Home KRYESORE Përse i duhet Ramës një mandat i dytë qeverisës?

Përse i duhet Ramës një mandat i dytë qeverisës?

Nga Artur Zheji

Po, është e vërtetë, kryeministrit të sotëm i duhet një mandat i dytë qeverisës dhe në mbarim të këtij mandati, do të vijë edhe i treti, sepse fusha e kundërshtarëve, rivalëve apo konkurentëve të tij politikë, do të jetë pastruar krejtësisht ndërkohë.

Kush thotë, si një berihaj i Ramës, se ky mandat i dytë qeverisës, do të ishte i dobishëm për përmbylljen e “Reformave”, gënjen në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe niset nga përfitime vetjake të drejtëpërdrejta.

Po, Rama e ka një plan dhe për këtë, dembelët duhet të lexojnë me një sy ndryshe librin e tij ”Kurbani”, që është në të vërtetë një platformë ambicioze dhe e mirëshkruar, që përvijohet në dy kollona kryesore:

E para, se kush janë “armiqtë e tij politikë”, që ai duhet të shfarosë, në rrugëtimin e vet, drejt pushtetit absolut në krye te Shqipërisë. Dhe aty ka një përshkrim përbuzës, cinik dhe plot mllef të tyre, si një pengesë të rrugës së tij, armiq që ai, Rama, përbetohet ti shpërbëjë deri në fund, ku dhe spikat dyshja e “mallkuar” Berisha-Meta.

E dyta, nëpër rreshta dhe në mes tyre, lexohet këndvështrimi nga lart poshtë, ku autori e vendos veten si një gjykatës, e pra nga një pikë më e lartë se të tjerët, në gjykimin final. Por kujdes, “Gjykatësi”, mbasi gjykon me ashpërsi, përbuzje, nihilizëm dhe pothujase ngërdheshje, pjesën gri, të zezë, injorante, barkderre, shkurtabiqe, tartabiqe, vemje apo shushunjë të shqiptarëve, nuk mbetet më “gjykatës”, por zbret në fushë si egzekutor i vendimit që jep ai vetë si gjykatës.

Pra akuzatori, Rama autor, atëherë Rama kryetar Opozite, sot kryeministër, është edhe gjykatës, edhe përmbarues i vendimit me “vdekje” të kundërshtarve dështakë që e sollën Shqipërinë në këtë derexhe, edhe, njëkohësisht lënda mbushëse “ideologjike dhe vizionare”, e Shqipërisë së Re të Rilindjes, ku Mesia pra, ose i Dërguari i Posaçëm, qëndron ai vetë dhe askush tjetër.

Një traktat vetadhurimi apo autoidolatrie më të përsosur, vështirë se gjindet në trevat shqiptare dhe për këtë Rama, padyshim e ka një meritë të dorës së parë.

Sepse ai e ka një Hartë, e ka një Busull, e ka një Trajektore dhe një Manual të qartë dhe të parashkruar veprimi, të cilin ai, ndryshe nga kundërshtarët e tij, që bëjnë më shumë një politikë të Përditshme, po e vendos në zbatim.

Dhe falë kësaj Harte dhe kësaj Trajektoreje të qartë, ai, hap pas hapi dhe në krye të një partie t’madhe dhe të bëshme si PS, me ca burokratë të dhjamur tenderave e pushteteve të herëpashershme dhe që janë kryesisht miopë e të zakonshëm, nuk ka pengesa për të dominuar, për ti tërhequr zvarrë apo për ti sygjestionuar.

Nuk ka rëndëi nëse ishte Henri Çili, apo tani së fundi edhe rrogëtarët e tij të veckël, që e nxorrën në treg, falë dëshpërimit të tij apo të tyre si sipërmarrës, tezën e Mandatit të Dytë, sepse gjithmonë, në gojën apo vullnetin e tyre të thyer, është diktati real i kryeministrit, që edhe i bën me “faj” dhe u jep edhe “pafajsinë” në të njejtën kohë.

Ndoshta edhe unë si edhe mjaft të tjerë, në vitin e parë dhe të dytë, kur e pamë vullnet mirë kryeshefin, si një spastrues me dorë të hekurt të mjaft pisllëqeve urbane, një turp i Orientit më të dreqosur dhe të pushtimeve të paskrupullta të bregdetit e duartrokitëm.

Sepse mullari i abuzimeve ishte bërë vërtet një kryeshëmtirë e përditshme, që kërkonte tritol, fadroma dhe eskavatorë, por edhe Drejtësi të barazlarguar njëkohësisht. Por gjithësesi virusi pozitiv që po mbillej, herët a vonë do të kapte edhe abuzonjësit e thekur me karton të PS, mendohej ende pozitivisht asokohe.

Por dekadenca e shpejtë, e vitit të tretë dhe tash në konsumim të vitit të katërt të qeverisjes, e nxorri shpejt bojën fillestare dhe kjo ishte e dhimbshme. Borxhlinjtë trokitën në derë të tij dhe kërkuan llokmën e premtuar. Dhe ai, punoi fare mirë për llokmën e tyre, duke dreqosur me shpejtësi cdo gjë.

Filloi në mënyrë naïve, me armët kimike siriane, ku dhe pati një zbythje të shpejtë, por emërimet në Dogana dhe tatime, ishin të marrëzishme, spektakël me kukulla dhe marjoneta dhe vetëm dështime.

Vazhdoi me devijimin e fadromave te ndërtimet abuzive të miqve dhe të mbështetësve të tij dhe me karton rozë të PS.

Eci më tej me akrobacira korruptive në energjitikë, Armo, Bankers, shoqëruar me qindra miliona dollarë gropa financiare.

Ja mbërritën me shpejtësi, përpirja e qindra miliona euro të tjera, koncesioneve. Në të ashtuquajturën politikë liberale dhe në bashkëpunimin treg-shtet në shëndetësi dhe për çudi, ose për aspak çudi, lekët e popullit, shkuan te Miqtë dhe Mikeshat me karton rozë të PS, edhe ato.

Pastaj ju kthye Plehrave që pastroi ditët e para të pushtetit të vet.

Tre vite më parë i nxori nga dera e madhe dhe e bujshme, plot retorikë dhe përbetime dhe më pas ja vuri në shpinë Shalsi derëziut dhe kumbarë Bares, rikthimin e fustanit të zi të turpit, të dasmës me kryedjallin e Mafies Ndërkombëtare të plehrave!

Me vetëbesimin e marrë, se populli e ha edhe këtë. Mjafton ca fjalime të thekura, andej këtej, me lojën verbale se plehrat nuk janë mbetje dhe se mbetjet, pastrojnë plehrat!

Por populli e rrëzoi!

Për kanabizimin nuk po flas, se kjo temë ka kaluar në overdozë.

E pra, një mandat i dytë?

Për të shfarosur Berishë, Metë dhe Bashë, që janë pengesë. Që gjykatësi, përmbaruesi dhe rilindasi të jenë vetëm Një, ai vetë pra, gjysëm mbreti i shqiptarëve.

Ja vlen që eksperimenti Rama të shkojë më tej?

Dhe të shohim kështu, përdhosjen përfundimtare të mediave, pasurimin e mëtejshëm të të pasurve, rradhat e shqiptarëve që emigrojnë ku të munden dhe ngritjen e piramidave në zemër të qyteteve, për të përjetësuar pushtetin e tij?

Që të themelojmë një dinasti të re pasanikësh dhe të përfundojmë të shtypur nga Range Roverat 100.000 eurshe, të fëmijëve të tyre të llastuar dhe të çakërdisur?

Më mirë kthehemi në “mediokritetin” shplodhës të ambicieve më të përmbajtura që nuk synon Gjithëpushtetin! Edhe për Ramën, do të ishte më mirë.

Sikur edhe Rama ta dinte këtë, do të ishte bashkëpunues dhe do të kthehej në stolin e rezervave ca kohë, e të vishte tutat që të mos ftohej nga djersitja e tepërt e kësaj gare të pallogjikshme dhe të humbur!

Share: