Home KRYESORE PRANGA PËR STATISTIKË

PRANGA PËR STATISTIKË

Nga Erion Kristo

Prej kohësh tashmë është shkrehur një mekanizëm prangash që janë vendosur me lehtësi të madhe në duar njerëzish, bashkëqytetarë, bashkëkombës, të cilët kanë shkelur ligjin apo janë akuzuar për shkelje të ligjit. Jo se po u vëmë faj prangave që vendosen lehtazi në kyçet tona; është e qartë që shumë njerëz tek ne i aspirojnë prangat si shpërblim për ngasjet e tyre. Jetesa prej një çerek shekulli në mungesë të plotë të ligjit dhe nevoja për ta vendosur ligjin me shpejtësi kanë sjellë situata krejt të pakëndshme dhe ndonjëherë të papranueshme. Gjithandej shikon arrestime dhe mediat ushqehen gjerësisht me këtë ushqim që nuk kushton fare. Aq sa krijohet një ndjenjë ankthi se mos prangat janë duke na kërkuar, pavarësisht dëshirës sonë, a thua se janë një lloj byzylyku i çmuar që pa mëdyshje duhet të zbukurojë parakrahët tanë. Pra, në këtë mes, ose prangat janë çmendur, ose njerëz janë lajthitur.

Ai mekanizmi që quhet: “kthim i policisë në detyrë”, shpeshherë tregohet një mekanizëm joefikas, fasadesk dhe për më tepër rrezikon të kthehet në bumerang. Ndërkohë që burgjet mbushen me shpejtësi përtej kapaciteteve të tyre, madje dhe për arsye jo të mjaftueshme për ta futur njeriun në burg, nuk ka ndonjë përmirësim të rendit publik, ose më mirë të themi që nuk ka ndonjë perceptim publik më pozitiv përkundrejt rendit.

Ajo që shqetëson është dhe prania e kamerave në momente të bujshme arrestimesh. Pra, është krijuar dhe një lidhje simbiotike mes momentit kur dikujt i preket liria personale dhe mediatizimit të këtij momenti, përjetësimit të tij përmes kamerave. Kjo e fundit është dhe më e rëndë, sepse nëse personi shpallet i pafajshëm, nderi i tij nuk do të shpallet i tillë, ngase është përjetësuar në “celuloid”.

Po pse njerëzit arrestohen kaq kollaj në këtë vend, për dy pare spec, ose për thjesht për dyshime? Përse gjykatat e shkallës së parë në këtë vend, e pranojnë masën e arrestit me burg, ndërkohë që gjykata e shkallës së dytë përgjithësisht i rrëzon këto masa? Përse gjykatësit kanë frikë të përballen direkt me të drejtën, po e shtyjnë këtë vendim në një instancë tjetër, duke shtuar ankthin njerëzor? Po mbi të gjitha, përse juristët tanë të panumërt nuk reagojnë në kor kur ka shkelje të ndryshme të të drejtave të njeriut? Vallë për çfarë shërben drejtësia?

Duket sikur prangat kanë vetëm një shkak dhe një pasojë: statistikën. Ndoshta duan të krijojnë idenë që këtu po bëhet nami. Që ky vend po pastrohet. Që gjërat po shkojnë në vendin e duhur. Po pa dyshim, nuk është ky mekanizmi që pastron gjërat. Futja në burg e disa dhjetëra fakirëve nuk i bën nder askujt, as policëve, as prokurorëve, as gjyqtarëve, e aq më tepër politikanëve. Nëse këto bëhen për t’i hedhur hi syve Evropës, jam i bindur që Evropa nuk është duke kërkuar këtë nga krerët tanë.

Vendosja e prangave në kohën tonë, është padyshim një reminishencë e së shkuarës, ku fjalia “të hedh prangat”, ishte diçka konkrete, reale dhe vrastare. Asokohe pretendonim se ishim të lirë, por e vuanim shpirtërisht mungesën e lirisë. Pra, jetojmë në një vend, ku liria është nderuar si kult, sepse gjithmonë ka munguar. Dhe sot që gëzojmë liri, madje diçka më shumë se sa liri, kjo liri cungohet, cenohet, preket, venitet për shkak të disa qëndrimeve që nuk na çojnë askund, që shtojnë “luftën e klasave”, që nëpërkëmbin njerëzit e dobët, që cenojnë seriozitetin e sistemit. Prangat duhej të ishin gjëja e fundit që kanë në mend autoritetet tona, dhe jo gjëja e parë. Reagimi i shtetit nuk mund të jetë automatik, sepse shteti nuk është automat kafeje. Shteti është refleksion, shteti është vizion, shteti është paraprirje, shteti është edukim, shteti është zemërgjerë, shteti është i ftohtë, shteti nuk skuqet si një person që ka pirë raki.

Arrestimi dhe burgosja bëhet në rast se personi ka rrezikshmëri të lartë shoqërore, nëse mund ta përsërisë krimin, nëse është larguar dhe herë tjetër nga sistemi i drejtësisë, apo nëse krimi i pretenduar mund të dënohet rëndë, përndryshe askush s’ka pse të kalojë ditët e jetës së vet në paraburgim, ku dhe kushtet janë krejt çnjerëzore. Të cenosh qoftë dhe për një minutë të vetme lirinë e tjetrit, do të thotë të shkatërrosh vetë principet mbi të cilat bazohet demokracia. Këtu nis korrupsioni galopant i sistemit të drejtësisë, ku paraja do ndalet në një dorë: qoftë te prokuroria, qoftë te gjykata.

Nuk krijohet kulturë zbatimi e ligjit me rritjen e ndëshkueshmërisë. Proporcionaliteti është parim i shenjtë i drejtësisë. Prandaj ftojmë personat përkatës që të mos i përdorin prangat si xhonglerë cirku, sepse shfaqje të tilla janë krejt të panevojshme. Mendoni pak se si shfryhet shteti, kur personi i arrestuar me bujë, lirohet pa bujë fare. Pra, çështja e prangave nuk duhet të merret thjesht si një gjest që nuk na prek, por si një epidemi që rrezikon rëndë jetën e shtetasve. Kjo epidemi duhet të luftohet në themel. Nuk kemi nevojë për statistika të rreme, si një herë e një kohë. Gjithkush duhet të mendohet mirë, përpara se të dëmtojë lirinë e tjetrit, që është i pafajshëm ndërkohë që nuk është gjykuar e dënuar.

Share: