Home KRYESORE Apeli i studentes për te rinjtë: Mos e braktisni Shqipërinë. Hajde ta...

Apeli i studentes për te rinjtë: Mos e braktisni Shqipërinë. Hajde ta bejme se-bashku.

Nga Neraida Halili

Pjesa më e madhe e të rinjëve në Shqipëri dëshirojnë të largohen, kjo vërtetohet nga numri i aplikimeve për azil, lotaria amerikane, viza në vende të ndryshme ku mund të realizojnë projektet e tyre.

Është e rëndë të thuhet se numri i studentëve që largohen nga ky vend rritet çdo ditë e më shumë, sepse dëshirat e tyre nuk përputhen me atë se çfarë ky vend ofron. Largohen sepse këtu mungon kultura e mirëfilltë politike, parimet intelektuale e moralizuese, shoqëria e mirëfilltë demokratike dhe rruga civilizuese me parime të sigurta.

Largohen, por harrojnë se jeta bëhet akoma më e vështirë në një vend të huaj, atje s’të pret askush krahëhapur, gjithçka fillon të ndërlikohet. Ata lundrojnë vazhdimisht të frikësuar mos ndoshta dallgët do marrin drejtimin e gabuar e ata kurrë s’do përfundojnë aty ku kanë dëshiruar.

Unë jam ndër qindra e mijëra studentë të cilët japin gjithçka në këmbim të asgjësë. Zvarritemi së bashku pa ditur ku shkojmë, çfarë kërkojmë ose më sakt ku ndodhet e ardhmja jonë?

Zëri i një të riu për sukses e arritje është më i fuqishëm se zëri i kujtdo qoftë! Të gjitha arsyet se përse njerëzit, e kryesisht të rinjtë, demoralizohen e demotivohen mund dhe janë të justifikueshme. Por, mospërpjekjen dhe dështimin e ardhur nga kjo, asgjë nuk e justifikon. Ndonjëherë mjafton fare pak për të arritur shumë.

Gjendja e rëndë e moralit shoqëror duket qartë, ajo serviret në forma të ndryshme: nëpërmjet mediumeve të censuruara, arsimit të falsifikuar, politikës devijuese. Shpresat për një të ardhme më të mirë, përpara se t’i mbysim ne, po i shkel vetë koha!

Për të dalë prej “botës së errësuar” drejt një bote më të civilizuar, drejt botës së artit, drejt asaj bote ku kultivohet dija, duhet rikthyer vullneti dhe dinjiteti i rinisë universitare. Përderisa ajo paraqet fortifikatën bazë të dijes dhe zhvillimit, ndaj duhet vënë në ballë të proceseve të një kombi.

Ne si studentë do të duhej të bartim mbi supe pjesë të peshës së rëndë të një kombi, ndaj duhet shfrytëzuar energjia dinamike që kemi, për të krijuar vlera kulturore dhe shkencore, të cilat do jenë shtysë e përparmit dhe barazimit me kombet e zhvilluara të botës.

Ne kemi nevojë për përkrahje dhe besim që të krijojmë një intelekt sa më të kthjellët e më të shëndoshë. Pra, ne kemi nevojë për një ideal të përbashkët mbi të cilin do derdhim tru për ta arritur dhe jetësuar.

Të krijojmë një profil sa më përfaqësues i cili do personofikojë çdo student shqiptar, për ta mbrojtur, mbështetur dhe mbi të gjitha për t’i dhënë forcën e këmbëngulësisë.

Ne jemi ata tek të cilët përfundojnë sytë dhe shpresat e çdo qytetari: rinia universitare – kjo fije shprese do mbajë ndezur çdo dritë qe mbijeton.

Share: