Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Pema e mëshirës te spitali publik!

Pema e mëshirës te spitali publik!

Nga Armir Shkurti

Nuk jam i sigurt në është plep, por aq i madh dhe i bukur sa një plep është. Sapo kalon traun e QSUT e ke në të djathtë. Jam i sigurt që kurrë s’e ke vënë re….

…deri mëngjesin përvëlues të korrikut kur ke mbërritur tek porta e onkologjikut!

Një grumbull i madh njerëzish mbajnë rradhën. Si kudo ku kanë havalé për të mbajtur e halle për hequr.

Po të kisha mundësi të udhëtoja në kohë do kisha zgjedhur që, në vend të portës së atij spitali të ndodhesha në një nga kampet naziste të shfarosjes. Ta zemë në Aushvic, në kohën kur çonin fatkëqinjtë në dhomat me gaz. Po! Është një fund i tmerrshëm. Por jo një tmerr pa fund si ky i të sëmurëve me kancer në derën e spitalit të shtetit!

Një burrë me një uniformë ngjyrë feçeje të tharë, që shkëlqen vende- vende nga lyra dhe zgjyra gërthet pa pushim:

  • Ik mor anej! Or ti shtyu! Hec!! Mos ëm boj me thirr patrullën ene me t’morr zvarr! … ene shofim masanej kush je ti e kush jom un! ……

Përcëllim! Avull korriku që ka futur në banjo- mari nja 50 – 60 të dënuar me vdekje në portën e shpresës. Pas asaj dere ndodhet mundësia për “amnisti”. Ose për të fituar ca vite…mbase muaj… ose edhe ditë kohë shtesë.

  • Wowowow! Anjanjanj… Ham ham! – lehjet e Cerberit, qenit që ruan portat e botës së përtejme. Ulërin, kafshon, leh, shtyn… të pashpresët që në fakt, këtë mëngjes korriku nuk duan as mjek, as ilaç, as narkozë. Jo!

ATA DUAN HIJE DHE NJË VEND MEBU UL! Në këtë të nxehtë ferri, me një diell cinik korriku.

Kaaaaq!!!

Gjysmën e mbretërisë për një kal! Gjysmën e mbetur të jetës për një stol dhe pak hije! Nuk është figurë letrare. Më shumë se gjysmën e mbetur e jetës, të sëmurit me kancer ia grabisin me prije.

  • Të lutem se kam takim me doktor…
  • Aman se na ikën ora e kemios…
  • Or mik! A ta ul pak nënën në stol se është e pamundur?
  • Shoku! Sa të bëj pagesën? ….

Të gjithë këta me fytyra të përvuajtura. Por nuk janë të sëmurët. Këta janë familjarët. Vetëm dhembjet e kancerit nuk i ndjejnë këta. Gjithçka tjetër e vuajnë shumë më shumë se pacienti.

Ndërsa ai që e ka sëmundjen e ligë në trup dallohet nga shumë larg. Ata as flasin, as shohin, as qajnë… madje as djersë në këtë përcëllim nuk kanë. Durojnë! Të dorëzuar krejt dhe të përgatitur për kalvarin çnjerëzor që i pret matan asaj porte.

Ngjashmëria me një thertore është ngjethëse. Po ajo ftohtësi dhe larje e pllakave të hollit si pllakat majolike te kasapi.

Del dikur një infetmiere dhe i lutet;

  • Të keqen mos u bërtit kështu! Jini more më njerëzor

I acaruar, njeriu me uniformë i thehet:

  • Po pra! Se më kan bërtit mu e jo ty! Kom urdhër mos me hi njeri mren! Kaq!

Sepse dhuna është si murtaja. Përhapet! Transmetohet. E kanë dhunuar pitbullin e portës së spitalit dhe ai nuk ndalon së lehuri, kërcënuari dhe kafshuari ndaj çdokujt që i del përpara.

  • ….. jini më njerëzor! – tha infermjerja.

Aty vë re se krijesa më njerëzore është ajo pema ndanë udhës. Ngjan sikur enkas i ka hapur degët për t’u bërë hije 50 metra më tutje atyre që presin dhe shpresojnë me ndekjen në trup se mos kalojnë pragun!!

  • Do vije Greta! Koordinatorja!

Besova se kjo “koordinatorja”, vonë- vonë, por kur të dilte, do ti vinte pikat mbi ‘i’. Në fantazitë e mia në mes të zhegut, “koordinatorja” është një person që ka marrë dy fleta A4 dhe i ka ndarë në kuti. Sa shtretër? Sa pacientë? Kur fillon njëri e kur mbaron tjetri? Dhe del e njofton : Hasani, Hyseni, Kasemi, Lefteri … ora 8.45 te mjeku, bashkë me analizat. Ora 9.00 , dhoma nr X, nisin seancën dhe 9.30 mbarojnë…. e kështu në vijim.

Jo! Doli njëra dhe, sikur do merrnim autobuzin për tu nisur në zhveshje misri, bërtiti nja 15 emra. Askush s’u përgjigj por as ajo s’e çau shumë. U kthye brenda. Pas një cope here u rishfaq. Thirri sërish. A të njejtët apo emra të tjerë, s’e them dot. Por turma e të dënuarve edhe qe rritur në numër por edhe qe zbythur ca nga dera. … Se dielli qe ngritur dhe pema shpirtmirë nuk arrinte ta hidhte më hijen tek porta. Pitbulli kish rënë në qetësi ama edhe po djersinte. Ora e hakmarrjes!!

Dikur vjen urdhëri: TË FUTEN! Por të shoqëruar vetëm nga një familjar.

Në çast turma e madhe shpërbëhet në më të vogla. 10 tek porta e mbyllur e një mjeku, një duzinë tek porta e tjetrit, plot të tjerë tek recepsioni duke u sherrosur një zot e di sepse.

….Nëpër mure kanë varur panorama e peizazhe. U ula në një stol në korridor dhe po kundroja një foto të Apollonisë marrë me dron dhe një tip kishëze a kapele të fortifikuar që s’po i bija në të ku ndodhej. Ia kisha ngulur sytë, por nuk më linin të përqëndrohesha. Kalonin proçesione të zymta. Dikush mbante të sëmurin, familjari tjetër mbante copat e çmontuara të ventilatorit, jashtëkë dhe torba plot e valixhe të vogla.

Të gjithë të dorëzuar e të nënshtruar, ndërkohë shumë të lumtur pas çdo triumfi të vogël: u futën në holl dhe i ikën diellitve qëndrimit në këmbë? Haleluja! Erdhi mjeku? Uuurraaa! U erdhi rradha? Apo edhe më mirë, hynë pa rradhë? Mrekulli!…

Për një serum, me mik, doli njeriu në 7 nga shtëpia dhe u kthye në 1 të drekës. Kur hija e pemës së bekuar kish dalë nga ana tjetër, andej nga ndodhet morgu i QSUT.

Me helmin shërues në trup, që të fik çdo gjumtyrë e të kthen në një enë balte të shformuar, pacienti kokulur e gojëkyçur bën të largohet.

  • Kujdes! Mos rri në vapë dhe mos u lodh! – e porosit mjeku….
Share: