Home KRYESORE Aleksandër Frangaj është single…sipas AMA-s…

Aleksandër Frangaj është single…sipas AMA-s…

Nga Endira Bushati

Shumë i famshmi neni 62 i ligjit të medias përmban një kufizim të qartë pronësie për mediat audiovizive: Asnjë person fizik apo juridik nuk duhet të ketë më shumë se 40% të aksioneve në shoqërinë aksionare që ka licencë kombëtare. Dhe aksionar, në këtë kuptim do të quhen të gjithë personat e lidhur deri në shkallë të dytë. Pra, shkurtimisht, një familje nuk mund të ketë më shumë se 40% të aksioneve në një licencë kombëtare.

Dhe, sipas ligjit, nuk mund të ketë më shumë se 20% të aksioneve në një licencë të dytë kombëtare! Ky nen garanton pluralizmin dhe mospërqendrimin në pak duar të medias.

Në maj 2015, Balla paraqiti një amendament për shfuqizimin e këtij neni, në koordinim të plotë me AMAn, Digitalbin, Top Channel dhe Klanin (sigurisht). Gjithçka, çdo mjet e çdo forme, që këta subjekte të merrnin 4 nga 5 licencat në garë. Pas dështimit me turp që ky amendament të miratohej, falë ndërhyrjes së OSBE, BE dhe KiE, Kryetari i AMAs zvarriti për 6 muaj rresht me lloj lloj arsyesh, mbylljen e procedurës për moslicencimin e këtyre subjekteve, pikërisht se këta nuk respektonin nenin 62.

Dhe projektvendimet përmbanin pikërisht moslicencimin deri në mbledhjen e AMAs të Dhjetorit 2015. Në këtë mbledhje, Kryetari i AMAs e shtyu këtë vendimmarrje për mbledhjen tjetër se “ishin lodhur”….

Dhe, hera tjetër erdhi më 27 janar……por, tashmë Top Channel, Digitalbi dhe Klani u bënë Të Licencueshëm! Kështu, më 16 janar 2016, V.Hoxha me dy vajzat e saj, aksionere të Digitalb, i dhuruan aksionet e tyre tek shoqëria “Loresa” sh.p.k..

Loresa tashmë është Aksionare e Digitalbit. Po gjeni kush janë ortakët e Shoqërisë Loresa? V.Hoxha me dy vajzat! Por, AMA nuk e shkruan këtë fakt askund! Nga ana tjetër, aksionarë të TV Klan janë Sandër Frangaj dhe A. Gina me nga 40% të aksioneve secili, pra, të dy bashkë 80% të aksioneve!

Përveç 3 fëmijëve që dihet botërisht që kanë bashkë këta dy shtetas, AMA ka harruar t’u kërkojë çertifikatat familjare….

Mbledhja e 27 janarit u shty përsëri për 1 shkurt!

Nëse këto propozime të Kryetarit të AMAs miratohen në Këshill, jo vetëm që do të ishin në kundërshtim flagrant me ligjin, por do të ishin fundi i një historie të turpshme që filloi me heqjen e kryetares së AMAs me çdo mjet e me çdo kusht, vendosjen e njeriut të Digitalbit në krye të institucionit dhe ndarjen e frekuencave në kundërshtim dhe mashtrim të ligjit!

Share: