Home Gjeo-Ekonomia Ekonomia e Kinës 2023: në rritje të qendrueshme

Ekonomia e Kinës 2023: në rritje të qendrueshme

Foto cover Ekonomia kineze gjatë 2023 (Foto CMG)

Prodhimi industrial, i cili fuqizoi rritjen kineze gjatë pjesës më të madhe të tre viteve të fundit, ishte 4.5 përqind më i lartë në shtator 2023, në krahasim me shtatorin 2022.

Më 15 nëntor 2023, Fondi Monetar Ndërkombëtar përmirësoi prognozën e tij të rritjes së PBB-së për Kinën në vitin 2023, duke i shtuar 0.4 përqind parashikimit të tij të mëparshëm. FMN pret që ekonomia e Kinës të rritet me 5.4 përqind këtë vit.

Në vitin 2023, Kina po ruan për të trembëdhjetin vit rradhazi pozicionin e saj si fuqia më e madhe industriale në botë, ndërsa për të gjashtin vit rradhazi, ekonomia kineze zë vendin e parë në botë, në nivel të tregtisë së mallrave.

Investimi total i aseteve fikse në ekonominë e Kinës, një masë e rëndësishme e shpenzimeve kapitale, arriti në 24.3 trilion juanë në fund të shtatorit 2023, ose me një rritje prej 3.1 përqind, në krahasim me nëntëmujorin e vitit të kaluar.

Të gjithë analistët, si ata vendas dhe të huaj, bashkohen në konstatimin e tyre, se në ekonominë e dytë më të madhe të botës, këtë vit është shtuar ndjeshëm konsumi. Shitjet me pakicë ishin 5.5 përqind më të larta në shtator 2023, krahasuar shtatorin e vitit 2022.

Qeveria kineze ka kërkuar të nxisë prodhimin, përmes implementimit të teknologjisë së lartë në të gjithë sektorët prodhues dhe po synon vetë-mjaftueshmërinë teknologjike. Ajo po përpiqet ta largojë ekonominë kineze nga investimet e nxitura nga borxhi i qeverise qendrore dhe borxhet e qeverive lokale, duke u përqëndruar drejt rritjes më të qendrueshme, të mbështetur nga shërbimet ndaj konsumatorit dhe produktet e teknologjisë së lartë dhe të inteligjencës artificiale. Eduard Gjokutaj,  ekspert i ekonomisë, Altax në intervistë për CMG analizon ecurinë e ekonomisë kineze gjatë vitit 2023 dhe ndan parashikimet për vitin 2024

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj në intervistë për CMG

CMG: Kina erdhi pas tre viteve shumë të vështirë dhe sfidues 2020-2022, për shkak të masave kufizuese nga Pandemia e Covid-19 dhe ngadalësimit të tregtisë botërore. Pse dhe si arriti të gjejë trajektoren e një zhvillimi ekonomik të qendrueshëm këtë vit, sipas jush? 

Eduard Gjokutaj: Kjo është pjesa e vazhdimësisë të asaj çfarë kjo ekonomi ka sukses apo çelësi i suksesit të ekonomisë së dytë më të madhe të botës. Është një veçanti, e cila duhet përdorur si model apo që është përdorur nga vende të ndryshme, që kanë popullsi agrare siç e ka patur Kina në të kaluarën.

Kina nuk i mëshoi thjesht nxitjes së investimeve urbane fillimisht, por bëri një reformë të tregut. I orientoi  kapitalet, bazuar tek kjo reformë dhe, natyrisht aktivizoi atë që quhet motorri i ekonomisë,  ekonominë e vogël fshatare.

Kjo ekonomi filloi gradualisht të merrte përmasat e një ekonomie tregtare dhe, nga ana tjetër, edhe ekonomi prodhuese, që në vetevete  përbën atë simbiozën e bukur që Kina, edhe në rastet më të rënda të krizave që ka kaluar Azia apo pjesë të ndryshme të botës, që ju i përmendët, natyrshëm që arrin të ketë një model rezistent dhe me një bazë të qëndrueshme.

CMG: Më 24 tetor 2023, Parlamenti i Kinës miratoi emetimin e obligacioneve sovrane prej 1 trilion juanë (137 miliardë dollarë amerikanë), si dhe Ligjin për të lejuar qeveritë lokale të ngarkojnë një pjesë të kuotave të tyre të obligacioneve për vitin 2024. Fondet e mbledhura nga obligacionet e reja sovrane po mbështesin rindërtimin e zonave të goditura nga fatkeqësitë natyrore në vend, sidomos nga përmbytjet masive të pranverës dhe verës 2023. Ato po përmirësojnë infrastrukturën e kullimit urban, për të rritur aftësinë e Kinës për t’i bërë ballë fatkeqësive natyrore. FMN, mbi bazën e këtyre masave te qeverise dhe Parlamentit të Kinës, rishikoi parashikimin e tij për rritjen ekonomike të Kinës për tremujorin e katërt të vitit 2023, nga 5 përqind në 5.4 përqind. Gjykoni edhe ju se ekonomia kineze po rritet akoma dhe më fort se tremujori i tretë, ku u shtua me 4.9 përqind, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022?

Shkëmbimet tregtare të Kinës (Foto CMG)

Shkëmbimet tregtare të Kinës (Foto CMG)

Eduard Gjokutaj: Në fakt, unë mendoj që parashikimet që bëhen bazohen mbi ata tregues striktë, të cilët nuk marrim parasysh dinamikat e ekonomive të tillla si Kina, nuk arrijnë të dalin të sakta.

Ekonomi të tilla kanë në vetevete rezerva dhe potenciale që i shfaqin në këto lloj momentesh, bazuar mbi atë trashëgimi që përmendëm. Natyrshëm, Kina apo vende të tjera të vogla jo si Kina, kanë filluar të marrin masa, përsa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe mënyrës se si do të reagojnë ndaj katastrofave natyrore, të cilat  e rikthejnë ekonominë vendase në ato nivele, që pastaj do të duhet të shpenzojnë më shumë, pasi dëmet e natyrës kuptohet janë shumë më të mëdha se sa një dëm që mund te krijohet për efekte industriale.

Unë do të thoja në këtë rast, se ekonomia kineze arrin të rezistojë, nëpërmjet  diversifikimit të saj, elasticitetit dhe ndërthurjes. Pra, ka marrë ato tre elementë që ne i kemi përmendur së bashku shpesh: ndërlidhjen, elasticitetin dhe, në një farë mënyre gjithpërfshirjen për të arritur  në ato lloj nivelesh që edhe në raste të tilla, kur ka patur vështirësi ekonomike, apo janë të nevojshme pjesë të investimeve kundër fatkeqësive natyrore, Kina aktivizon fonde si këto që ka marrë tani, që natyrshëm tregojnë, në njëfarë mënyre, që kapitali duhet riaktivizuar.

Pra, ka një problematikë në vetevete, pasi ecuria nuk mund të jetë në të njëjtin ritëm, por, nga ana tjetër, ajo që të tërheq vëmendjen tek lajmi,  Kina ka aktivizuar bonot bashkiake. Atë që kemi thënë edhe për Shqipërinë.

Në përgjithësi, mënyra se si duhet diversifikuar dhe mënyra se si grumbullohet kapitali, nuk është vetëm qeverisja qendrore, e aftë për ta përpunuar gjithë atë kapital në projekte. Prandaj dhe i duhet lënë hapësirë edhe buxheteve vendore, në mënyrë që ato të kenë pjesmarrje dhe të jenë të gjithpërfshira.

Dhe në momentin që këto nuk bëhen, natyrshëm, kemi situatën shqiptare. Në momentin që bëhen, kemi situatën kineze. Edhe pse situatat kanë diversitet, përsa i përket dimensioneve apo asaj çfarë mund të kenë si potencial, natyrshëm që secili vend duhet të nxjerrë mësime, pasi  Kina ende jo vetëm  është lider në disa aspekte të rëndësishme ekonomike, por ekonomia e saj, nga ana tjetër, vlen edhe për të dhënë shembull dhe si model për vende të vogla.

CMG: A mendoni se ndjekja nga Kina e një politike fiskale proaktive, duke ulur ose duke i mbajtur të pandryshuara taksat mbi punën dhe kapitalin, si dhe duke nxitur prodhimin industrial dhe konsumin e brendshëm, e ka ndihmuar ekonominë e dytë më të madhe të botës të rritet shpejt këtë vit?

Fondi Monetar Ndërkombëtar (Foto Monitor)

Fondi Monetar Ndërkombëtar (Foto Monitor)

Eduard Gjokutaj: Po. Mendoj që ato janë analiza që, bazuar në atë qendrueshmëri që ka ekonomia kineze dhe mbi ecurinë e saj, qeveria e këtij vendi nuk e ka parë të nevojshme të ndryshojë regjime fisklale.

Nga njëra anë, kjo tregon që kanë një administrim të mirë fiskal, i cili  nuk i detyron të marrin masa për t’u thelluar në ato pjesë ku ka evazion dhe, nga ana tjetër, tregon një politikë të qëndrueshme dhe vizionare, pasi në momentin që nuk ndryshohet një politikë për shumë kohë, kjo tregon më së pari, që ka qënë një politikë e drejtë.

Po ashtu, kjo politikë ka shërbyer edhe si model për administrimin, i cili e ka ndjekur politikën dhe i është përshtatur asaj.

Në çdo rast, unë do e ktheja vëmendjen tek vendi jonë. Kina duhet marrë shembull për t’u përshtatur dhe për të thënë që politika fiskale nuk bëhet sot për sot, por bëhet sot për nesër. Kjo, me qëllim që të mos bëhen paketat e shpeshta fiskale, si na ndodh ne, që janë të dëmshme dhe shiten në njëfarë mënyre, sikur shpëtojnë ekonomi apo sektorë.

Në fakt, qendrueshmëria e politikës fiskale është e rekomanduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera, të cilat marrin përvojën nga shumë vende të botës. Ato thonë: bëni këtë model, se ja ku është një rast suksesi, siç është ai i Kinës.

CMG: Në gjykimin tuaj, si arriti Kina të ruajë për të trembëdhjetin vit rradhazi pozicionin e saj si fuqia më e madhe industriale në botë?

Eduard Gjokutaj: Unë mendoj që Kina ka punuar për të qënë e tillë vit pas viti dhe kohë pas kohe, duke aktivizuar kapitalin, pikërisht të ndërthurur me reformat që ka ndërmarrë.

Edhe në kohë vështirësish të caktuara të krizave, ajo ka aktivizuar sektorin e ndërtimit i cili është komardarja e shpëtimit të ekonomive, për të ruajtur nivelet e punësimit dhe nivelet e rritjes ekonomike, të tilla që të japin një optimizëm.

Natyrshëm që edhe Kina ka rënë në momente të caktuara në atë bumerangun e bumit të ndërtimit, nga i cili kemi parë që kanë falimentuar firma të mëdha, si Eurogran apo firma të tjera të real state apo ndërtime të caktuara, që nuk i kanë shërbyer ekonomisë.

Mirëpo ato, si  të tilla, më së pari i kanë shërbyer Kinës, për të modifikuar dhe axhustuar që jo çdo ndërtim është i vlefshëm. Ndërkohë, investimet që ka bërë në infrastrukturë dhe është vend kampion, do të thoja, në botë, në infrastukturën rrugore, në infrastrukturën e ndërlidhjes, për shkak të hapësirave që ka, i kanë dhënë pikërisht Kinës atë lloj  elasticiteti dhe ndërlidhjeje të tillë, që e shpëton në këto situata dhe i jep atë pjesë të rritjes ekonomike.

Pra, Kina lidh ekonominë me zona të ndryshme dhe lidh edhe njerëzit me ekonominë.

CMG: Po ashtu, për të gjashtin vit rradhazi, Kina po ruan edhe këtë vit pozicionin e saj si vendi më i madh në botë në tregtinë e mallrave. Çfarë e bën ekonominë kineze kaq prodhuese dhe konkurruese, në nivel të ofrimit të mallrave në rang botëror? 

Eduard Gjokutaj: Në këtë rast, do thoja që Kina është një nxënëse shumë e mirë e të gjithë  inovacioneve teknologjike dhe gjithë pjesëve të inovacionit në  ekonomi në gjithë botën dhe nuk rresht së mësuari nga bota.

Pra, ka marrë përtej asaj se si mund ta kopjojnë, por në botë ecin edhe ato vende që dinë të kopjojnë mirë dhe që dinë ta përshtasin atë që kanë marrë, brenda kontekstit të tyre.

Nga ana tjetër,  Kina ka arritur të mobilizojë të gjitha burimet e saj, pra popullsinë e saj dikur thellësisht bujqësore. Nuk e ka lënë të tillë, por e ka futur në një mobilizim të burimeve ekonomike, për të rritur efektivitetin, nëpërmjet kostos së ulët.

Pra, e ka marrë me një kosto të ulët dhe e ka mbajtur me kosto të ulët, dhe kjo e ka ndihmuar për të bërë ekspansion. Tashmë Kina nuk është vendi që zhvillohet brenda territorit të vet, por është një vend eksportues shumë i madh. Është një vend, i cili po ashtu importon shumë.

Kjo tregon që një vend që prodhon, detyrimisht që prodhon për veten e vet, por nga ana tjetër, do të arrijë të mbulojë edhe nevojat e një pjese të tregut rajonal. Nuk ka dalë më së koti ajo nisma “Një Brez, një Rrugë”, e cila  tregon ekspansionin që do të krijojë Kina dhe krijimin e një bote tjetër.

Pra, po flasim për një dimension, i cili tashmë hyn në një konkurrencë me superfuqitë dhe ky është një transformim, tek i cili duhet të mësojë secili sipas dimensionit të tij, se si mund të rritesh dhe të bëhesh, nga një vend, që mund të kesh potenciale që nuk di t’i përdorësh, ose dhe mund t’i shpërdorosh, duke ja lënë të huajve, në një vend që i mobilizon, i përdor, dhe, me vlerën e shtuar, krijon vlerë të tillë që e ndihmon vendin për eksport.

Këtu përmend edhe rastin e Norvergjisë, e cila burimin natyror të vetin ka ditur më së miri dhe është vend model për ta  përdorur, për  të mirën e ekonomisë,  banorëve dhe  mirëqënies. 

Zhvillimi industrial i Kinës (Foto Tirana Diplomat)

Zhvillimi industrial i Kinës (Foto Tirana Diplomat)

CMG: Çfarë e pret ekonominë kineze për vitin 2024 dhe sa do të ndikojë ecuria e kësaj ekonomie në mbarëvajtjen e zhvillimit ekonomik botëror në vitin e ardhshëm?

Eduard Gjokutaj: Tani, kjo është e madhe për t’a thënë se çfarë e pret ekonominë kineze, se nuk kemi gjithë mundesinë për të pasur gjithë informacionet, për të bërë një analizë.

Unë do të thoja se ajo çfarë ndodh me Kinën është një vazhdimësi e asaj tradite që ka krijuar në zhvillimin ekonomik të qendrueshëm pasi është një ekonomi që e ka treguar këtë. Nga ana tjetër, vetë ekonomia botërore po hyn në faza të çuditshme, që nuk shpjegohen detyrimisht me ato rregullat e ekonomisë që kanë funksionuar deri më sot.

Në momentin që Kina do të dijë të përshtatet, siç është përshtatur deri më tani, duke modifikuar ato pjesë që nuk i kanë ecur dhe duke bërë ekspansion, balancimi i tyre do jepte një Kinë edhe më të fortë në vijimin e viteve.

CMG: A gjykoni se me takimin disa orësh mes Presidentit kinez Xi Jinping dhe Presidentit amerikan Joe Biden në San Francisco, më 15 nëntor 2023, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës kanë marrë një shtysë pozitive?

Eduard Gjokutaj: Po besoj se Kina ka investuar, është një vizion afatgjatë. Nuk janë veprime të nxituara apo për konsum politik të brendshëm  por janë veprime që tregojnë se si Kina tashmë po kërkon në çdo mënyrë të hyjë në tregun botëror, si një superfuqi.

Nga ana tjetër, burimet që kërkon të përfitojë nga vendet përreth, natyrshëm që Kinën e bëjnë një vend faktor, i cili ka detyruar që edhe Presidentët e dy ekonomive më të mëdha të botës jo më kot të takohen.

Këto nuk janë takime kortezie por janë takime që vendosin fate të ndryshme për të dyja vendet, për të ndarë një pjesë të territoreve tregtare dhe nga ana tjetër, për të adresuar edhe ato problematika që mund të lindin në 2024 e në vazhdim, pasi e dimë që vende të tilla ecin në avancë, të paktën me një dekadë.

 Intervistoi Fatos Çoçoli

Share: