Home KRYESORE Çfarë bëri ky burrë për të merituar një histeri të tillë kolektive?!

Çfarë bëri ky burrë për të merituar një histeri të tillë kolektive?!

Nga Elona Caslli

Me emrin e Lulzim Paci u ndesha në rrjet. Mësoj se është profesor në një nga gjimnazet në Vushtrri Kosovë. Ka hapur një profil në Tik Tok dhe ka realizuar një video në banesën e tij ku kërcen një valle me motive kombëtare.

Profesori kërcen në kohën e tij të lirë dhe në banesën e tij. Gjatë kërcimit nuk është as i zhveshur që të shërbejë si shembull negativ për nxënësit e tij. Ka një veshje krejt korrekte me kostum dhe thjesht ka kërcyer një valle. Një valle i ka kushtuar në profesori një histeri kolektive bullizmi dhe sharjesh.

Ndërkohë ishte tragjike ta shihje këtë burrë me lot në sy teksa shprehej- A nuk kam të drejtë unë të bëj çka dua në banesën time në kohën e lirë?! Akoma më i dhimbshëm ishte fakti se i gjendur nën trysninë e komenteve negative, ky burrë i kish thënë të vëllait se nëse dikush e pyeste se çfarë e kishte, vëllai të deklaronte se e kishte kushëri dhe jo vëlla.

Çfarë bëri gabim ky burrë?!

Ngacmoi seksualisht një nxënëse?!
Rrahu keq një nxënës?!

Doli në video duke pirë lëndë narkotike duke u dhënë shembull negativ nxënësve që mund ta shihnin?!


E bëri videon teksa ishte në shkollë duke thyer kodin e etikës institucionale?!

Profesori në fjalë nuk ka bërë asnjërën më lart.

Profesori ka veshur një kostum dhe ka kërcyer një valle dhe për këtë është gjuajtur me gurë nga një mentalitet primitiv.

Post Scriptum- Profesor, unë nuk ia them hiç kërcimit, por jam pro jush duke kërcyer Vallen e Pipzave në banesën time.

Elona Caslli

Share: