Home KRYESORE Ylli rebel që m’ peshon shpirtin

Ylli rebel që m’ peshon shpirtin

Nga Irsa Ruci

Ndonjëherë mëngjeseve vështroj drejt qiellit
dhe shoh si drita e yjeve tretet brenda meje
me padurimin për t’ më vjedhë buzëqeshje…

Diku mes reve fle ylli im
aty prej nga shndrit më tepër, aq sa një varg poezie
shkruar dalldisshëm, ndërsa dehesh
nga aroma e gotës së verës mbushur me ëndrra
me dallgët e jetës
mbushur me veten në pamjaftueshmëri,
gjithnjë disa hapa larg përsosmërisë
në pamohueshmëri…

Ylli rebel
që m’ peshon shpirtin
më përgjon shpesh në përgjumje
shtrirë mbi mijëra ëndërrime të pafajshme
si një ritual që e ndjek me bindjen:
se rruga e shkëlqimit të yjësive, stisur në hapësirë
është drita që buron prej meje mbi tokë!

Unë Jam!… Oh, këtu s’ka fare krenari
e në pastë,
është krenaria e një njeriu
që fëmijërisht ëndërron
dhe beson se marrëzia e saj është e mjaftueshme
për t’i kthyer deliret në provë të realitetit…

Ndonjëherë mëngjeseve vështroj drejt qiellit
dhe në atë pasqyrë shoh rrugën që ndjekin sytë e mi
nga njëri skaj i pafundësisë
drejt shpirtit të pafundëm
që qesh për jetën…!

© Irsa Ruçi

Share: