Home Gjeo-Ekonomia Shkaku i xhindosjes së Vladimir Putin: ‘Poseidon’, gazsjellësi i dytë jo rus...

Shkaku i xhindosjes së Vladimir Putin: ‘Poseidon’, gazsjellësi i dytë jo rus që vjen nga Izraeli

Totali i investimit të këtij gazsjellësi është 6 miliardë dollarë me një gjatësi totale prej 1900 kilometrash, i cili mund të transportojë deri në 12 miliardë metra kub në vit, potencialisht të zgjerueshëm deri në maksimum 20 miliardë.

Siç thotë një proverb italian: “Koha është xhentëlmene”, kështu po sqarohen gjithnjë e më shumë shkaqe e prapaskena, në lidhje me luftën që ka shpërthyer në Europë prej një muaji- pushtimi i Ukrainës dhe pasojat e saj në të gjithë botën.

Këto ditë, media prestigjIoze europiane, që nga gjermania ‘Die Zelt’, spanjollja ‘El Pais’, por edhe francezja ‘Le Monde Diplomatique’, kanë folur për prapaskenat gjeopolitike të këtij konflikti që kanë lidhje me çështjen thelbësore strategjike: energjinë, pra gazin që furnizon Europën, duke qenë se është lënda djegëse me vitale.

Autorë të rëndësishëm europianë që merren me energjinë dhe gjeopolitikën, bëjnë të ditur se plani i Perëndimit për të ndërtuar një gazsjellës të ri që furnizon Europën e ka xhindosur Putinin më shumë, çfarë e ka bërë të kalojë në variantin më ekstrem të planeve të tij.

Ndërsa për TAP, në fillim e vonoi, por më pas e lejoi si një “lëshim”, tani bëhet fjalë për një gazsjellës të ri që e transporton metanin nga ujërat e detit të Kuq, pra pranë Izraelit, Palestinës, Libanit e Sirisë, direkt në Europë. Pikërisht kjo shpjegon edhe kasaphanën siriane para disa vitesh, ku Putin ka rolin e tij të rëndësishëm duke instaluar Flotën ruse në Detin e Zi, në portin e Latakias-Siri.

E përditshmja italiane shkruante se gazsjellësi që e furnizon Europën quhet “projekti Poseidon”.

Ai është një gazsjellës i autorizuar që nuk u ndërtua kurrë. Madje kompanitë e furnizimit me energji të Europës kanë pasur shumë frikë të hyjnë në projekt, duke parë pengesat e mëdha që u ndodhi kompanive zvicerane dhe italiane që u përfshinë në ndërtimin e TAP.

Madje ‘Poseidon’ është edhe më delikat nga ana gjeopolitike sesa TAP, pasi si pellg furnizimi ka zonën e Levantiit- përkatësisht: në brigjet e Qipros, Izraelit, Egjiptit dhe përballë Turqisë, pikërisht në ujërat e diskutueshme historikisht dhe gjithmonë në ekuilibër të pasigurtë, nga pikëpamja gjeopolitike.

Dhe kështu ndërsa TAP-i, për transportin e gazit Azerbajxhanas, u ndërtua dhe ka nisur funksionimin, duke sjellë 7.2 miliardë metra kub në brigjet e Puglia-s, përkatësisht në Salento, në Melendugno (Leçe) që në vitin 2021, Poseidoni mbeti në letër. Por balanca e ndryshuar gjeopolitike e ka rikthyer në modë ditët e fundit.

Kriza energjitike

Italia dhe vendet e Euopës qendrore po përjetojnë një rritje të madhe të çmimit të energjisë, e pas kësaj, analistë të ndryshëm po kërkojnë të investohet në rrugë alternative për të shmangur korridorin rus.

Ish-drejtori i ‘Corriere della Sera’ thekson se duhet që industrialistët italianë të mblidhen e të investojnë bashkë me shtetin, si një trust unik.

Projekti i tubacionit të IGI Poseidon S.A. (ku 50% të aksioneve i ka Edison-I Italian dhe 50% grekja Depa) – është planifikuar në Korridorin e Mesdheut Lindor dhe ka nisur të projektohet që në vitin 2008.

Totali i investimit të këtij gazsjellësi është 6 miliardë dollarë me një gjatësi totale prej 1900 kilometrash, i cili mund të transportojë deri në 12 miliardë metra kub në vit, potencialisht të zgjerueshëm deri në maksimum 20 miliardë.

Projekti përbëhet nga një linjë detare prej përafërsisht 210 kilometra, që kalon detin Jon deri në zbarkim në Italinë jugore në Otranto. Faza e fizibilitetit ka përfunduar dhe projekti është aktualisht gati për fazën e ndërtimit, pasi ka marrë të gjitha lejet e nevojshme mjedisore si në Itali ashtu edhe në Greqi.

Por derisa Rusia pushtoi Ukrainën dhe shpërtheu lufta e gazit në Evropë, Shtetet e Bashkuara – një eksportues i madh i gazit të lëngshëm në Greqi – nuk e ka parë kurrë me sy të mirë këtë vepër infrastrukturore.

Vetëm kohët e fundit, një fjali e zyrtarit të lartë të Departamentit të Energjisë së SHBA, Andrew Light, ka ndryshuar ekuilibrin: “Pas zhvillimeve të fundit, ne do t’i hedhim një vështrim të ri gjithçkaje. Nuk bëhet fjalë vetëm për tranzicionin e gjelbër, por edhe për largimin nga Rusia”, tha ai.

Strategjia

Marrëveshja për ndërtimin e gazsjellësit u firmos në prill të vitit 2017 ndërmjet Italisë, Izraelit, Greqisë dhe Qipros; dhe në mars 2021 Kompania italiane Edison, zgjati afatet për ndërtimin e gazsjellësit- nga tetori 2023 që ishte planifikuar, në tetor 2025.

Në një intervistë për “Agenzia Nova”, Nicola Monti, CEO i Edison, deklaroi se Eastmed- Poseidon ishte projektuar për të transportuar gaz nga rezervat izraelite të gazit në Evropë, duke kaluar përmes Qipros dhe Greqisë në Itali.

Një mbështetje e madhe ka mbërritur edhe nga kompania amerikane, Chevron, një nga “5 motrat gjigande të SHBA”.

CEO i Chevron, Michael Wirth, tha këto ditë se ngjarjet e fundit e kanë bindur për rizgjimin e këtij projekti.

Mediat italiane theksojnë ndërkaq, se Putin ka pasur një aleat të fortë në ndalimin dhe pengimin e ndërtimit të Poseidon. Ai quhet Rexhep Taip Erdogan, as më shumë e as më pak, por njeriu më i fortë i Turqisë sot./ Pamfleti

Share: