Home KRYESORE Dëshmia e Princ Lekës: 25-vjeçarja e fiksuar pas meje hynte natën në...

Dëshmia e Princ Lekës: 25-vjeçarja e fiksuar pas meje hynte natën në rezidencë

Princ Leka ka treguar me detaje në polici dhe prokurori gjithë peripecitë që ai dhe gruaja e tij, Elia kanë hequr në kurriz nga një vajzë tashmë e dënuar me 6 muaj burg, pasi i përndiqte dhe kërcënonte vazhdimisht.

Në dëshminë e tij zbardhur sot nga gazeta Panorama, Princ Leka tregon momentin e parë kur e ka parë vajzën, Fitore Bekteshi 25, vjeç, që më pas iu bë makth për një vit dhe desh i bëri skandal edhe ditën e dasmës.

“Prej më shumë se një viti, shtetasja Bekteshi na përndjek të dyve. Emrin e saj e kam mësuar nga policia vetëm pas arrestimit të saj. Me veprime konkrete fillimisht ka qëndruar vetëm para rezidencës sonë të banimit, e ulur te lokali ‘Millenium’, afër gardhit rrethues të rezidencës.

Pastaj ka lëvizur shpeshherë te pjesa prapa Galerisë së Arteve. Rrinte qeshte dhe tentonte të tërhiqte vëmendjen time. Fjalë nuk më ka hedhur në atë kohë. Komunikimi i saj me mua filloi gjatë dimrit të kaluar, kur filloi të më ndiqte edhe kur isha me makinë dhe ajo vinte nga pas me biçikletë.

Një herë te një supermarket, ndërkohë që unë isha brenda, ajo bënte sikur bënte pazarin me mua. Pastaj më shikonte në rrugë më buzëqeshte. I vetmi komunikim me të kam pasur një herë dhe shoqëruesi im i ka thënë të largohej, kjo ka ndodhur te rezidenca jonë dhe në ato momente, ajo ka filluar të bërtasë duke thënë se ishte qytetare e lirë dhe ka të drejtë të ecë në rrugë dhe të mos cenohet në lirinë e saj. Bile ajo u thoshte rojeve se më donte dhe bërtiste me të madhe që ta dëgjonin njerëzit. …

Përmend dhe rastin që ka ndodhur te restorant ‘TAIWAN’, ku unë menjëherë kam lajmëruar punonjësit aty që të kenë kujdes. Ajo atë ditë u shpreh shumë e nervozuar, sidomos nisur nga fakti që isha i shoqëruar nga Elia. Ajo edhe kur ecim rrugës unë dhe Elia, i afrohet Elias dhe i ecën paralel dhe me trupin e saj prek krahun e Elias. I them të largohet, por ajo vazhdon me të sajën.

Kur jemi kthyer nga një aktivitet dhe kemi ngrënë darkë në kat të dytë te ‘TAIVAN’, ajo është ulur po aty, nuk ka porositur asgjë, është larguar nga restoranti.

Ka qenë dimër shumë ftohtë dhe jam informuar nga rojet se ka fjetur atë natë në natyrë përjashta prapa Galerisë së Arteve. Është futur disa herë brenda kompleksit tonë rezidencial që është i rrethuar dhe ruhet me roje dhe kamera, dyshoj se është futur nga ana e godinës që ne e kemi dhënë me qira, i është afruar edhe gardhit sa herë që dalim në oborr jemi në vëzhgimin e saj. …

Një herë isha në lulishten e oborrit të shtëpisë bashkë me vëllanë e Elias dhe e pashë këtë shtetase duke lëvizur brenda rrethimit të gardhit tonë te pjesa që ne e kishim dhënë me qira. Po atë ditë ishte pushim dhe dera normalisht duhej të ishte mbyllur. Ka qenë ditë e diel, jam afruar te gardhi dhe e pashë i thashë se çfarë po bën, por ajo nuk m’u përgjigj.

I thashë të ikte se do thërrisja policinë. Ajo përsëri rrinte aty më shikonte, buzëqeshte dhe nuk lëvizte. Unë njoftova rojen dhe ajo ka ikur nga ana e shtëpisë së Libohovëve. Pasi është arrestuar dhe vendosur nën masën e sigurisë, ajo nuk është dukur më dhe nuk na ka shqetësuar deri ditën e dasmës sonë, kur ka ardhur në ceremoni dhe i ka thënë Elias në distancë se ‘mund ta kesh fustanin e bukur, por kjo nuk të bën njeri të bukur’.

Ishte në një gjendje histerike atë ditë dhe shumë e acaruar, me fytyrë të nxirë e veshur me të zeza si për në varreza. U largua prej aty vetëm me ndërhyrjen e njerëzve të sigurisë për të mos bërë skandal në sy të të ftuarve dhe medias”. /panorama/

Share: