Home KRYESORE Gërdeci/“60% e trupit iu dogj”, nëna rrëfen fjalët e fundit të 7-vjeçarit

Gërdeci/“60% e trupit iu dogj”, nëna rrëfen fjalët e fundit të 7-vjeçarit

12 vite pas tragjedisë së Gërdecit, Zamira Durda e cila humbi djalin 7 vjeç ka rrëfyer se tashmë shpresat për këtë ngjarje i ka te drejtësia e re.

Në një intervistë për news 24, ajo thotë se SPAK-ut i ka kërkuar rihapjen e hetimeve por përsëri është skeptike dhe nuk ka shumë shpresa për dënimin e fajtorëve.

“Shpresat i kam pasur tek drejtësia e re, por përsëri me gjithë këtë lajm dhe jam optimiste dhe nuk jam. Jam në mëdyshje. Ishalla nuk do zhgënjehem deri në fund. SPAK-ut i kemi kërkuar rihapjen e hetimeve. Iu jemi drejtuar të gjitha shkallëve. Unë kërkoj që e gjithë dosja e Gërdecit, bashkë me 29 të tjerë, pasi siç e dini është pranuar gjykimi i shkurtuar pas 5 vitesh hetime. Dhe ne nuk kemi qenë pjesë e procesit. Të gjithë ne jemi bashkë për vendosjen e drejtësisë. Asnjë nuk është veçuar. Veç ai që ishte baxhanaku i ish-kryeministrit. Kam ndjekur të gjithë procesin nga afër nga 2009. E kam çuar dhe në Strasburg, se di. Përsëri nuk shpresoj aq shumë, jam skeptike”, deklaroi ajo.

Zamira Durda teksa shprehet se kërkimi i drejtësisë për të birin është motivi i saj i jetës rrëfen edhe momentet e fundit të tij në spital me 60% të trupit të djegur.

“Do ta vijojmë patjetër. Kërkimi i drejtësisë për tim bir është motivi i jetës sime, arsyeja përse jetoj. Në momentin që e kam gjetur në spital me 60% të trupit të djegur, më tha më fal o ma që ika pa leje, se çfarë faji kishte bërë nuk e di dhe kjo nuk më lë të qetë asnjëherë. Kur kalojnë fëmijë me biçikletë më duket sikur vjen, sikur është ai dhe dua të thërras. Unë do të jem në të gjitha seancat nëse SPAK do e hapë. Shpresoj të hapet dosja Gërdeci në tërësi dhe të hetohet dhe për korrupsion sepse nuk është hetuar për korrupsion. Duhet të shikohet në tërësi kjo dosje sepse ka shumë prova brenda”, deklaroi Durda.

Familja Durda ka kallëzuar ditën e sotme në SPAK Fatmir Mediun, i cili në atë kohë ka qenë ministër i Mbrojtjes në qeverinë Berisha./Opinion.al

Share: