Home KRYESORE Ministria: Viti shkollor nis më 14 shtator

Ministria: Viti shkollor nis më 14 shtator

Ministria e Arsimit ka dalë mbrëmjen e së mërkurës me një sqarim për nisjen e vitit të ri shkollor.

“Nisur nga disa lajme ditën e sotme, MASR nënvizon se viti i ri shkollor NUK FILLON më datë 31 gusht, por më 14 shtator, ashtu siç edhe është parashikuar”, njofton Ministria, ndërsa një ditë më parë bëri me dije vendimin për rihapjen e shkollave.

Ndërkohë, duke patur parasysh faktin që një pjesë e nxënësve nuk kanë mundur të kryejnë mësimin online gjatë periudhës së mbylljes nga pandemia, ky institucion bën me dije se nga 31 gushti deri në 11 shtator do të zhvillohne mësime plotësuese për nxënësit e klasave 1-5 të ciklit fillor.

“Bëjmë me dije se në datën 31 gusht deri në 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese VETËM me ata nxënës të klasave 1-5 (cikli fillor), të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, mars–maj 2020.

Ky program plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020. Zyrat Arsimore kanë identifikuar shkollat dhe nxënësit të cilët mund të jenë pjesë e këtij programi dhe që janë kryesisht nxënës të cilët u përkasin shtresave vulnerabël, romë, egjiptianë apo të zonave të thella gjeografike. Zbatimi i programit plotësues do të menaxhohet nga drejtoritë dhe zyrat arsimore vendore, si dhe shkollat sipas rasteve të identifikuara. Ndërkohë, orët mësimore gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit”, ka njoftuar Ministria e Arsimit./Opinion.al

Share: