Nga Doriana METOLLARI
Reforma në drejtësi, që në fakt është një koncept shumë i madh nga ajo çfarë është shpjeguar deri tani, ngjan si ajo karroca që sforcohet të ecë, sa herë është afër finish-it. Ja pra, brenda kësaj “karroce” janë futur të gjithë ata politikanë që duan të shpëtojnë kolltukun. Kanë filluar dhe ti bien rrotat, nganjëherë ngec, nganjëherë e shtynë, herë të tjera frenon vetë, se jemi dhe në prag të zgjedhjeve. Sigurisht, të jesh në politikë është njësoj sikur të jesh futur në varkën e Noesë, je larg skanimit. E di Edi Rama, e di dhe Lulzim Basha me mirë se askush tjetër. Tek e fundit nëse nuk do ta dinin, nuk do të bëhej kurre ajo e flamosur Reformë.
Ah meqë erdhëm tek zgjedhjet; presim të kemi emra të denjë, si kandidatë. Nuk duam boba! dhe as biba!, zini ndonjë karrige për ta brenda në parti, mbajini si ushtarë, por mos i ngatërroni me kalorësit. Janë ata të cilët i japin siguri njerëzve, i frymëzojnë, ata mbajnë timonin fort kur ka stuhi, ata e konsiderojnë institucionin të cilit i shërbejnë sipër tyre. Pra, duam gjeneratën e re në mandatin e dytë, sepse do të jetë koha e largimit të llumit nga gjykatat dhe institucionet e shqiptarëve.
Duam dhe një opozitë që vigjilon mbi këto institucione. I druhem mpirjes së saj, sepse kjo tregon se do të qeverisin në formë spontane më vonë.
Bojkoti nuk është rruga! E dinë dhe ata që heshtin brenda selisë blu. As blerja e votave nuk është rruga, as trafiku i drogës nuk është rruga. Le ta themi troç, bandat e drogës nuk janë të forta, ata thjesht janë lënë të lira të veprojnë. As gjykatat nuk do ishin këtu, nëse nuk do të ishin toleruar. Kemi qenë në kushtet e njeriut-institucion, jo institucioneve për njerëzit. Të vazhdoj?
Shqiptarët kanë zgjedhur një opozitë që vigjilon mbi institucionet e vendit, sepse duan të jetojnë në një shtet ku mund të jesh i pasur dhe pse nuk merresh me drogë. Në një vend me energji të kanalizuara drejt progresit, të resë dhe zhvillimit. Qytetarët zgjedhin njerëz që ngrenë sytë nga muret e institucioneve dhe mendojnë se duhet të jesh vertët njeri i lartë për të rritur demokracinë e një vendi.