Home Gjeo-Ekonomia Greqi/ “Shqipja gjuhë e dytë e huaj”, lideri i opozitës greke mbështetje...

Greqi/ “Shqipja gjuhë e dytë e huaj”, lideri i opozitës greke mbështetje komunitetit shqiptar

Në një takim me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Greqi lideri i partisë më të madhe opozitare Syriza – Aleanca Progresive Stefanos Kasselakis ka theksuar se duhet t’i jepet fund pengmarrjes së proceseve integruese dhe racizmit dhe se duhet të gjenden mënyra krijuese për të ardhur më pranë dy popujt.

Në takimin e zhvilluar në zyrat e kësaj partie në Koumoundourou, Kasselakis ka theksuar gjithashtu se “Emigracioni është një çështje që SYRIZA nuk e ka përdorur kurrë si mjet, në raport me partitë e tjera në Greqi dhe se kjo forcë politike është krenare për qëndrimin e përgjegjshëm që ka mbajtur”.

Megjithatë, siç nënvizoi ai, problematikat me të cilat përballet Komuniteti Shqiptar në Greqi janë të mëdha dhe si rezultat, vitet e fundit është shtuar pasiguria që anëtarët e tij përjetojnë çdo ditë. “Nuk është e mundur të flitet për rinovim të lejes së qëndrimit 3-vjeçare, kur aplikimi specifik merr 2.5 vjet për t’u pranuar. Me fjalë të tjera, i vendosim në një situatë pengmarrjeje këta bashkëqytetarë me të cilët jetojmë në të njëjtin vend”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, lideri i ri i SYRIZA-s, ka deklaruar se duhen parë në mënyra të ndryshme, më kreative, marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këtë kontekst, ai përmendi si shembull çështjen e zgjedhjes së një gjuhe të dytë të huaj. “Këtu në Greqi nuk e kemi shqipen si gjuhë të zgjedhur. Ashtu si Shqipëria, duhej të kishte si gjuhë të zgjedhur greqishten. Në të gjithë territorin e saj”.

Duke i uruar mirëseardhjen pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, Kasselakis u tha përfaqësuesve të komunitetit shqiptar se është nder që i presin në partinë krenare të të drejtave dhe barazisë, duke theksuar simbolikën e veçantë të ditës së sotme, përvjetorin e vrasjes së një fëmije nga Pakistani gjatë një vale racizmi, dhe një situate që “mund ta shmangim si popull, nëse ka politika korrekte integruese”.

“Ne kemi lidhje historike me komunitetin shqiptar”, ka theksuar edhe Nina Kasimati drejtuese e Departamentit të Politikave të Emigracionit në SYRIZA. Përforcimi i këtyre lidhjeve, i dy popujve tanë, vetëm sa mund të na bëjë më të fortë dhe më me ndikim në rajon dhe më gjerësisht në Evropë” ka thënë ajo.

Nga ana e tij, zëvendës Shefi i Politikave të Emigracionit të kësaj partie kujtoi se ishte qeveria e dalë nga SYRIZA ajo që në vitin 2015 ligjëroi shtetësinë e emigrantëve të brezit të dytë dhe ndërhyrje të tjera që kishin të bënin me aksesin në fondet e sigurimeve shoqërore, apo me numrin e sigurimeve AMKA, ndërhyrje të cilat i hoqi që në fillim qeveria konservatore në vitin 2019.

Synimi ynë, vazhdoi ai, është të propozojmë një ligj, të bëjmë propozime për të hequr ndasitë e papranueshme që ekzistojnë me karakteristika klasore të racizmit institucional, me tarifat e tepruara dhe me të gjitha dispozitat e papranueshme që Demokracia e Re ligjëroi në lejet e qëndrimit.

Top Channel

Share: