Home KRYESORE Demokratët bashkohen në 20 shkurt”, Berisha fjalim nga dritarja: Elektorati gri dhe...

Demokratët bashkohen në 20 shkurt”, Berisha fjalim nga dritarja: Elektorati gri dhe socialistët s’do kenë tabu të rrinë krahë më krahë me ne

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalimit nga ballkoni i shtëpisë para mbështetësve të tij tha se 20 shkurti do të jetë dita e triumfit ku shqiptarët do të mblidhen dhe do të protestojnë kundër qeverisë.

Ai paralajmëroi se 5 shkurti ishte diçka e vogël në krahasim me çfarë do të shohë Shqipëria, Europa dhe bota më 20 shkurt.

Demokratët, opozitarët e tjerë, elektorati gri, socialistët e zhgënjyer, sipas Berishës nuk do ta kenë më tabu të rrinë krah për krah njëri-tjetrit, sepse kauza e demokracisë është kauza e çdo shqiptari.

“Bashkimi i 5 shkurtit ishte vetëm diçka e vogël, po të krahasosh me atë që do të shohë Shqipëria, Europa dhe bota me 20 shkurt Duke u mbledhur në Rrugën e Shpresës, deputetët demokratë që kanë bërë një betejë epike, të panjohur në historinë e parlamentarizmit, faktuan se ne i dalim zot emrit të partisë sonë, PD-së, partisë së pamposhtur, partisë së misioneve të mëdha.

Duke u mbledhur bashkë me 5 shkurt, ne u bëmë dhuratën më të bukur çdo demokrati që na ka mbështetur në mënyrë të palodhur dhe me sakrifica 10 vite me radhë.

Me bashkimin tonë, ne u bëmë atyre dhuratën e shumëpritur, dhuratën e shpresës, dhuratën e mirënjohjes, dhuratën e fitores!

Por, demokrate dhe demokratë, bashkimi i 5 shkurtit ishte vetëm diçka e vogël, po të krahasosh me atë që do të shohë Shqipëria, Europa dhe bota me 20 shkurt.

Jo vetëm opozita, por mbarë populli shqiptar do bashkohet më 20 shkurt kundër të keqes, kundër aleancës së qelbësirave, kundër grabitjes së votës së lirë, kundër asgjësimit të pluralizmit në parlamentin e krimit, kundër dëbimit me kushtet e krijuara të shqiptarëve nga dheu i tyre, kundër arrestimit politik të liderit të PD, kundër vjedhjes së shekullit të inceneratorëve, kundër taksave të larta, kundër çmimeve të larta, kundër ndërtimit të Skavicës dhe mbytjes së Dibrës, kundër grabitjes së Portit të Durrësit, kundër skandalit të shekullit Rama-McGonigal, kundër drejtësisë së kapur nga Edi Rama, kundër shkelmimit dhe shitjes së interesit kombëtar nga tradhtari Edi Rama.

Miq, ashtu si demokratët që mendojnë ndryshe, nuk e kishin tabu të qëndronin krah njëri-tjetrit në Rrugën e Shpresës, demokratët, opozitarët e tjerë, elektorati gri, socialistët e zhgënjyer nuk do e kenë më tabu të rrinë krah për krah njëri-tjetrit, sepse në fund të ditës, kauza e demokracisë është kauza e çdo shqiptari. Shqipëria është e çdo shqiptari, Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë misionarët e pamposhtur, qytetarët e saj. 20 shkurti, dita e triumfit, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”, tha Berisha.

Top Channel

Share: