohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, edhe atje do t’i ofrojnë disa shërbime, por jo huamarrjen.

Shërbimet e tjera, brenda mjediseve të BKSh sigurisht që janë të lira. Për kureshtje: ka mjaft biblioteka kombëtare që nuk e ofrojnë fare këtë shërbim. Bibliotekë Kombëtare, për shembull, ka edhe Kosova dhe ajo nuk ua ofron përdoruesve të saj këtë shërbim. BKSh vazhdon ta ofrojë edhe për shkak se Tirana, i vetmi kryeqytet në Europë, nuk e ka ende një bibliotekë publike. Dhe ky shërbim ka si kusht të domosdoshëm vetëm rregullimin e nxjerrjes së vlerave që dalin nga Biblioteka dhe kthimin e tyre nëpërmjet legjislacionit që vepron brenda kufijve shtetërorë të vlerave që dalin nga biblioteka nëpërmjet legjislacionit shqiptar për huamarrjen. Ndryshe kujtesat kombëtare që ruajnë të gjitha bibliotekat kombëtare nuk do të ishin ruajtur, sikurse ajo e BKSh tanimë më shumë se pesëshekullore.

Në Shqipërinë e mbas ’90-s është regjistruar një varg i gjatë dëmtimesh dhe madje humbjesh të pasurisë kombëtare: që nga reparte arkeologjike, artefakte muzesh, ikona e ikonografi, koleksionesh piktorike dhe me radhë, për të cilat ekzistojnë lista kërkimi kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këto lista nuk rezulton asnjë humbje e tillë nga koleksionet e Vlerave të Rralla të Bibliotekës Kombëtare dhe kjo falë punës së ndërgjegjshme të disa brezave punonjësish e specialistësh të saj në zbatim korrekt të ligjeve të shtetit shqiptar për mirë-menaxhimin e pasurisë kombëtare.

Share: