Home Gjeo-Ekonomia Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë! Ndryshimet në ligjin e migracionit

Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë! Ndryshimet në ligjin e migracionit

Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar nga jashtë. Rregullat për emigrantët nga vendet jo anëtare të BE-së po ndryshojnë hap pas hapi. Një përmbledhje.

Punëdhënësve gjermanë u mungojnë qindra mijëra punëtorë: në TI si dhe në infermieri, në zeje, teknologji, logjistikë dhe shumë sektorë të tjerë. “Ligji për zhvillimin e mëtejshëm të imigracionit të kualifikuar” i miratuar në verë synon të ulë menjëherë pengesat për imigracionin në Gjermani të punëtorëve të kualifikuar nga të ashtuquajturat vende të treta, pra nga vendet jo anëtare të BE-së.

Ndryshimet e para do të zbatohen nga data 18 nëntor 2023

Karta blu e BE-së

Specialistët me diplomë universitare, ose nivel kualifikimi të ngjashëm, që vijnë nga vendet e treta, pra jashtë BE-së, mund të imigrojnë në Gjermani me Kartën Blu të BE-së – pa u kontrolluar më parë, nëse ka aspirantë gjermanë ose qytetarë të BE-së për vendin e punës dhe pa dëshmi të aftësive gjuhësore.

Kufijtë e pagave për të shmangur abuzimin me specialistët që vijnë nga jashtë do të ulen në 40,000 euro në vit për profesionet ku ka më shumë mungesa dhe 44 000 euro për të gjitha profesionet e tjera (që nga viti 2023).

Lista e profesioneve me mungesa (më parë: matematikë, shkenca kompjuterike, shkenca natyrore, inxhinieri dhe mjekësi) është zgjeruar dhe tani përfshin, ndër të tjera, edhe arsimin dhe personelin infermieror. Për industrinë e TI-së, punëtorët e kualifikuar pa diplomë universitare mund të marrin gjithashtu një kartë blu të BE-së, nëse mund të vërtetojnë se kanë përvojë profesionale të krahasueshme prej të paktën tre vjetësh.

E drejta e qëndrimit, më shumë fleksibilitet

Kush plotëson të gjitha kushtet si punonjës i kualifikuar me formim profesional ose akademik ka të drejtë të marrë leje qëndrimi. Deri më tani, kjo u lihej ta vendosnin misionet diplomatike dhe autoritetet e imigracionit.

Përveç kësaj, hiqet kufizimi për të punuar në fushën profesionale që ke mësuar ose studiuar. Një njeri që ka mbaruar për mekanik, për shembull, mund të punojë edhe në logjistikë. Përjashtim bëjnë profesionet e rregulluara, për shembull në fushën e mjekësisë, drejtësisë ose mësimdhënies.

Bëhet më i lehtë edhe miratimi nga Agjencia Federale e Punësimit për shoferët profesionistë. Leja e punës jepet pa kontrolluar nëse ka qytetarë të BE-së që e kërkojnë këtë vend dhe pa provim gjuhe.

Çfarë do të hyjë në fuqi më 1 mars 2024?

Emigrim me eksperience pune

Njohja e kualifikimeve profesionale në Gjermani, e cila më parë ka qenë shpesh një pengesë burokratike, nuk do të kërkohet më për specialistët me përvojë. Kush ka një kualifikim profesional të njohur nga shteti në vendin e origjinës dhe ka së paku dy vjet përvojë profesionale në të, mund të emigrojë në Gjermani si punëtor. Nga kjo përjashtohen profesionet e rregulluara. Specialistët e TI-së nuk kanë nevojë për diplomë.

Partneriteti i njohjes së kualifikimit

Kush ka nevojë për një kualifikim shtesë në Gjermani për të arritur barazvflefshmërinë e kualifikimit do të mund të qëndrojë në Gjermani deri në tre vjet në të ardhmen. Aplikantët lejohen të punojnë deri në 20 orë në javë, ndërsa janë duke bërë shkollën për barazimin e kualifikimit.

Mundësia për të punuar me kohë të pjesshme po zgjerohet edhe për studentët dhe kursantët. Nëse punëdhënësit në Gjermani dhe aplikantët nga vendet e treta krijojnë një partneritet njohjeje, punëtorët e kualifikuar mund të vijnë direkt në Gjermani dhe të punojnë ndërkohë që procesi për njohjen e kualifikimit të tyre është në vazhdim. Qëndrimi mund të zgjatet deri në tre vjet. Duhet të kenë së paku dy vjet kualifikim profesional dhe njohuri të gjuhës gjermane (niveli A2).

Përveç personelit infermieror, edhe nidhmës-infermiereve me më pak se tre vjet trajnim infermieror do t’u jepet akses në tregun gjerman të punës në të ardhmen.

Ribashkimi familjar

Nëse punëtorëve do t’u bashkohen bashkëshortët dhe fëmijët e mitur, ata duhet të dëshmojnë se të ardhurat mjaftojnë për të jetuar, por jo edhe se kanë sipërfaqen e duhur për banesë. Ata gjithashtu mund të sjellin edhe prindërit ose vjehrrin për të qëndruar me ta nëse e marrin lejen e qëndrimit pas marsit 2024.

Çfarë hyn në fuqi më 1 qershor 2024?

Karta e mundësive për kërkimin e punës

Karta e mundësive me sistem pikësh do të hyjë në përdorim për herë të parë në qershor 2024. Me kartën e mundësive (Chancenkarte) njerëzit mund të vijnë në Gjermani për të kërkuar punë për një vit, nëse e kanë të siguruar jetesën.

Kushdo që mund të provojë ekuivalencën e kualifikimeve të tyre me ato gjermane, konsiderohet punëtor i kualifikuar dhe e merr kartën pa asnjë kërkesë të mëtejshme. Të gjithë të tjerët kanë nevojë për një diplomë universitare ose një kualifikim profesional prej së paku dy vjeçar, si dhe njohuri bazë të gjuhës gjermane (niveli A1) ose njohuri të gjuhës angleze (niveli B2).

Pikë merr edhe për përvojën profesionale, njohjen e kualifikimeve në Gjermani, moshën, aftësitë gjuhësore në gjermanisht dhe/ose anglisht, lidhjet me Gjermaninë dhe potencialin e partnerit ose bashkëshortit që vjen me ju.

Punëtorët me Kartën e Mundësive lejohen të punojnë deri në 20 orë në javë ose si provë. Karta e mundësive mund të zgjatet deri në dy vjet nëse ka një kontratë pune për punësim të kualifikuar.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor

Një tjetër rregullore prek njerëzit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. E ashtuquajtura Rregullore e Ballkanit Perëndimor për rekrutimin e punëtorëve nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia tani është e vlefshme për një periudhë të pakufizuar. Nga qershori 2024, kuota vjetore do të dyfishohet në 50,000 punëtorë. Informacione më të hollësishme ka portali i qeveris gjermane Make it in Germany, i cili është edhe në shqip: https://www.make-it-in-germany.al/DW

Share: