Home KRYESORE Rama mes elefantit nacionalist dhe miut qesharak sofist

Rama mes elefantit nacionalist dhe miut qesharak sofist

Nga Poli Hoxha

Duke qenë me vetëbesim të plotë, se ashtu si vepron brenda vendit me retorikën e tij boshe të lustrimit të realitetit mund të funksionojë edhe me diplomacinë rajonale, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vazhdon të luajë kartën e nacionalistit të madh për konsum të brendshëm dhe atë të europianistit apo sofistit, kur i duhet të përballët realisht me fqinjët. Përdridhet dhe luan herë me Kosovën, e herë me Çamërinë.

Por kur vjen puna për çështje konkrete si linja e interkonjuksionit Shqipëri-Kosovë, që “miku i im Aleksandër” e bllokon pa ja ndjerë fare për “liderin Ballkanik”, si dhe votën greke për BE-në, elefanti bëhet mi dhe nis e spërdridhet, duke qarë në kancelarinë e Merkelit dhe “dërguar zile” në telefonin e kryeministrit grek.

Mbrëmë gjatë intervistës për televizionin grek Skay, pamë një Ramë të zbythur përballë Greqisë, por njëkohësisht të kujdesshëm që të prekë telat nacionalistë të shqiptarëve brenda vendit, me gjëra të vogla sentimentale. Përpara kësaj interviste, shumëkush priste një përplasje të fortë të kryeministrit tonë me gazetarin grek për të vetmet çështje të vërtetë që ekziston mes dy vendeve; ajo çame.

Nuk ndodhi dhe jo për shkak se Rama ja mbylli gojën intervistuesit me argumente, por sepse Rama e drodhi turpshëm dhe ja mbathi nga thelbi dhe ato që u thoshte shqiptarëve pak ditë më parë. Pritej nga shumëkush një diçka ndryshe, nisur nga shtrati që vetë ai kishte shtruar gjatë kohëve të fundit, duke u artikuluar me zë të trashur ndaj fqinjëve.

Pasi postoi një gravurë në faqen e tij në Facebook ku shfaqej shqiptari Gjergj Dushmani si shpëtimtar i Akropolit, një furi kritikash dhe sulmesh plasi nga media dhe politika greke kundër tij. Por çfarë bëri Rama? Paralajmëroi se përgjigjen “flakë për flakë” do ta jepte në parlament, ku vërtet mbajti një fjalim të gjatë patetik-nacionalist për Çamërinë e Himarën duke vështruar egër në sy Vangjel Dulen dhe ëmbël Shpëtim Idrizin.

“Bravo i qoftë, më në fund doli një burrë që t`ja vërë këmbët në një këpucë fodullëve grekë”-delironin ata që e dëgjonin live në televizion. Por mbrëmë përballë opinionit grek pamë një nacionalist që “ishte përkthyer keq”, nga shqipja në greqisht. Dhe për të qenë i saktë këtë herë, i tregoi problemet historike që kemi me Greqinë në anglisht.

Sipas Ramës “në anglisht” që më pas përkthehej në greqisht për veshët e Tsipras, çështja çame vërtet është një problem mes dy vendeve, por kjo gjë mund të zgjidhet fare mirë nëse fqinjët tanë i lejojnë pleqtë 80 vjeçar të përzënë nga shtëpitë e tyre me zjarr e hekur, të mos pengohen të bëjnë një xhiro përtej kufirit dhe të shohin edhe njëherë përpara se të vdesin, tokat e gjyshërve të tyre.

Pra hiç më pak e hiç më shumë, sipas Ramës në anglisht dhe përkthyer në greqisht, “çështja çame” është një problem turistik!

Asnjë fjalë për pronat e shumta të mohuara dhe tjetërsimin e tyre. Shumëkush mund të na thotë, që “ja bëri fora” se përmendi në televizioni grek ligjin e luftës, që mbahet në mënyrë absurd nga fqinjët tanë. Po cili paraardhës i tij nuk e ka bërë këtë dhe jo në studion televizive, por në takime zyrtare?

Dhe akoma më zi; asnjë artikulim për 700 mijë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi të cilëve ju ulin trarin, sa herë mërziten grekët kur Rama për kunj të Metës, i shkel syrin Idrizit.

Në fund të fundit çështja e ligjit të luftës në thelb është e njëjta gjë, me çështjen çame. Nëse ti sfumon këtë problem madhor, thjesht në një histori sentimentale të pleqve që nuk mund të shkojnë të shohin përherë të fundit shtëpitë ku kanë lindur, atëherë është e kuptueshme se përse gazetari grek nuk e ngacmoi më tej dhe thjesht buzëqeshi, i kënaqur nga përgjigjja. Sepse Rama u dërgoi grekëve mesazhin; mos ma vini re kur bëj supernacionalistin në parlamentin shqiptar ku e kam hallin te votat e Metës dhe Idrizit, as në Facebook-un tim elektoral.

Prandaj Andi Bushati në një nga të rrallat herë, ja ka futur kot në editorialin e tij për këtë intervistë, kur thotë për gazetarin grek se ra në kurthin e kryeministrit shqiptar. Nuk është aspak kështu; gazetari, Tsiprasi dhe gjithë grekët dëgjuan nga Rama pikërisht atë që donin ata; se “çështja çame” është një histori pleqsh që nuk lejohen të bëjnë një xhiro në Greqi!

E njëjta gjë, edhe me historinë e Gjergj Dushmanit. Pasi provokoi një debat të madh këtej e andej kufijve, mbrëmë në mënyrë qesharake e katandisi elefantin nacionalist në një mi sofist.

“Gjergj Dushmani mund të kishte qenë grek, kinez, por ndodhi që ishte shqiptarë. Nuk doja të thosha që shqiptarët shpëtuan Greqinë, doja thjesht të thosha se jetët tona kanë qenë të ndërlidhura”, tha Rama i zbythur edhe për këtë çështje, duke bërë sërish gazetarin grek të buzëqesh dhe të mos e ngacmojë më këtë temë.

Po mbrëmë në të njëjtën intervistë Rama tregoi, se sa të lehtë e ka që të shndërrohet nga nacionalist elektoral në pragmatist dhe servil, vetëm pas një trashje zëri nga ana e Tsiprasit, në një telefonatë të lobuar me zor nga Rama.

Kur u pyet për “Shqipërinë e Madhe”, ai përcaktoi edhe hartën se ku jetojnë dhe kanë banuar ata tradicionalisht.

“Ne kemi një histori shumë interesante, duke qenë se jemi një komb me dy shtete. Ka shqiptarë në Maqedoni, Mal të Zi”, tha Rama duke harruar jo rastësisht në artikulimin e tij anglisht të destinuar për përkthim në greqisht, shqiptarët dhe çështjet e tyre të mohuara në Greqi dhe Serbi, siç është Presheva dhe Bujanovci.

Dihet se shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi tashmë janë institucionalizuar si kombësi në shtetet respektive, çështja është të qëndrosh stoik ndaj atyre që ti mohojnë.

Ky pra është Rama, një nacionalist elektoral për shqiptarët dhe një nacionalist sofist dhe qesharak për grekët dhe serbët. Elefant, kur do të kërcënojë Metën me Shpëtim Idrizin dhe mi kur telefonon Tsiprasin dhe dëgjon nga ai vetëm një fjalë; kujdes kur broçkullit!

Share: