Home KRYESORE Baballarët kujdesen për foshnjat, u ndërrojnë pelenat, i shpien në çerdhe, pastrojnë...

Baballarët kujdesen për foshnjat, u ndërrojnë pelenat, i shpien në çerdhe, pastrojnë shtëpinë, gatuajnë.

Nga Çapajev Gjokutaj

Ku mund të ndodhin këto?, do pyesnit ju dhe me gjasë do lëkundeshit midis dy mundësive: në një roman utopik ose në një prozë humoristike.

Unë e lexova tek “The Guardian” para dy ditësh dhe s’është as humor e satirë dhe as utopi. Ishte një shënim për barazinë gjinore në Danimarkë, shkruar nga Helen Russell, autorja e librit “Viti i të jetuarit danisht: Zbulimi i sekreteve të vendit më të lumtur në botë”.

Barazia gjinore, sipas Russell, është një nga burimet e lumturisë në Danimarkë. Burime të tjera: ngrënia e darkës në familje pa ndezur televizorin e pa përdorur celularin, synimi për të patur një shtëpi të mirë të stilit minimalist, fakti që vajzat e autores në kopësht kishin mësuar si të mbrunin e piqnin bukë, kurse djali në guzhinën mësimore të shkollës kishte mësuar si të bënte vezë surbull.

Lumturia është gjë e madhe, madje shpesh përfytyrohet edhe si e paarritshme dhe unë nuk e përfytyroj dot lumturinë e danezëve pa faktin që kanë korrupsionin më të ulët në botë, renditen ndër vendet e para për besimin tek institucionet dhe tek komuniteti, pabarazinë sociale dhe atë pasurore e kanë nga më të ulëtat e të tjera gjëra të tilla të rëndësishme.

Por ndërkohë që lexoja shkrimin e Russell, më pëlqeu ta shihja lumturinë si ajo, të lidhur edhe me gjëra të vogla. Mbase ngaqë m’u kujtua i urti që tha se lezeti i kësaj bote është në gjërat e vogla, po i hoqe gjellës kripën dhe erëzat s’është më për në pjatë, po për në koritë.

(Nga cikli ‘Grunari i leximeve’)

Share: