Sandër Lleshi do të jetë ministri i ri i Brendshëm që do të pasojë Fatmir Xhafajn pas dorëheqjes së këtij të fundit.
Emërimin e ri e bëri të ditur vetë kryeministri Edi Rama në një status në Twitter. Ai njoftoi se Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.
“Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse,” shkruajti Rama.
Kush është Gjeneral Sandër Lleshi
Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.
Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinw Ushtarake. Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.
Sandër Lleshi ka qenë sugjerimi i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare për kandidat për president mbi palët në vitin 2012. “Zotin Lleshi e kam njohur vite më parë. Më ka bërë përshtypje jo vetëm formimi i tij solid e profesional gjermanik, por edhe kultura e përgjithshme”, -është shprehur asokohe Kadare.
Në media emri i tij u lakua vite më parë kur denoncoi publikisht abuzimet financiare në Ministrinë e Mbrojtjes. Me urdhër shkarkimi nga ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe dekret te presidentit Nishani në maj të 2013, Lleshi u lirua nga detyra e zv/shefit te shtabit te pergjithshem te FA. Vendimi u rrëzua nga gjykata e Apelit të Tiranës pak muaj më vonë, vendim që detyroi Ministrinë e Mbrojtjes të paguajë pagën e qëndrimit si i papunë të ish-gjeneralit. Sandër Lleshi e lidhi vendimin për shkarkimin nisur nga qëndrimet e tij për mënyrën e funksionimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura.
e.f/BalkanWeb