Home KRYESORE Thirret protestë për vdekjen e Florencit

Thirret protestë për vdekjen e Florencit

Të shumtë janë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që janë prekur për vdekjen e të riut shqiptar në Marsejë. Florenc Beqiraj, mbërriti në gjendje të rëndë në një spital të Francës pasi ishte plagosur në burg.

Zyrtarët francezë kanë thënë se ai ka tentuar vetëvrasjen, por dyshimet e familjarëve janë të forta se ai është masakruar në paraburgim.

Sakaq në Shqipëri është thirrur një protestë përmes rrjeteve sociale. Kështu, Nisma “Thurje” u bën thirrje qytetarëve të mblidhen nesër (e diel) në 12:00 përpara Piramidës në Tiranë.

Mesazhi i plotë

Homazh-Protestë, të dielën, ora 12:00, Piramida.

Florenci ishte njëri nga ne. I rritur me vuajtje nga prindër të palodhur shqiptarë guxoi të ikë nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Iku sepse kërkonte më shumë për veten. Iku sepse ky vend nuk kishte mundësi për të. Iku sepse dashuronte jetën por gjeti vdekjen.

E lanë 28 ditë në paraburgim sepse nuk kishte me vete dokumentin. E therrën si të ishte bagëti dhe e lanë në dyert e spitalit si plaçkë pa zot. E vranë duke ja hequr tubat pa pyetur askënd.

Shteti heshti. Heshti kur ai lindi, heshti kur ai u rrit e kërkonte një mundësi, heshti kur ai donte një punë, heshti kur ai u arrestua padrejtësisht, heshti kur e masakruan, heshti edhe kur e vranë.
Shteti heshti!Por ne nuk do heshtim!!!

Të dielën në 12:00 merr një qiri, një lule, një parrullë, një shok a shoqe me vete dhe eja te Piramida. Boll me qarje në FB! Boll me blegërima në mitingje. Të dielën takohemi te Piramida, per të përcjellë siç duhet Florencin dhe për të mos heshtur!

Share: