Home KRYESORE Pushteti kriminal që vret!

Pushteti kriminal që vret!

Nga Jeta Toçila

Kur në krye të një vendi, është një njeri që nuk i dridhet qerpiku dhe nuk i shfaqet asnjë pikë dhembshurie në portretin e tij, edhe kur rrugët mbushen me foshnjë pajetë, ky njeri është psikopat.

Kur në krye të një vendi është një njeri që nuk tundet dhe nuk lëshon pé në bindjet e tij të ngurta, të cilat dëmtojnë interesin e kombit të tij, ky njeri është një psikopat.

Historia na ka treguar se bota është kthyer përmbys prej psikopatëve. Egocentrizmi dhe nevoja për pushtet e kontroll i ka shoqëruar gjithë jetën e tyre politike e kriminale. Ata quhen kriminelë edhe nëse nuk kanë përdorur kurrë një armë, apo të kenë shtënë ndonjëherë në ajër. Ata janë kriminelë sepse vrasjet e planifikuara me gaz apo me helm, me ushqim apo me ajër, janë kryer në emër të një fitoreje afatshkurtër delusive, për ngopjen e pasionit për pushtet.

Por ndryshe nga krimineli që vret gjatë një grabitjeje në rrugë, krimineli me pushtet, vret çdo ditë të parën shpresën. Vrasja e shpresës kryhet pa zhurmë, ajo nuk bën bujë në media, por ajo arrin të trondisë familjarët, fiset, shoqërinë, kombin.

Të çfarëdolloj kombësie qofshin, sot ka njerëz që vrapojnë të largohen prej atdheu. Në grahmat e fundit të shpresës, përpiqen me forma të ligjshme e të paligjshme, sa më parë të ikin prej atij pushteti kriminal. Foto dhe histori që trondisin emocionet njerëzore qarkullojnë çdo ditë. Ato, njeriun që ndjen e lënë pa frymë.

Foshnja pa faj e pa jetë në duar të babait të ngratë. Fëmijë i mbytyr në bregun e askundit. Fëmijë e të rritur po ikin nga kjo botë, të sëmurë prej diçkaje pa emër specifik, por futen në thesin e diagnozës së përgjithshshme, sepse pushtetit nuk i hyjnë të vdekurit në punë.

Dhe shpresë-vrarët e gjithë botës mbeten rrugëve, pa ditur ç’do t’u sjellë e nesërmja. A do t’u sjellë mortin apo ringjalljen? Ata ngrenë sytë nga qielli, duke dhënë shenjë për shpresën që pulson ngadalë duke u fikur. Por në qiell mund të shohin vetëm gjurmët e një avioni, brenda të cilit pushtetari psikopat ngre dolli me shampanjë, ose me ujë për shkak të dietës që mban.

Dhe jeta vazhdon… ”Gjithçka kalon” – shkruhej në shkopin që Buda i mençur mbante në dorë.

Share: