Home KRYESORE Armir Shkurti: Ndjesa ime ndaj studentëve!

Armir Shkurti: Ndjesa ime ndaj studentëve!

Me përulje ju kërkoj ndjesë për pjesën time të fajit! Ju nuk jeni në shesh të protestës për halet e konvikteve apo 670 lekshin, por për të na thënë neve: “DËSHTUAT”!

Si ju dolëm edhe ne para 28 vitesh: s’kish ngrohje në konvikte. Pastaj dolën ustallarët dhe prodhuan “tranzicionin”. Ne u dehëm. U bëmë pishtarë demokracie, heronj, frymëzim….morëm dekorata, tituj. Të tjerët morën pushtetin. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” na e kthyen djallëzisht në “Do futemi në BE”. Në vend të anëtare të BE, vendin tonë këta e kthyen në satrapi të Burokracisë Europiane, që as i është rruajtur e as i rruhet për gjë tjetër , veçse STABILITETIT. Për të tjerat – vrisni veten! Kishim edhe thirrjen “Liri – demokraci”. “Lirinë” sot e ruajnë policë rendi, që të rrasin në birucë po protestove, policë bashkiakë, tatimorë, OSHEE, ujësjellës, djall e i biri që i vijnë babit e mamit tek biznesi e ta shkatërrojnë me gjoba. “Demokracisë” i dhamë “coup de grace”, një plumb pas zverku, më 17 – 18 maj 2017, duke nxjerrë jashtë loje çdo forcë politike, veç asaj që qëndron në fasadë me emrin “opozitë”
Pak nga ne të 8 dhjetorit 90 kemi mbetur rrugëve të këtij vendi se shumica po thinjet kurbetit

Më falni, bij!!!

Sot protesta juaj e mirë, e mençur dhe qytetare është në rradhë të parë kundër ne, baballarëve, që dështuam. Unë për fat të mirë, jo për fajin tim!

Sot protesta juaj është kundër sistemit! Ky sistem ju ka nxjerrë aty për shkak të pamundësisë sonë , dhe për shkak se pas 28 vjetësh ju jeni si ne, kur kërkonim entuziastë , të na njihej diploma në Perëndim

Protesta juaj është kundër ne fodullëve e parazitëve që pjerdhim me gojë nga kafenetë tek foltorja e parlamentit se “ky është brez leshi”, “ky është brez facebooku”, “këta s’lexojnë një libër”, “këta janë brezi i kafeneve” “këta, këta këta”…

Ju na mësuat se NE jemi tashmë një brez i djegur! Se ne e humbëm shansin për ta merituar lirinë dhe demokracinë. Se e shpërdoruam ndyrë mundësinë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Juve na e treguat, që në shqiptimin e kërkesave, dinjitetin në organizim proteste, përballjen me pushtetin, përballjen me shoqërinë, përballjen me mediat dhe sisitemin, SE JENI BREZI TJETËR! Juve ju përket Shqipëria! Dhe JU jeni gati! Ne, të verbuar nga mediokriteti ynë dhe makineria e satrapisë endemi si zombi pas karrotës BE që na tregojnë qeveritë e rradhës, pa parë se JU, bijtë tanë, jeni rritur dhe jeni një realitet krejt tjetër! Se JU tashmë jeni gati për një Shqipëri tjetër!

Nëse pranoni ndjesën time, më pranoni të qëndroj në rresht të fundit, gojëkyçur, e kokëulur, i gatshëm t’ju ndjek e t’u mbështes përunjësisht.

Share: