Kompania kontrakton K&L Gates, një nga firmat ligjore më të mëdha në botë e me eksperiencë të gjerë në çështjet anti-trust, pasi akuzon autoritetet rregulluese vendase se kanë penguar përfitimet e konkurrencës së ndershme sipas meritave ndaj konsumatorit shqiptar.
Për herë të parë në Shqipëri, një kompani mekapital shqiptar ka kaluar përtej kufijve, në përpjekjet e saj për të siguruar një mjedis tregu me konkurrencë të drejtë e të ndershme. Operatori i telefonisë celulare, Plus Communication, ka bërë të ditur në një njoftim zyrtar për shtyp se ka kontraktuar kompaninë K&L Gates, një nga firmat ligjore më të mëdha në botë e me eksperiencë të gjerë në çështjet anti-trust, për ta përfaqësuar atë në mbrojtjen e interesave të klientëve shqiptarë, për të siguruar që ata të përfitojnë në mënyrë efektive nga zgjedhje më të shumta, shërbime më të mira dhe çmime më të lira në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri.
Përmes kësaj firme Plus Communication njofton se kërkon të hedhë dritë mbi marrëveshje të paprecedenta të oligopolit në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, teksa shpreh hapur mosbesimin te autoritetet rregullatore vendase, madje i akuzon ata se kanë penguar konkurrencën e ndershme.
“Që në fillimet e veta dhe përgjatë viteve që operon, kjo kompani është përballur me vështirësi të shumta që kanë ardhur si rezultat i oligopolit, konkurrencës së pandershme në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet rregulluese apo ndërhyrjes së padrejtë të këtyre institucioneve shtetërore me vendime e dekrete, të cilat kanë penguar përfitimet e konkurrencës së ndershme sipas meritave ndaj konsumatorit shqiptar”, thuhet në deklaratën zyrtare për shtyp, që e gjeni të plotë më poshtë.
Sipas njoftimit, “K&L Gates do të dokumentojë dhe hedhë dritë mbi dështimet e autoriteteve shtetërore për të aplikuar parimet e konkurrencës dhe ligjet rregullatore të pranuara nga BE, si dhe vonesat në marrjen e vendimeve nga këto autoritete shtetërore. Si rezultat i punës që do të realizohet nga K&L Gates, Plus Communication mund të konsiderojë kërkesën për dëmshpërblim ndaj njësive rregullatore dhe operatorëve të tjerë të telefonisë celulare në Shqipëri”.
Plus Communication është themeluar në vitin 2009 si një kompani me kapital 100 % vendas dhe ka filluar ofrimin e shërbimeve në vitin 2010, duke u futur në treg si operatori i katërt. Në fund të vitit 2015, Plus zotëronte 6.6% të tregut, sipas të ardhurave, sipas të dhënave nga Autoriteti iKomunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Në fund të vitit të kaluar Plus akuzoi publikisht Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare se ka kontribuar fuqimisht në ekzistencën e një tregu të parregulluar. PLUS theksonte në atë deklaratë të shtatorit 2015, se është diskriminuar e zvarritur në mënyrë sistematike tashmë për vite nga autoritetet, nëpërmjet mosrregullimit të tregut, duke përmendur me rradhë çështjen e ndryshimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjeteve, çështjen e asimetrisë të aplikuar ndryshe për operatorë të ndryshëm sigurisht duke diskriminuar PLUS-in, apo për çështjen jashtëzakonisht të zvarritur të dhënies së autorizimit për shërbimet 3G, duke kulmuar së fundmi edhe me trajtimin haptazi me dy standarte të një çështjeje të ngjashme të sjellë në vëmendje të tij nga operatorët në treg në lidhje me shfrytëzimin e frekuencave 3G dhe 4G.
Një nga problemet për të cilat Plus është ankuar që prej vitit 2013 lidhet me ekzistencën e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj, e cila për rrjedhojë sillte diferenca të mëdha çmimesh nëkomunikimin drejt rrjeteve të tjera duke krijuar mure mbyllëse për abonentët. Përmes mos ndërhyrjes, autoritetet jo vetëm që kanë dëmtuar financiarisht PLUS-in, por në këtë mënyrë kanë ndikuar direkt edhe në zbrazjen e xhepave të konsumatorëve shqiptarë duke u ngarkuar atyre tarifa më të larta për nevojat e tyre për komunikim./Monitor.al