Home KRYESORE Vota në OKB/ Reagon Bushati: Janë trillime, s’jemi kundër SHBA-ve.

Vota në OKB/ Reagon Bushati: Janë trillime, s’jemi kundër SHBA-ve.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar ndaj kritikave për votën pro rezolutës së OKB dhe kundër Shteteve të Bashkuara për Jeruzalemin.

“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”, deklaron ai.

Më tej sqaron se kanë qenë 4 revoluta të njëpasnjëshme në OKB, duke i kujtuar opozitës edhe votën “abstenim” të Shqipërisë në 2012-ën. “Këto rezoluta, janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë të detyrueshme për ne. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”, vijon ai.

“Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Kujtojmë se në vitin 2012, kur Kryeministër ishte Berisha në Asamblenë e OKB-së u votua për të njohur Palestinën si shtet vëzhgues jo-anëtar -një lëvizje e cila u kundërshtua fuqimisht nga Izraeli dhe SHBA-ja. Asokohe Asambleja votoi 138 vota pro, 9 kundër, dhe 41 shtete abstenuan. Shqipëria ishte nga 41 shtetet që abstenoi./Opinion.al

Share: